Gërmoj sytë e përlotur për një buzëqeshje të humbur,
shoh botën por sytë s`mi njohin ngjyrat
në shpirt i varrosa unë gjithçka të bukur
tani i shoh veç bardhë e zi fytyrat.
Fytyrat sytë nga unë dinë t`i drejtojnë
e përplasin qepallat në idiotësi të qullët
më shohin e më flasin, por prap s`më kuptojnë
kërkojnë që shpirtin ta bëj memec, të shurdhët.
Ju zgjasni kthetrat e më zini prej fyti.
Unë përpëlitem, ndiej thonjtë tuaj në kockë
Gishtërinjtë s`ju dridhen, teksa i mblidhni
e fytin tim e shtrëngoni fort.
Dhe krenaria e tulatur si një zog i plagosur
hungëron ashpër si një bishë e rrëzuar,
fillon ngre ngadalë gjunjët e ciflosur,
shikon plagët me sy, e i prek me duar.
Rizgjohet krejt papritur një ditë dosido.
I kundërvihet botës edhe pse e brishtë
Ta përtypë shpirtin, ta lidh nuk do,
sot ajo tund supet e lufton verbërisht!