Dal nëpër natë me fyell të gjatë në brez,
atë yll të largët lyp nëpër terr
një fjalë t’i them
e nëntë male në mes, medet, nëntë male në mes
E dhentë s’po tuten e mallet po s’po ulen… Po qe:
balli me dukat m’i bën dritë shtegut t’udhës.
Medet, i mjeri unë,
kot mundohem ta fsheh dridhjen e buzës!
Tufëzat hanëza-hanëza m’i ka çjerrë thëllënza,
meraku ka pikur mbi xhamadanbojëgjaktin,
shlyer e ka krejt, mjeri unë me det!
Mbi tirqit e bardhë ofshamat e mallit
(t’i kallëzon dukat i ballit)
kurrkund nuk m’u ndanë qysh ditën e parë,
pesë gishtat e dorës përanash lanë zi
kur u ndamë të dy…
Përmidis të gjoksit m’u ka bë një gropë,
medet,
nuk e mbushin tokë as shokë, medet!
Meraku për ty më hollon përorë
e nëntë male në mes, medet, nëntë male në mes!