Ali Podrimjes (letër e padërguar)
Mirë qofsh, vëlla i madh i fjalëve të gjalla
fluturuese
për te njeriu,
shpirtkalluri i fjalëve të bardha si bora e virgjër
e Pikëllimës!
Mirë jemi të gjithë!
Dje gjithë ditën e lume peshkova Drinin e Bardhë
e Drinin e Zi,
s’e di qysh m’u dha e u çmalla,
fola e fola me Gjalicën si me ty…
Në darkë, sa hapa derën e shtëpisë, djali m’u derdh
në grykë
e fort iu çel gjahut të mbarë:
- Të lumtë, babë, tha. Sonte kemi miq!
Mbrëmë kisha mik Lumin, o i lumi vëlla,
se Lumi veç yti nuk mund të jetë ma.
Aiiiiiih, Ali Podrimja, lot e gaz të madh kemi pasë,
qejf e mërzi deri në tavan kemi ba!...
Darkuam ngjala të Drinit të Bardhë e krap të Drinit
të Zi,
dhanë e morën përralla me Arbërin gjer në mesnatë,
sa u pakën e befas Lumi erdh e m’u nxi si moti
për shi,
u mrrol, e fol, o gur… I ziu unë, thashë,
miku m’u ftoh, m’u prek!
Dhashë e mora me të mirë e fjalë e besë
ia qita në pëllëmbë të dorës,
e pashë se besë më zu e sekretin e ka folur:
E kish djegur flaka e mallit për ty, Ali, vëlla.
Atëbotë u shprangova, u lehtova. I zoti isha ta mbushja
me ty,
vrik në këmbë e librin tënd në duart e Lumit
e lëshova; Ty e çmalljen si krejt botën.
E gjithë natën e lume pa gjumë kemi ndejtë,
o i lumi vëlla,
me shpirtin tënd në duar, për besë… Lexo unë
e lexo Zana ime që fort i ngjante me Fitore Podrimjen.
E Lumi prek me gishta fjalët
si buzët, si gojën tënde të paheshtur.
Sa te njëri e te tjetri i zgjatnin krahët -
lastarë të rinjë-Lumi yt e Arbëri im.
Dhe asnjë minute heshtje nuk deshën. E as unë
nuk e di qenë një a dy, hynë te njëri-tjetri -
LUMARBERI -
E dhimbja mes nesh nuk matej më me centimetër
a metër,
me hapësirë dhimbja matej… Pa anë e cak -
Planet.
Aiiiiiih, Ali Podrimja, lot e gaz të madh kemi pasë,
qejf e mërzi deri në tavan kemi ba!...