...Sepse koha krijohet me vdekje, ndaj ne
Jemi urna e saj, jemi qarku përmbyllës,
Jemi ashkla plluskore mes gjethit dhe ritit -
Vegulli efemere, shkumë detare a re
Lojcake në qiej, bij të shembëlltyrës -
Loti që humb në lumin e Heraklitit.
...Sepse koha është qenia në prani e mungesë,
Dhe mungesa krijohet me vdekjen tonë.
Do hapet sipari dhe heret a vonë
Papraninë do shohim të gjithë në Zbulesë:
Do jemi boshti i veshur n'kuptim
Dhe lumë Herakliti së prapthi n'vërshim.
...Sepse koha rikthen në po atë tryezë
Të ngjërojë grimat që pati lënë,
Dhe dita e lume ndrron natën e zezë,
Dhe nata prapton me shéjza e hënë -
Ngathët si vargjet në anakrezë,
Koha rikthen në atë tryezë.
...Sepse koha nuk është domosdo shkatërrim
I thelbit të Qenies, i shpirtit në Hiç.
Ana e prapme e saj është gjallim.
Vdekja është Oazi dhe Krishti në Kryq,
Ku koha pushon, zgjanohet dhe ngre
Të tjerë profetë për sendet dhe ne.
...Sepse vdekja është veçse ç'lodhja e Frymës,
Pastrimi i saj për gjakimin e ri
Në pulsin e gjallë të Qenies në kohë.
Vdekja është djegia e gjethit prej brymës -
E po atij gjethi që gjen përsëri
Degën e blertë dhe Frymën që ngroh.
Vdekja është gjendje e Qenies në gjumë, -
Rrjedhë e papastër kohe të amullt,
Është edhe nyje kohe e gangullt
Dhe zor se mund të shprehet me gjuhë.
Se koha lëviz veçse në Qenie
Si anë e prapme germe, fonéme.
Mos koha lëviz dhe ngrin në një germë?
"O shpirt i mumosur, o merrmë, o lermë,
O kthem ti sërish në Zanafillë -
Në kllapa Logosi vulosur me dyllë,
Në kohë kaosi, në Frymë pështjellimi,
O kthemë në gjendje të grirë vetmimi" -
Tha shkronja kh dhe u suall vërtik
Profil-grirë karshi përjetësisë
Një nate me prenka yjsh në fytyrë -
Dhe mbeti peng i pezullt në grykë
Në cepin qëndror të Ilirisë:
Në laringun e shqipes - e para mënxyrë.