Formulë mëngjie
E premte, 02-03-2007, 08:41pm (GMT)
Ngadalë e mundimshëm, si toka kur çliret rraposur nga rrënjët e një rrapi të moçëm, prej rrënjësh që si tentakula të verbra oktapodi stërmadh mbërthyer kanë një kafkë viktime, prajshëm si toka që rrënkon me dhera e gurë, si toka nën rrënjët e rrapit dhe si kafka, - si kafka e viktimës nën tentakulat e verbra të një oktapodi stërmadh, - o tokë, o kafkë, o torfë e angësht e trurit ti çliresh... shkulet teje e shkuara, sprapset: tash ejani t’i shihni – golle, zgavra, vrima të zeza, tunele e labirinthe ku të pashpresë e fillhumbur bredhin n’jermi turrma Tezéjsh harrakatë... përposh uturin nëntoka; veç hadi i zymtë në hyrje mirëpret dhe gëlltit saora lakuriqët e vet, pasi ua çarmatos hijen: nëntoka sa s’vithiset nga tektonika e refrenit: “Fatpremja Ariadnë, fillsosura Ariadnë...!”.
Si toka kur çliret (prej rrënjësh kur çliret dhemb si dhëmballë), ke mbetur ti tash zgafellë, tunel (me Tezé e Tantalë), ashtu kujtesa e shkur nuk shkulet e dhemb, dhe zjen një had zërash herë këngë e herë nëmë:
Atë nëmë që ma dhe – merre.
Atë këngë që ke nxënë – shterre.
Atë gjëmë që ta lashë – ktheje.
Atë dash flijimlashtë – there.
Vetëm salikimi mes meje e teje!
Po toka po ftohet, se ka dhe mëngjes kur mitologjia vdes: zvetënohet gjithçka përthellë në terrina (labirinthet shemben dhe korja zë dregzë me rrjeta gjembaçe murrizësh), me mijëra milonë tonelata dritë derdh dielli mbi tezé e tantalë, shndërruar në minj e urithë gjirizësh.
|