|
|
 |
 |
::| Sondazh |
 |
|
|
|
|
|
 |
 |
::| Email Lajmerues |
 |
|
|
|
|
|
| |
|
| |
|
|
Azem Hajdari - Atdhetar me fjalë prej ari
E diel, 13-04-2008, 06:19pm (GMT)
 |
| Heroi i Demokracise, Azem Hajdari | Nga libri "Kenget e Azemit"
Gjok Beci
Atdhetar me fjalë prej ari
O nënë, o bir, kërkoj një fjalë Azem! Azem ti je gjallë O nënë, o bir, më jep Flamur Azem, Azem ti nuk vdes kurrë!
Ra një plumb në zemër të burrit, Shtangu Shqipja e Flamurit, Bregu i detit pyeti malin: -Kush e vrau Azem Hajdarin? Po pyet Dhjetori i Nëntëdhjetës: -Kush me plumb po i turret jetës? A thue flaka që e dogj vendin S’don me u ndalë pa e vra Azemin?
Zog i rritun nëpër shpate, Katër herë në atentate, Si skifter në bjeshkë me borë, I ka prit plumbat me dorë! Deputet Azem Hajdari, Katër herë me votë të lirë, Atdhetar me fjalë prej ari, Demokrat që këput zinxhirë!
Kur qe ndryshk fjala e kuvendit, Kur qe shterr liria e vendit, Del Azemi në shesh të Studentit, Përkrah tij gjithë ajka e vendit! Gjithë shqiptarët në kambë kur çohen, Idhuj të rremë kudo po rrëzohen, Dallgët e jugut e të veriut, Po i mësojnë “Bllokut” vrimën e miut!
Legjendari ngriti dorën -Shporrni, burra, komunizmin! Sa Shqipnia t’ja bajmë vorrin, Ndryshe s’kemi pluralizëm! Deputet Azem Hajdari, Katër herë me votë të lirë, Atdhetar me fjalë prej ari, Demokrat që këput zinxhirë!
Por zinxhirët prapë kërcasin, Bahen maskë e n’pritë na vrasin... Azem trimi me shumë shokë, Asht liri e asht Europë, Zemra e tij sa vetë Shkëlzeni Mbarë një komb e luen prej vendi, Thërrasin bashkë Kosovë e Shkodër, Ban durim Çamëri, moj motër!
Tokë e lashtë hap kraharorin, Shkruaje n’gur 12 shtatorin, Gdhende thellë me gërma ari, Nuk ka vdekë Azem Hajdari! Zog i rritur për fluturime, Në zemrën tande e në zemrën time, Katër herë me votë të lirë, Demokrat që këput zinxhirë,
O nënë, o bir, kërkoj një fjalë, Azem, Azem ti je gjallë! O nënë, o bir më jep Flamur, Azem, Azem ti nuk vdes kurrë!
Hamit Aliaj
Lshoma i za, çohem prej varrit
I
Kush po prin n’Tiranë i pari, Me rininë Azem Hajdari. Shqipërinë ka babë e nanë Besë e jetë ia ka dhanë.
Nëpër marse e dhjetore Buza i qesh si lule bore, I përmbys shekujt e zisë Dritë lirije i sjell Arbërisë.
Refreni:
Azem, flamur, Ti s’vdes kurrë. Ti lind në gur, Jeton trimi në dy fjalë, O Azem ti je i gjallë.
II
Moj Tropojë mbaje lart ballin Se të gjalle ti e ke djalin. Çel pranverat në dhjetor, Legjendar liberator.
“Nanë Shqipni ta fala gjakun, Që ta kesh të kuq bajrakun, S’të harron Azem Hajdari, Lshoma i za, çohem prej varrit!”
Refreni:
Azem, flamur Ti s’vdes kurrë...
III
Yjet ndeze mbi Labëri, N’Mitrovicë shkrep balli i tij, E kam dhanë besën e burrit, Me ja heqë plagët e flamurit.
Thotë Tomorri, pyet Shkëlzeni: Ku është loti për Azemin? Veç një ditë vajtohet burri? Këngë për të sa të jetë flamuri.
Endri Vasili
O Pëllumbi i Tropojës
I
Dymbëdhjetë shtatorin mbrëmje e zezë, Jo s’mund ta çoj në harresë, U vra Azemi. Besa do kohë të kalojë, Veç dhimbjen tonë do ta shtojë U nda zgalemi.
Refreni:
O pëllumbi i Tropojës, O pëllumbi i Shqipërisë, Je simboli i dhjetorit, Je simboli i lirisë, Je hero i demokracisë.
Je i gjallë e je në mes nesh, Në çdo vatër në çdo prag. Çdo ditë çelin trëndafilat Ku u derdh i yti gjak. Tmerr i tiranëve, mik i njerëzve Në çdo çast.
II
Kur kjo natë të mbarojë E dita e shpresës të agojë Vallë çfarë do themi? Se dielli natën do largojë Dhe jeta vdekjen do dënojë Gjallë është Azemi.
Refreni:
O pëllumbi i Tropojës, O pëllumbi i Shqipërisë...
Agim Doci
Ti fluturove si zog lirie
Buzeqeshja jote si prej fëmije Ka ngrirë sot në gjoksin tim Ti fluturove si zog lirie, U bëre engjëll o vellai im.
Çeli pak sytë te shohësh qiellin Çeli pak buzët e fol një fjalë; Të pret mëngjezi të puthësh diellin, Sa shpejt t’u ftoh i bukuri ballë:
Refreni:
Do ta mbuloj me lule bore Do ta vatoj me jehonë bjeshke, Do t’i laj plagët me ujë Valbone, Do të qajnë shokët me shira vjeshte,
Një degë bajamesh shoh në dritë, Nje dallëndyshe çukit në xham, Po pres të vijë pranverë e madhe, Bashkë me lirinë të sjellë prapë.
Do t’ja puth synin me fllad të erës, Do t’ja njom buzën në vesë mëngjesi Do ta pushtoj me mall të zemrës Se ai Kosovën aq fort e deshi. Do ta pushtoj me mall të zemrës Se Shqipërinë aq fort e deshi.
Refreni:
Do ta mbuloj me lule bore...
Dhimbja e malli i Rudinës në dy poezi
Rudina Hajdari
Babi im hero i demokracisë
O ditë e shtunë, ditë e mallkuar! Me thikë në zemër më kanë qëlluar. Një krismë u ndje në shpirtin tim Për babin, për babin tim. Një kujtim më Mbetet nga babi im: “Njeriu nuk është jetim me Demokracinë. Po te isha pa baba E pa demokraci Atëherë do të isha vërtetë jetim. Për babin tim po vajton Shqipëria Kosova e Çamëria.
12 shtator ditë e zezë. Çdo njeri hap radio “Kontaktin”. Ka ndërruar jetë Azem Hajdari. Iku zemra e çdo shqiptari.
U dridh një mal, U thye një shkëmb, Ditë të zeza po kalojmë. Në sytë e mia lot po pikojnë, Zemra bën të mendojë, Babit tim një vjershë t’ia kushtojë.
Për ty poezia s’mbaron kurrë Ishe trim i vërtetë. Po e mbyll këtë poezi Me dy pika lot në sy...
Babi im
Aty pranë memorialit të tij Ulem. Gjithçka më kujtohet... Kur isha e vogël e kapja, E shtrëngoja Buzët e tij viheshin në gaz, Nga goja e tij rridhte fjala: “Rudina ime e dashur Kur të rritesh më kujto E kurrë mos më harro!” Dua të qaj po s’qaj dot Lotët e mia janë tharë. Dua të urrej njeriun që e ka vrarë Por nuk urrej dot. Jam fëmijë dhe nuk dua të di Ç’është urrejtja në këtë gjithësi. Kjo letër e bardhë është mbushur Me lot. Këtë poezi s’mund ta mbaroj dot.
Flamur Shqiptari
O Azem, o shqipe malit!
Mallkue qofshi O trathtarë të atdheut, Vratë stërnipin e Skënderbeut, Një shqiptar të vërtetë. Rrallë do lindin nëpër jetë Si Azemi trim me fletë. Fjalë mprehti, Shpatë çeliku Që ish tmerri i armikut.
Të vranë o Azem! O vëlla të vranë. Ata që bukën Nga greku E serbi hanë Ata që nuk kanë atdhe.
A vritet Flamuri Dhe dielli me pushkë, E flamurtari, Trimi i trimave, Azem Hajdari, Simboli i demokracisë, Trimi i Kombit mbanë?
Ku flitet gjuha shqipe Që nga Çamëria Në Ulqin e Tivar Dhe si diasporë Ku janë shqiptarë.
O Azem o shqipe mali Do të rrosh në zemrat tona Brez pas brezi E djal pas djalit. Sa t’ket qiell, Sa t’ket diell, N’kombin mbarë, O i madhi shqiptar.
O Azem! Mik, shok e vëlla, Armiku nuk t’u nda, Të qëlloi mu në zemër. O i madhi emër, Simbol i demokracisë, O hero i Shqipërisë, Vepra jote do të ndrisë Nëpër kombin mbarë.
Ti do rrosh në zemrat tona Siç rron Drini dhe Valbona. O ti shqipe, shqipe malit, Brez pas brezi E djal pas djalit, Siç rrojnë malet tona t’naltë Vepra jote madhështore Aq e artë.
Zyber Skëndo
Promete i demokracisë
Kush ka dëgjuar për shqipe mali, Kush ka parë viset e Dardanisë, Aty u lind Azem Hajdari, Ky promete i demokracisë.
Ky truall i stërlashtë si vetë shqiptari Që vetëm trimëresha e trima polli N’kët truall u lind Azem Hajdari N’kët truall u lind dhe Mic Sokoli Këtu u lind Iljaz Pashë Dibra e Haxhi Zeka Kosharja, Vokshi, Boletini e Jakup Ferri Pasha besën këtë vend e ka frikë edhe vdekja E jo më një cub bir cubi sic është serbi Pasha besën që ka shqiptari, Bash nga ky gjak ishe Azem Hajdari,
Kush ka dëgjuar për Kreshnik Malësije, Kush ka dëgjuar për dragoj, Bash kështu ish ky bir Shqipërie, Rracë e denjë vetëm për heronj.
Ti s’i kishe borxh askujt Ti luftove për Atdhe, Por këtu sundojnë të huajt Që nuk kanë moral e fe.
Kur në sheshe të Shqipërisë Ti ishe gjithmonë i pari, Thirrnin trimat e mençurisë Dilni! Po vjen Azem Hajdari! Pasha besën ta shikoje Nëpër sheshe të Shqipërisë, Thua ishte ortek bore, Perëndia e lindi prijs.
Në fillim njerëzit s’e njihnin, Pyesnin kush është ai i riu, ai i madhi. Përgjigjeshin burrat me lot në sy, Ai është Azem Hajdari.
Të gjithë shqiptarët kanë dëgjuar Duke brohoritur dhe kënduar Burra, gra, çuna dhe goca Azem, Azem, ti je bota!
Një nënë 46 vjeçare me inicial Z
Mallkuar tradhëtarë
Po pyet mbarë populli shqiptar: Çfarë kanë malet që po ushtojnë, Çfarë kanë bjeshkët që po gjëmojnë, Ç’kanë bilbilat që pushuan këngën, Zi e madhe pushtoi Tiranën.
O Azem, o nder i kombit Hape dheun e çou prej vorrit, Shporre farën komuniste, Sepse duan të tradhëtojnë kombin.
Ai tradhëtar Azem që të vrau ty, Ju ngujoftë dera me dry, Mos gëzoftë grua as fëmi, I këndoftë qyqja përmbi.
Ti tradhëtar qofsh mallkue, Dheu i zi s’ka me të tretë, Si na vrave atë djalë të ri Le jetimë tre fëmijë, Ja le nusen veshë në zi.
O Azem, ti je gjallë, Sa të ketë diell e sa të ketë hanë, Sa të jetë jeta e shqiptarit, Krenaria e kombit tonë, Do jetë emri i Azem Hajdarit.
Mexhide Noka
Të falem ty
Të falem ty, o dritë, Të falem ty, o yll, Të falem ty, Azem, O bir i Shqipërisë Që derdhesh si furtunë Në luftë për liri Për këtë truall E për këtë atdhe, Që na e lanë trashëgim Stërgjyshërit. Kush Azem atëherë ’90 guxonte Diktaturën të rrëzonte E hallet e shqiptarëve bashkë t’i vajtonte, E rrezikun e jetës duke e marrë mbi vete. Zoti i madh të lartësoi Të dha trimëri. Të falem, Azem Të falem ty, o yll i Shqipërisë, Të falem ty, o dritë, E qofsh gjithmonë pranë Zotit!
Mexhit Kokalari
Martirit të demokracisë
Me gjuhën e folklorit
Ç’është ky trim që zbret nga mali Nga Tropoja si zorkalli? Eshtë trim Azem Hajdari. Kush ia bëri i pari prima Që shkeli mbi vetëtima? Eshtë Azem flamurtari, Zemër trimi luftëtari. Kush lufton për Shqipërinë? Kush kërkon demokracinë? Azem trimi, djal’i ynë. Ngrihet në këmbë parlamenti, Gjithë armiqtë nga sikleti Kur flet Azem deputeti: Burra për demokracinë Të shpëtojmë Shqipërinë. Flakë e tij flak’vetëtinë, Tmerroi armiqësinë Që urrejnë demokracinë. Me gjuhën tënde luftove, Gjithë armiqtë i tërbove. Pesë herë të vunë në pritë O Azem, o yll, o dritë. Pesë plumba përtej të shpuan O flamur me gjak mbuluar, Dot për tokë nuku të shtruan, Luftove, Azem, luftove Vehten tënde s’e peshove, Namin tej detit e hodhe, Shqipërinë e nderove. U përpoqe natë e ditë Atdheut t’i japësh dritë. Azem trimi bukuria Të vajton gjithë Shqipëria. Ti të hëngri tradhëtia. Po për neve je i gjallë O Azem, o trim i rrallë. Mbete flamur për rininë, O mali me trëndelinë. Të shpëtojmë Shqipërinë. Ta bëjmë siç e doje tinë, Të sjellim demokracinë, Të lulëzojë vendi ynë.
Abdyl Ahmet Maçi
Përpara përkujtimores së Azemit
Për kuvend, për trojet etnike Ngriti zanin si në luftë kreshnike, Me fuqi e me trimni Për Kosovë, për Çamëri.
Me Azemin ballë për ballë Midis nesh e kemi të gjallë Jetë e mot, ka me u përmend Në kushtrim e në kuvend.
Ju shtie në be, në besën e Zotit Mos me derdhë as një pikë loti, Se trimnia nuk vajtohet Po me kangë e lahutë këndohet.
Këndojnë trojet amtare
Ku len dielli e ban dritë hana Si Azemin pak lind nana, Lum Shqipnija për atë djalë, Jetën kombit ja ka falë.
Katër herë i dolën n’pritë, Kërkush s’mujti me e kosit. Pa ju tremb syni aspak Tokën nanë e lan me gjak.
Si Azemi gjinden rrallë Nuk ka vdekë por asht i gjallë, As s’asht vra, as nuk do të vritet, Për çdo ditë ma shum’po rritet.
Nanë, djalin, mos vajto, Shqiptaria e ka hero Desh lirinë, nuk duroi pranga, Për Azemin ushton kanga.
Këndon Tropoja, këndon Shqipnia, Këndon Kosova, këndon Çamëria, Po këndojnë motrat kosovare Këndojnë për “Ty” trojet amtare.
Flamur Dalipi
Këlcyrë – Përmet
Nga Tropoja te Përmeti
U përgjak mesi i shtatorit Me studentin e dhjetorit, Deputet katër herë, Trim dragua mbi të tjerë.
Dhe ashtu me njolla gjaku, Si shqiponja te bajraku, Tha në fund të jetës tija “Le të rrojë demokracia”.
Pritë i bënë urë më urë, Bjerë e ngreu mbi diktaturë, Nismëtar në zemra mbeti, Nga Tropoja tek Përmeti.
Dhe për Ty si flamur gjak Do të këndojë çdo gurë e prag, Gjaku yt për Shqipërinë Kalldrëm për demokracinë.
O Azem ti je i gjallë, Pishtari me zjarr në ballë, Mbi Ty ra dora e krimit, Ti mbetesh flamur i hymnit.
Sami Metalia
Djem zemërflamur
Në shenjë respekti për veprën e tij të pavdekshme, në pamundësi për të vendosur një buqetë me lule për shkak të përndjekjes nga pushteti komunisto-socialisto-kriminel, po i dërgoj nga larg këto vargje si homazh për mikun tim Azem.
Bajrak gjallë, bajrak vdekur, Trim tribun gjithmonë ke mbetur, S’t’paska le nan prej barku, T’paska qite huta prej çarkut.
A thue prej Shkëlzenit more trimni. Prej Valbonës t’kaltër more hijeshi. Turrin ku e more, po fjalën e zjarrtë. T’i bën dhurat’zanat e bjeshkës së naltë.
Me vrullin si dallgë, me shpirtin liri Për t’bukurën e dheut, nënën Shqipëri, Liri për këtë tokë plot me vaj e halle, Liri për nënën, loken hallemadhe. Azem gjëmimtari s’do harrohesh kurrë, Gjaku yt i kuq zbukuron flamur, Brezat ikin, vijnë, por lavdi mbetet Vepra për Atdhe, viteve nuk tretet.
II Dridhuni lakej, gjarpërinj të ferrit, Zemër kriminel, pjellë besnike e territ, Si orteg i borës, që zbret prej Shkëlzenit, Pritne, bëni ballë, hovit të Azemit.
III
Nga Mamurrsi, n’Lazarat, Valë valë turri demokrat, Nis tek valët e Valbonës, N’zë t’Kurbinit Shkodër loces Në Kavajën heroike, Në kalanë gjirokastrite, Në Tiranë, Korçë, Berat, Në Mirditë, Dibër e Mat. N’Krujën trime të Skënderbeut, N’trandofilt e Përmetit,
Në Sarandën mbretëreshë, Fier, Lushnje, Kurvelesh, N’Elbasanin zonjërëndë, Gjithë Shqipëria është në këmbë Shpërthejnë sheshet zjarr e mall, Azem, Azem ti je gjallë!
IV
Hej, Tropojë krenare e mbrujtur me gjak, Druej për ty nanloke kemi dhanë shumë pak, E n’qoftë pak shpirtneshë, jetët që të dhamë, Jepe, nënë, piskamën djemtë e tu çohen n’kambë. Djemtë e tu si pranvera, djem zemërflamur, Që thellë ngul’kanë rrënjët në çdo shkëmb e gur.
Gjermani, prill 2000
Ditën që ty të vranë
Bir Azemi që më helmove, Shpirt e zemër më coptove O vigan i Shqipërisë Kosovës dhe Çamërisë. Që ditën që ty të vranë, Nëna, motra ty të qajnë. Ti s’ke vdekur je i gjallë Ke me vehte ideale. Ishe lulja e rinisë, Kombi e nderi i Shqipërisë, Të qan motra arbërore Ty Azem trim i rinisë Themeluesi i demokracisë. Shumë prita, biro të bënë, Shumë plumba të qëlluan Dhe në parlamentin e qelbur Deshën të të eliminuar. Djalë, nëna kur të rriti Të dha qumështin e saj Të mësoi të duash kombin Dhe të mos jesh bir tradhtor. Azem, djali, s’të harroj Dhe s’kam për të harruar kurrë, Të kujtohet biro djalë, Kur për të fundit herë, erdhe në Vlorë? Tek urë e Vlorës në Mifol Biseduam gojë më gojë. Kush të vrau or bir? Kush biro të goditi? Këtë plan, kush e përgatiti? Ti i njeh se i ke parë 3 kulisha e 3 tradhëtorë! Vranë Azemin, vranë lirinë, Ty të vranë o shqipe mali, Ty të vranë o sokol djali, Zëri jot kudo kumbonte, Tradhëtarët i tmerronte!
Leonard Duka Shkolla 8 vjeçare “Emin Duraku”
Djal’i Arbërisë
Trupi yt lul zambaku, Kush të bëri ty me gjak, Se pesë plumba ty s’të vranë, Prandaj katili me mjekër, Të qëlloi me dorë tjetër.
Bajram Hidri
Dritë demokracie
O Azem zemërluan Të kërkojnë në Tiranë, Në Tiranë në Shqipëri Të kërkojnë jug e veri. O Azem, o zemër burrë Shqipëria s’të harron kurrë. Qajnë nënat dhe rënkojnë, Bir Azem ty të kërkojnë, Qajnë motrat veshë në të zi Si të vranë në pabesi, Të qau gruaja dhe fëmija, Të kërkon ty Shqipëria, Se je drita e demokracisë, Ishe shpresa e Shqipërisë, Mik e shok ty të kishim Bashkë në luftë kudo ishim, Azem nuk të harrojmë kurrë Rreze drite në flamur, Si shqiponja dykrenare, Ti për ne je gjithmonë gjallë. Mallkuar qoftë dora gjakatare Që e vrau këtë shqiptar, Nuk do të ketë paqe as qetësi, Në Kosovë as në Shqipëri, Pa t’u gjetë vrasësit ty.
Avdyl Krasniqi
Flakadan lirie
Azem! Përplot plagë trupit që kishe, Plagë të freskëta ngjyrë dylli, Bluzën flake ngjyrë dylli tani vishe Flakadan ishit! Jeni vetë ai ylli.
Yll me përmasa unaze Kosove! Në vështrim bashkimi të copave të trojeve! Për hënën e plotë! Për tokat arbërore! Fontanë demokracie, si burim prej krojeve!
Gjithçka është e përjetshme, Çdo gjë që është për të vërtetën, Drita është e përgjithshme, Kur është vepra për jetën.
Për aq rron edhe shpirti, Azem qielli të ka lakmi, Edhe pse derdhet mishi, Dheu të mban lavdi!
Artan Gjini Bolzano – Itali
Elegji
“Nëno moj, vajto merr malin Larot ta përmbysën djalin” (F. Noli)
Demokrat Azem “ Dardanin”, Që në gjoks priti gjerdanin, Tropoja rriti viganin Tetëdhjetë plumba dot s’e ndalin. Tetëdhjetë plumba e prap nuk bie Ky ANTE, ky bir malësie, Mal më këmbë ballë çdo stuhie, As u tut e as u thye (Plumbat burrit i kanë hije)
Moj Tropojë për bijtë që rrite Nëpër shkrepa, bashk’me shqipe, Këtë herë shumë u trondite Për Azemin dy herë shqipe.
Ndizi malet të këndojnë, Burrat që ndër breza rrojnë, Çiftelitë që lot kullojnë, Birin tënd e trimin tonë.
Shkëmb graniti e zemrën hekur Azem...! Re për të mos vdekur. I pa vdekshëm, i pa epur, Gjaku yt themel për shekuj. Për atdhe, demokracia Brez më brez FANAR I NDEZUR.
Dy herë të shtinë, ti prap u ngrite, Kjo tokë e përgjakur fuqinë ta përtërinte, Shqipja kukumjaçkës përmbi kokë i rrinte Arkivoli bosh si Bombë Atomike. Vrasësit tmerruar – tmerruar prej frike Se Azemi i gjallë, printe vetë në ballë Ky theror i rrallë, drit’e e rreze drite.
Shqipëri – shpalos flamurin, Mbulo Trimin, mbulo Burrin, Azemin që gjoksin vuri Në themel tek hidhet guri.
Zogu i bjeshkës ndali këngën, Zana e malit klithi NEMEN, Shqipja dysh e çau zemrën: Ç’janë ata që shkulën rrënjën? Ç’janë ata që vrasin nënën? Ç’janë ata që vranë djemtë, Vranë djemtë e bënë gjëmën?! Kush po e vret Shqipërinë? Janë ata që venë e vijnë, Beograd, Shkup e Athinë, Për çdo ditë një fytyrë Ku të ç’vatin e kë të fshijnë, Kush më shumë e kush më mirë Nëpër gjak me not kaluan, Nëpër Shqipërinë e ‘lirë’.
Shtator ‘98
Iljaz Morina
Tribunit të demokracisë
Kushtuar Azem Shpend Hajdarit (Bajram Curri 1962 – Tiranë 1998)
Shtator, data dymbëdhjetë E vitit 1998, Azem or patriot shqiptar E vrau dorë e kriminelit
Por Azem ti s’je vrarë Për jetë të jetëve je i gjallë, Je tribun i Demokracisë, Je Hero i Shqipërisë.
Prizren 13.09.1998
Entela Safeti
Heroi im
Arratisur engjëjt, Arratisur ishin njerëzit, Në ekzistencën instiktive, Kryeministri, ministrat, shteti...
I ndërronin avionët, Pas një traktati modern Ishte shitur Kosova, Sa një shekull vetmi nata...
Në trotuaret bosh, shiu mbi statujat e ngrira binte. Të kisha qenë atje, si profet, si shtrigë të të thoja: “Sonte mos dil prej kështjellës, heroi im!”
Krimi harbon rrugëve... Pas intrigës, vrasja kridhet... Por kishte ndaluar koha. Në gjumë m’u fantaks, krisma e armëve, ...dhe gjaku dënoi vjeshtën. Unë qava për ty heroi im...
Pas meje një popull veshur me të zeza Pas nesh vjeshta Ulërin dhimbja, Gishtat si flatra pëllumbash, Flatrojnë motit te keq
Gjaku më është bërë ujë prej së keqes Dhe loti gjak prej urrejtjes. M’u sos durimi, Në vend të zemrës një gur varri kam, Në vend të syve rrufe. Në vend të gjakut det. Të desha heroi im, siç dua tokën tonë, Siç doje ti Shqipërinë, Çamërinë
Të pres vëlla
Udhëtojnë heshturazi në trotutarë statujat Në memorjen e kohës. Ekranet ndizen e shuhen në të njejtin marsh Populli ekzistencial shumohet dhimbjes Nën nofullat e mashtrimit Krimi ripërtyp, njeriun Në ashtin tim, Plaga e tokës dhemb, Në gjakun tim rrjedh gjaku yt i derdhur, Përreth tingujt e harresës Zhubrosen hartën e Shqipërisë. Të pres vëlla! Ti po vjen Si Kostandini përtej vdekjes, Kalëruar historisë, fundshekullit. Si oshëtima e Bjeshkëve!
Bela Dika Studente
Baladë për heroin
Ti linde mes shkëmbinjsh Atje ku lind djali diell, e vajza hanë. Ti linde aty ku shkrep lot malësori E njerëzit dhe matanë kufirit asaj toke i thonë nanë.
Ti lind si agimi i bardhë Dhe dritën Shqipërisë ia fale Si perëndia e shenjtë tokës mbarë.
Nënë erën dhe rrebeshet euforike Mbijetove vështirësive, hero. S’të trembi kurrsesi jeta Dhe pse lëkur’ luani mbante veshur ajo.
Pishtar i demokracisë së brishtë, Helm për ithtarë u bëre, Dhe s’pate më një nënë Por mbarë nënat shqiptare.
Pas shpine të qëlluan antishqiptarët Por ti nuk vdiqe, o Azem, Nuk vdiqe, po u ktheve flamur, Himn për ty qenë thirrjet: “Ti je bota, je mes nesh, s’do vdesësh kurrë”!
Të qava si motër, o vëlla, E qyqe u bana nga i madhi idhnim Por motrat shqiptare dhimbjen e ndanë Përsëri më kthyen njeri.
Të qava si foshnjen që pret agimin Klitha si fëmi që porsa lind Më trishtoi zëri i një shpirti: S’të njoha kurrë babai im”.
Ti linde si dielli i mëngjesit Nga nevoja për të terur ca lot të ashpër nënash, I pavdekshëm u bëre që atë ditë Kur Shqipërisë ia fale shpirtin dhe mendjen.
''Dita'' - ForumiShqiptar.com
|
|
|
|