E kundërshtojnë këtë nen të Ligjit "Për të Drejtën e Autorit" pasi e konsiderojnë një shkelje të të drejtave të botimit. Dy shoqatat e botuesve shqiptarë, publicistë në prani të përfaqësuesve të Zyrës Shqiptare të Drejtës së Autorit, zyrë më të cilën botuesit po debatojnë, deklaruan dje se do të kërkojnë deri në fund rishikimin e akteve nënligjore të këtij ligji dhe të ligjit "Për Librin". Madje disa prej tyre si Piro Misha, Diana Çuli dhe Ndriçim Kulla e quajnë një nonsens krijimin e një Zyre për të drejtat e autorit nën kupolën e Ministrisë së Kulturës. Pse botuesit marrin shkas nga ky nen i Ligjit për ta diskutuar në tërësi ligjin? Sepse ka disa ditë që ata kanë marrë një shkresë nga ZDSHA-ja nëpërmjet të cilës u kërkohet të zbatojnë detyrimin që "çdo kontratë të lidhur midis jush dhe autorëve të veprave letrare, si dhe ato të lidhura më libraritë (!), ta paraqisni për çertefikim dhe regjistrim pranë zyrës sonë, përpara se ato të përcillen në publik".
Këtë "detyrim" ligjor botuesit e kanë quajtur "një shprehje e hapur e përpjekjeve për rivendosjen e censurës në botimet shqiptare dhe tendencave shtetërore për forcimin e kontrollit për atë që do të botohet në Shqipëri. Nga ana tjetër hapet rruga për krijimin e strukturave dhe administrative paralele me ato gjykuese dhe tatimore, të cilat në shumë raste bien ndesh edhe me vetë kuadrin ligjor të hartuar dhe miratuar deri më sot."
Piro Misha pohoi dje gjatë takimit se e gjitha kjo është një tendencë centralizuese dhe për këtë arsye licencimin e botuesve dhe të kontratave me një firmë të ministrit të Kulturës ai e quan një problem serioz. Sipas Mishës është po aq absurd certifikimi pranë ZDSH-së i kontratave që botuesit duhet të kenë me libraritë! "Kjo s'është parë e dëgjuar", thanë të pranishmit. Situata është e tillë që para se të shkohet në takimet e shtatorit për të disktuar amendimet e ligjeve "Për të Drejtën e autorit" dhe "Për Librin", botuesit kanë për t'iu drejtuar edhe instancave më të larta të shtetit shqiptar.
Përfaqësuesi i ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i siguroi botuesit se "asgjë s'do të kalojë në instancat më të larta pa marrë mendimin tuaj".
Po dje Nikolina Gjordeni, drejtoresha e Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit komentoi se këta botues nuk e njohin sa duhet ligjin në fjalë. "Në atë sallë në të cilën MUNGONIN AUTORËT, kategoria më e interesuar e njerëzve të prekur nga ligji "Për të Drejtën e Autorit", ka patur një konfondim të thellë midis "Ligjit për librin" dhe "Ligjit për të Drejtën e Autorit". Kjo "padije" ka sjellë dhe ngaterresat më të mëdha. Ne nuk jemi angjenci e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit", por Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit, institucion qendror shteror në varësi të Ministrit të Kultures i ngritur për të garantuar zbatimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e respektimit të të drejtës së autorit.
Këta botues kanë gjetur shpikjen që ZSHDA të shkrihet. Na duhet të kujtojmë që kjo strukturë nuk është një shpikje e jona, kjo strukturë vjen e sugjeruar nga disa eksperienca ndër më të mirat dhe më të efektshmet në rajonin tonë apo në vende të ndryshme të Evropës."
Drejtoresha Gjordeni u ka kujtuar botuesve se "duke mos paguar taksat nuk është kjo mënyra që funksionon shteti, të gjithë do donim që të mos tatoheshim në të ardhurat tona por shteti nuk është ky."
Mes të tjerash botuesit theksuan se në nenin 45 i Ligjit "Për të Drejtën e Autorit" nuk nuk përcaktohet dhe nuk detyrohet botuesi që të paraqesë kontratat në ZSHDA. Nëse autorët janë të interesuar që kopjen e tyre të kontratës ta paraqesin te kjo zyrë, kjo është punë e tyre. "Por ne nuk mund të vihemi në shërbimin tuaj dhe në emër "të së drejtës…" ju të cënoni të drejtat e të tjerëve, në këtë rast të botuesve privatë."