Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 12-10-2008, 11:49am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Arkiva » Informacione
 
Kur flasim për përkthimin
E shtune, 16-06-2007, 06:09pm (GMT)

 Intervistë me prof.dr. Eshref Ymerin

Në 15 vjetët e fundit industria e botimit ka njohur një rritje të madhe dhe kjo kryesisht falë përkthimeve. Ende nuk ka statistika për raportin ndërmjet botimit të veprave origjinale dhe botimit të veprave të prejardhura (nëse do t’i referoheshim për termin ligjit “Për të drejtën e autorit…”), por secili e sheh se në stendat e librarive ka shumë më tepër përkthime. Nisur nga sasia, atyre u takon “pjesa e luanit” në treg, por ç’mund të thoni nisur nga cilësia?

Ju keni plotësisht të drejtë. Përkthimet zënë pjesën dërrmuese të tregut të librit. Është e kuptueshme, që në ekonominë e tregut ku kemi hyrë, edhe libri do të bëhej pjesë e pandarë e tij. Kështu që edhe biznesi i botimeve do të orientohej nga ligji i fitimit. Kësisoj, shtëpitë botuese private që u hapën me shumicë gjatë këtyre 15-16 vjetëve, nuk mund të mos udhëhiqeshin pikërisht nga ligji në fjalë. Për shumë arsye që dihen, botuesit privatë e kishin të pamundur që ta zgjeronin sferën e veprimtarisë botuese vetëm me libra të autorëve shqiptarë. Prandaj ata, domosdo, do t’i drejtoheshin “për ndihmë” përkthimit të librave të huaj, në mënyrë të veçantë atyre artistikë. Por në këtë mes, etja për fitim, për pasurim sa më të shpejtë, bëri që disa botues të shpërfillin kërkesat e cilësisë së botimit. Këto kërkesa u shkelën jo vetëm në përkthim, por edhe në redaktim, në korrekturë letrare dhe në korrekturë teknike. Ju mund të dorëzoni te botuesi një përkthim, sipas jush, të arrirë. Por “autoriteti” i një libri të përkthyer mirë, rritet edhe më shumë, kur ky kalon (dhe duhet të kalojë detyrimisht) nëpër “sitën” e redaktorit, të korrektorit letrar dhe të korrektorit teknik, të cilët duhet të jenë specialistë të shkëlqyer të gjuhës shqipe.

Për t’jua ilustruar konkretisht cilësinë e dobët të jo pak librave të përkthyer, po mjaftohem vetëm me një shembull. Kam në shtëpi përkthimin nga frëngjishtja të romanit të Balzakut “Kushërira Betë”. Le të lexojmë këtë fjali: “..: disa gjeste kanë një rëndesë të padiskutueshme e pa takt, njësoj si një akt lindjeje” (f. 5-6). Ju lutem, zonjusha Velaj, a jeni në gjendje ta kuptoni përmbajtjen e kësaj fjalie? Diku më poshtë kemi një tjetër “xhevahir” përkthimi: “Pasi përshëndeti hijshëm kapitenin, Hortensa Hylo doli nga dera-dritare…” Përkthyesja mos ka dashur gjë të thotë dera e ballkonit? Se ndryshe si u dashka kuptuar shprehja dera-dritare?

Pra, që t’i kthehem pyetjes suaj, cilësia e jo pak përkthimeve lë shumë për të dëshiruar.

Pirateria e përkthimeve ka qenë dhe mbetet ende një problem i madh, sidomos në përkthimin letrar. Ka pasur edhe një debat që u hap nga botuesit këtu dhe që akuzonin se po bëhej pirateri në kurriz të tyre në Kosovë. Pastaj nga Kosova ka pasur reagime dhe është pohuar se po ndodh e kundërta: shumë përkthime të bëra një herë në Kosovë, janë rimarrë, kanë kaluar në një redaktim, shpesh vetëm gjuhësor dhe kanë dalë me autorësi tjetër përkthimi këtu. Cili është opinioni juaj?

Pirateria është një dukuri shumë e shëmtuar në biznesin e botimeve. Jam në dijeni se disa fjalorë dygjuhësh, të botuar këtu, janë “piratuar” në Kosovë dhe në Maqedoni. E kam fjalën për fjalorë të tillë të Shtëpisë Botuese “EDFA”. Madje botime të shtëpisë botuese në fjalë janë “piratuar” edhe këtu, në Tiranë, dhe pronari i saj tani ka ngritur padi penale kundër piratëve të kapur në flagrancë. Para disa vjetësh u zhvillua një proces gjyqësor për “piratimin” e përkthimit të romanit “Murtaja” të shkrimtarit Albert Kamy. Përkthimin e kishte bërë zoti Ardian Marashi që para viteve ’90 dhe e kishte lënë të depozituar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Pirati, pronar i një shtëpie botuese këtu në Tiranë, e kishte zbuluar se ku ndodhej përkthimi dhe me marifete të ndryshme, e kishte hedhur në dorë. Pas ca kohësh, e vuri në qarkullim si përkthimin e vet. Gjykata këtë pirat e ndëshkoi më një shumë bukur të majme.

Ka shumë mundësi që libra artistikë, të përkthyer dhe të botuar në Kosovë, të jenë botuar këtu si “të piratuar”. Dihet që Kosova, që në kohën e sistemit komunist, i kishte mundësitë për të botuar vepra shkrimtarësh të shquar botërorë, të cilët në Shqipëri vlerësosheshin si “heretikë”. Kështu, në Kosovë, veprat e një “heretiku” të tillë të madh, si Dostojevski, qenë përkthyer dhe botuar me kohë. Unë nuk kam ndonjë të dhënë konkrete për “piratime” të tilla, por ka shumë mundësi që ato që thuhen në Kosovë për piratë të këtushëm, të jenë të vërteta.

Mendoni se për gjendjen e dobët të përkthimeve ndikon edhe roli i shkollës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, ku diplomohen rëndomë njerëzit që merren me përkthime? Çfarë i jep shkolla një studenti që do të dalë nesër përkthyes dhe çfarë mbetet ende për të përmirësuar në programe e mësimdhënie?

Shkolla e lartë të gjithëve u jep një diplomë, sipas specialiteteve përkatëse. Por, ka plot raste që jo të gjithë të diplomuarit shquhen në jetë në specialitetin e tyre. Përcaktuese është dashuria që duhet të ushqesh për specialitetin tënd. Është e vërtetë që edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja jepet lënda e përkthimit, me elementet e teorisë dhe të praktikës së përkthimit, madje kjo e fundit zë një hapësirë të konsiderueshme në programin e kësaj lënde. Tani, në kuadrin e Marrëveshjes së Bolonjës, përkthimi është i programuar si degë më vete në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Megjithatë, të gjitha figurat e shquara të përkthimit në Shqipëri, duke filluar nga Fan Noli, nuk kishin kryer ndonjë fakultet për përkthim. Ata kishin studiuar me themel gjuhën e huaj dhe gjuhën shqipe, madje këtë të fundit ca më shumë. Pra, në fund të fundit, përkthyes nuk të bën shkolla. Përkthyes të bën pasioni, dashuria e fortë për këtë profesion të bekuar, të bën talenti që e ke dhuratë nga natyra. Sa e sa të rinj i mbarojnë studimet për mjekësi, por mjekë të shquar në jetë nuk bëhen të gjithë.

Për një lexues të zakonshën shqiptar është i qartë dallimi midis përkthimeve të bëra nga profesionistët dhe përkthimeve të bëra shpejt e shpejt, për qëllime fitimi dhe pa përgjegjësi, nga amatorë të guximshëm. Duke lënë mënjanë nxitjen e botuesve të papërgjegjshëm dhe zbatueshmërinë e ligjit, a është edhe një përgjegjësi morale marrja përsipër e përkthimit?

Para se t’i përgjigjem pyetjes suaj, dëshiroj t’ju citoj fjalët e njërit nga specialistët e shquar të teorisë dhe të praktikës së përkthimit, J.I.Recker (1897-1984). Ai thotë: “Përkthyesi ka për detyrë të përcjellë me mjetet e një gjuhe tjetër, në mënyrë tërësore dhe të përpiktë, përmbajtjen e origjinalit, duke respektuar veçoritë e tij stilistikore dhe shprehëse”. Mendoj se kjo është një detyrë e shenjtë, kryerja e së cilës kërkon talent, përkushtim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie. Ne kemi nje traditë të shkëlqyer përkthimi që e gjen shprehjen e vet në mendimin kritik shqiptar për përkthimin, mendim ky që zë fill shumë herët. Sfondi i kësaj tradite të pasur i lë zbuluar disa përkthyes “axhamij”, të cilët, të nxitur, siç e nënvizuat ju me shumë të drejtë, nga disa botues të papërgjegjshëm, marrin pësipër përkthime që kërkojnë “këllqe” të forta për t’u përballuar. Të përkthesh një libër, do të thotë të marrësh përsipër një përgjegjësi të lartë morale, sepse me të ke për të dalë para një mase të gjerë lexuesish, të cilët e ke për detyrë t’i respektosh. Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe për faktin se një libër artistik, që është pjesë e thesarit të kulturës së një kombi tjetër, ti, me përkthimin tënd, e shndërron në pjesë të thesarit të kulturës së kombit tënd. Me një përkthim të dobët, ti mund të ulësh dinjitetin tënd profesional dhe kjo është punë për ty. Por ti nuk ke asnjë të drejtë të mos respektosh shijen e lexuesve të tu, para të cilëve duhet të jesh shumë serioz dhe shumë i përgjegjshëm. Në punën time të gjatë si ish-pedagog i përkthimit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, për interesat e mësimdhënies, më është dashur të bëjë ballafaqimin me origjinalin të mjaft përkthimeve artistike nga gjuha ruse. Në këto ballafaqime kam gjetur modele përkthimi me të vërtetë të lakmueshme për cilindo nga përkthyesit e rinj, të cilët këtë lloj profesioni duhet ta konsiderojë edhe si krijim, edhe si shkencë, edhe si art.

Shpesh shtëpitë botuese hedhin në treg libra të përkthyer pa emër përkthyesi. Përveçse një shkelje flagrante e së drejtës së përkthyesit, kjo është edhe një shkelje e së drejtës së lexuesit. Cilat janë karakteristikat e një botimi korrekt.

Dukuri të tilla janë sa të turpshme, aq edhe të rënda. Para tre vjetësh, kur po vizitonim panairin e librit, bashkë me mikun tim të vjetër dhe përkthyesin e talentuar Edmond Tupja, në stendat e një shtëpie botuese gjetëm një libër të përkthyer, pa emrin e përkthyesit. Me sa më kujtohet, zoti Tupja botoi edhe një artikull për këtë dukuri të shëmtuar. E keqja nuk qëndron dhe aq vetëm tek kjo dukuri e shpifur. E keqja më shumë qëndron te heshtja e komunitetit të botuesve, sidomos tek ato shtëpi botuese që njihen për seriozitetin e tyre në marrëdhëniet me lexuesit, qëndron tek heshtja e mjeteve të informimit masiv. Stigmatizimi, demaskimi i hapur i atyre botuesve që i lejojnë vetes fyerje të tilla për lexuesin, me siguri që do t’i vinte fre kësaj dukurie të pakundshoqe. Por, përkundër kësaj dukurie, ka pasur diçka tjetër edhe më të rëndë, edhe më të dënueshme. Para pak vjetësh, me sa më kujtohet, zoti Ardian Klosi denoncoi me shumë të drejtë në shtyp një përkthim të një shtëpie botuese, e cila kishte vënë në ballinë të tij një emër përkthyesi të paqenë, paçkase libri ishte përkthyer nga dikush tjetër shumë e shumë vjet më parë. Prandaj është e domosdoshme që një libër i përkthyer duhet të ketë të shënuar jo vetëm emrin e përkthyesit, por, siç e përmenda më lart, edhe emrin e redaktorit, të korrektorit letrar dhe të korrektorit teknik.

Media, në tërë kuptimin e saj, mbizotërohet nga përkthimet, sepse ne jemi një shoqëri që nuk prodhojmë në gjuhën amtare, aq sa të kënaqim kërkesat e publikut. Filmat artistikë, dokumentarë, por edhe gjinitë e tjera, vijnë në gjuhën shqipe nëpërmjet përkthimit. Po ashtu, një pjesë e madhe e lajmeve, ato të huaja, emisione, madje edhe reklama, vijnë në shqip të përkthyera. Si e shihni ju zhvillimin e përkthimit në këtë fushë?

Ju po ngrini një shqëtësim me shumë vend. Është e vërtetë që kërkesat e publikut nuk i kënaqim dot tërësisht me prodhime në gjuhën amtare. Ju me siguri e keni vënë re që edhe teatrot tona nuk i përmbushin dot kërkesat e shikuesve me pjesë të autorëve tanë dhe janë të detyrura të vënë në skenë drama të autorëve të huaj. Para disa muajsh, në Teatrin Kombëtar u vu në skenë një dramë e një autoreje ruse. Përkthimin e saj e kishte bërë dikush. Kur regjisori dhe grupi i artistëve (që po përgatiteshin para se ta shfaqnin për shikuesit) vunë re se dialogu nuk ecte, se herë-herë disa shprehje të përkthyera tingëllonin si paradoksale, ata kërkuan që drama të ripërkthehej nga një specialist i përkthimit. Dhe kështu u bë. Pas përkthimit të dytë, puna e regjisorit dhe e aktorëve eci për mrekulli dhe drama u shfaq me sukses disa herë me radhë.

Në sa e sa raste vërehen të meta të theksuara në përkthimin e filmave artistikë dhe dokumentarë. Shpesh herë gjuha shqipe në këto lloj përkthimesh tingëllon e stisur, vuan sintaksa e fjalisë, struktura e kësaj të fundit është një kopje e strukturës së gjuhës së huaj, çka dëshmon se përkthyesit jo vetëm që nuk kanë shumë haber nga rregullat e gjuhës shqipe, por ata i kanë të mangëta dijet e tyre edhe në lëmin e gjuhës së huaj. Dihet që gjuha shqipe ka një sistem lakimi tepër të kristalizuar dhe në përkthim ai duhet respektuar detyrimisht. Por ca përkthyes lajmesh apo kronikash televizive të huaja, nuk e respektojnë sistemin e lakimit të gjuhës shqipe. Sipas tyre, për emrat e huaj nuk u dashkan përdorur rasat e zhdrejta të gjuhës shqipe. Ky lloj përkthimi, siç u përmend më lart, ka të meta, prandaj është detyrë e përgjegjësve të informacionit të radiove dhe të kanaleve televizive t’i rrisin kërkesat ndaj përkthyesve të lajmeve dhe të kronikave të huaja televizive, duke respektuar rregullat mjaft të përcaktuara të gjuhës shqipe.

Në një vështrim historik, përkthimi ka një bazë të mirë në Shqipëri. Breza përkthyesish të shkëlqyer kanë sjellë në gjuhën amtare kryeveprat e letërsisë botërore. Çfarë mendoni për vazhdimin e kësaj tradite?

Jam plotësisht në një mendje me ju. Përkthimi në vendin tonë ka një bazë të mirë apo një traditë të pasur. Këtë traditë e kanë krijuar mjeshtra të shquar të përkthimit, të cilët, që në shek.XIX dhe sidomos në shek.XX, prunë në gjuhën shqipe shumë nga thesaret e kulturës botërore. Mbi bazën e kësaj tradite, erdhi e u kristalizua edhe mendimi shkencor shqiptar për përkthimin, i cili zë fill me Kristoforidhin, vazhdon paskëtaj me Mitrush Kutelin, prof. Aleksandër Xhuvanin etj. Por na vjen keq që disa nga mjeshtrat e mëdhenj të përkthimit, të cilët, me veprimtarinë e tyre përkthimore krijuan shkollën e përkthimit në vendin tonë, nuk na kanë lënë libra kushtuar këtij profesioni “çmendurak”, siç e quante z. Robert Shvarc, ku të pasqyrohej përvoja e tyre krijuese në lëmin e përkthimtarisë. Sot për sot, kemi nëpër duar vetëm një libër të zotit Ardian Marashi, me titull “Përkthimi para gjyqit” (Shkodër 1996) dhe dy libra të profesorit të përkthimit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, z. Edmond Tupja, me titujt “Këshilla një përkthyesi të ri” (Onufri 2000) dhe “Pro translatore” (OMBRA GVG 2003).

Mendoj se jo pak përkthyes janë duke e vazhduar traditën e shkëlqyer që krijuan klasikët e shkollës shqipe të përkthimit, si zoti Shpëtim Çuçka, zonja Mira Meksi, zotërinjtë Edmond Tupja, Ardian Klosi, Agron Tufa e shumë të tjerë. Le të shpresojmë që gjithë këta përkthyes të talentuar, nuk do të harrojnë që, në një periudhe jo fort të largët, të vënë në duart e lexuesve libra për përkthimin.

Përkthyesit më të mirë janë njohës shumë të mirë të gjuhës amtare dhe në përgjithësi dëshirojnë që të bëjnë përkthim vetëm në drejtimin gjuhë e huaj-gjuhë amtare e jo anasjelltas. Cili është mendimi juaj?

Edhe në praktikën botërore, kur flitet për përkthimin, nënkuptohet përkthimi nga gjuha e huaj në gjuhën amtare. Por në disa raste është vënë re edhe praktika e përkthimeve nga gjuha amtare në gjuhë të huaj. Ky lloj përkthimi është një ndërmarrje shumë e vështirë. Ai kërkon nga përkthyesi që jo vetëm ta njohë me themel gjuhën e huaj, por edhe të ketë një formim psikologjik e botëkuptimor bash si të popullit që e mbart atë gjuhë. Për një përkthim të tillë, lipsen dije të thella nga fusha e dokeve, e zakoneve, e folklorit, e historisë, e miteve dhe e gojëdhënave të atij populli. Me një fjalë, forca jote “reaguese” në gjuhë të huaj, “reflekset” gjuhësore nuk duhet të kenë asnjë dallim nga ato që manifeston vetë populli që atë gjuhë të huaj e ka gjuhë amtare. Përkthime të tilla ka pasur në Rusi në kohën e sistemit komunist. Të tilla ka pasur dhe ka edhe te ne. Njihen përkthimet e veprave të Kadaresë në frengjishte që ka bërë zoti Jusuf Vrioni, i cili, duke e zotëruar deri në përsosmëri gjuhën franceze, e kishte shumë më të lehtë të përkthente nga gjuha amtare në këtë gjuhë, sesa anasjelltas. Traditën e zotit Vrioni po e vazhdon zoti Edmond Tupja me përkthime veprash artistike të autorëve të tjerë shqiptarë në frengjishte. Ju, zonjusha Velaj, besoj se e keni fjalën vetëm për përkthimin e letërsisë artistike nga gjuha amtare në gjuhë të huaj. Se për sa i përket përkthimit të letërsisë social-politike, një herë e një kohë, kjo përkthehej tërësisht nga përkthyesit tanë nga gjuha amtare në gjuhë të huaj. Për këtë qëllim, dikur, në sistemin komunist, në ish-Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, funksiononte një redaksi e tërë, prej 42 përkthyesish, e cila “veprat” e Enver Hoxhës i përkthente në shtatë gjuhë të huaja. Po kështu, edhe në Radio-Tirana punonte një grup i tërë përkthyesish, i cili, për qëllimet e propagandës komuniste, lajmet i përkthente në shumë gjuhë të huaja për radion e jashtme. Mendoj se suksesi i këtij lloj përkthimi varet domosdoshmërisht nga përgatitja e lartë e profesionale e përkthyesit. Personalisht parapëlqej përkthimin nga gjuha e huaj në gjuhën amtare.

Në fushën e përkthimeve të letërsisë artistike, poezia është ajo që humb më shumë dhe që ka më pak shanse të jetë afër origjinalit, nëse e krahasojmë me prozën. Mendoni se poetët janë përkthyesit më të mirë të poezisë, apo jo?

Poezia, si art i fjalës së shkruar, që ka ligjësitë e veta të shprehjes së mendimit të autorit, dallohet për fjalët e kursyera dhe origjinalitetin e strukturës së vargut. Prandaj edhe poetët dallohen për gjuhën e tyre të veçantë. Kësisoj, edhe gjuha e përkthimit të poezisë (gjuha e përkthimit poetik) ka veçoritë e veta specifike, në krahasim me përkthimin e prozës. Sigurisht që përkthimi i poezisë është shumë i vështirë dhe unë bie në një mendje me ju kur thoni se poezia është ajo që humb më shumë. Ama duhet të pranojmë se edhe “firot” ose “mosfirot” në përkthimin e poezisë, varen shumë nga niveli i përkthyesit. Kështu, dihet se poezitë e Shekspirit, të Gëtes, të Hajnes, të Beranzhesë përktheheshin në mënyra të ndryshme nga përkthyesit romantikë të shek XIX. Pisarjevi (1840-1868), publicist, kritik letrar dhe filozof i njohur rus, jepte këtë vlerësim për disa përkthime të poezive të Hajnes në gjuhën ruse:“Është interesante të vëresh sot se si zotërinjtë përkthyes e kanë kuptuar Hajnen. Këtë poet duhet ta njohësh para se ta përkthesh. Në të kundërt, ideja do të venitet atje ku Hajne shpreh pikëpamjet e veta për botën që na rrethon, përkthyesi na ofron diçka të tijën që s’ka kurrfarë përmbajtjeje. Publiku ynë nuk e njeh gjuhën gjermane, nuk e njeh Hajnen absolutisht dhe për këtë e kanë fajin përkthyesit”.

Në praktikën e përkthimit poetik janë vënë re edhe shfaqje të formalizmit, i cili nuk duhet ngatërruar me përkthimin fjalë për fjalë. Forma më elementare e tij ishte shtrembërimi i origjinalit në të mirë të rimës. Në Francë disa përkthyes kaq shumë e patën keqpërdorur rimën, kaq shumë i patën shëmtuar figurat artistike të origjinalit për hir të rimës, saqë herë-herë qe arritur në skajin tjetër: çdo përkthim i rimuar i poezisë vlerësohej paraprakisht si i panevojshmëm. Kështu, përralla në vargje e Pushkinit “Përralla për një peshkatar dhe për një peshk”, të cilën autori e ka shkruar në vargje të lira, është përkthyer disa herë në gjuhën frënge. Njëri nga përkthyesit e saj, Delavi, detyrën e vet e kupton në një mënyrë tepër origjinale: ai e shkëput formën nga përmbajtja dhe këtë të fundit e ritregon në vargje të rimuara. Kësisoj, ai nuk thellohet në përmbajtjen e përrallës. Për të ka shumë rëndësi që lexuesit t’i ofrojë një fabul me ndihmën e vargjeve të rimuara që të kënaqin veshin në gjuhën frënge, pavarësisht se intimiteti në veprën e Pushkinit pëson një firo të madhe. Një përkthyes tjetër i po kësaj vepre, Rene Gili, heq dorë jo vetëm nga rima, por edhe nga forma silabike e vargut francez. Ai e përkthen përrallën në fjalë në prozë poetike, duke ruajtur harmoninë e përmbajtjes dhe të formës. Gjithsesi, këtë përkthim s’mund ta quash formalist. Në përkthimin e veprës së Gëtes “Fausti”, përkthyesi Skëndër Luarasi, në pjesën dërrmuese, nuk i ka respektuar kriteret metrike të autorit, ndërsa në përkthimin e zotit Shpëtim Çuçka të po kësaj vepre, që së shpejti do të vihet në qarkullim, këto kritere janë respektuar me shumë kujdes.

Mendoj se poetët duhet të jenë, normalisht, përkthyesit më të mirë të poezisë. Edhe këtu ka përkthyes e përkthyes. Mes atyre që kanë ditur ta respektojnë origjinalin, duke na dhënë një varg bukur të skalitur në gjuhën shqipe, nuk mund të rri pa përmendur të ndjerin Jorgo Bllaci. Megjithatë, praktika ka treguar se edhe jopoetët nuk mbeten prapa në përkthimin e goditur të poezisë.

Shpesh autorë të ndryshëm, me stile krejtësisht të dallueshme, vijnë në gjuhën shqipe si të njëjtë. Sa i madh është mëkati i përkthyesve në këtë rast?

Sigurisht që përkthyesit janë mëkatarë në rastin që ju po përmendni. Rrafshimi i stileve të autorëve të ndryshëm bëhet për shkak të “vobektësisë” së formimit të disa përkthyesve të rinj që synojnë të bëhen të njohur, pa kaluar mirë nëpër “kudhrën” e përkthimit.

Cili duhet të jetë roli i komunitetit të përkthyesve në ruajtjen e standarteve të përkthimeve dhe në moslejimin e piraterisë e të shkeljeve të tjera në këtë fushë? A kanë përkthyesit një shoqatë ose një grupim dhe sa i domosdoshëm është një grupim profesional i tyre?

Është një pyetje që të fut në mendime. Me sa jam në dijeni, ekziston një shoqatë përkthyesish-interpretë. Nuk di nëse ekziston një shoqatë e tillë e përkthyesve të letërsisë artistike. Do të ishte një gjë shumë e mirë sikur të ekzistonte. Sikur të ekzistonte me të vërtetë një shoqatë e tillë dhe të funksiononte me efektivitet, jam i bindur që ajo nuk do t’i linte të kalonin kaq lehtë të metat jo të pakta që vihen re në përkthimin e letërsisë artistike nga disa përkthyes të rinj, të papërvojë ose të papërgjegjshëm që, për interesa fitimi, bashkëpunojnë po me botues të papërgjegjshëm. Kritika publike në adresë jo vetëm të përkthyesve, por edhe të botuesve të tillë, me siguri që do t’ia priste rrugën botimit të disa përkthimeve të dobëta që nuk e nderojnë tregun e librit shqiptar.

Për përkthimin ka një çmim vjetor kombëtar që jepet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ambasadat e huaja nderojnë herë pas here përkthyesit tanë për ndihmesën që këta japin në përhapjen e kulturës së vendeve e popujve të tyre. Çfarë mendoni se duhet të bëjë shteti ynë për sa u përket politikave në këtë fushë?

Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dëshiroj të citoj fjalët e përkthyeses së mirënjohur, zonjës Mira Meksi, e cila, këtu e dhjetë vjet të shkuara, në faqet e revistës “Mehr Licht” (nr. 3 1997, f. 7), shkruante: “…Shumë përgojohet përkthimi letrar, zanati më i vështirë dhe më heroik, zanati më vetmitar, më i keqshpërblyer, zanati më anonim, më mosmirënjohës dhe më i domosdoshëm”.

Fjalë të arta këto për përkthimin, por të dhimbshme. Para do kohësh, qëveria mori një vendim për shpërblimin e të punësuarve nëpër firmat private, rrogën e të cilëve punësuesit duhet t’ua dorëzojnë të punësuarve nëpërmjet bankës. Ky ishte një vendim me të vërtetë për t’u përshëndetur. Me këtë vendim, qeveria Berisha tregoi një interesim të drejtpërdrejtë për pensionin e pleqërisë së këtyre të punësuarve, të cilët punësuesit deri tani i kanë vlerësuar si krahë pune “në të zezë”. Mirë do të ishte që këtë vendim qeveria ta shtrinte edhe mbi botuesit që punësojnë përkthyes që i paguajnë sipas dëshirës së vet. Pikërisht tekat e botuesve në shpërblimin e përkthyesve, kanë bërë që sot të kemi botues milionerë dhe përkthyes të varfër, të kemi botues që bëjnë madje edhe sponsorizime për aktivitete të ndryshme private, sponsorizime këto që sigurohen me djersën e pashpërblyer të përkthyesve. Sikur të ekzistonte dhe të ishte e konsoliduar ajo shoqata e përkthyesve që ju përmendët më lartë, me siguri që edhe botuesit do ta vlerësonin si duhet djersën e përkthyesve, në mënyrë që të bënin më pak sponsorizime dhe të jepnin më shumë shpërblime për përkthyesit. Mendoj se shteti, përmes ministrisë përkatëse, duhet të ndalet seriozisht në marrëdhëniet e botuesve me përkthyesit, në mënyrë që këta të fundit, që shërbejnë si ura të përhershme midis qytetërimeve dhe kombeve, të vlerësohen materialisht në mënyrë dinjitoze për punën që bëjnë.

Olimbi Velaj - Metropol


 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]