U bë rreth një muaj që Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit ka lëshuar një qarkore në adresë të pjesës më të mirë të botuesve shqiptarë.
Gjithashtu po këto ditë ne jemi njohur me një Projektvendim (Procedurat dhe kriteret e licencimit për ushtrimin e veprimtarisë botuese) që ka përgatitur Ministria e Turizmit dhe e Kulturës. Nuk janë pak për të krijuar një shqetësim të madh, sepse në to ne shohim kërcënimin e lirisë në punën tonë, shohim diktatin dhe kontrollin shtetëror që administrata shtetërore kërkon të vendosë mbi veprimtarinë botuese.
Ç'është dhe ç'përfaqëson tani ZSHDA?
Kjo Zyrë është ngritur në bazë të Ligjit 9380, datë 28.04.2005 "Për të drejtën e Autorit ..." dhe Vendimit të KM nr. 232 të datës 19.04.2006. Deri atë ditë kur u nis kjo qarkore kërcënuese pakkush dinte për ekzistencën, dhe aq më pak për veprimtarinë e rolin e saj. Sëbashku me Qarkoren, që synon të verë nën thundër Shtëpitë Botuese me një sërë detyrimesh e kërkesash absurde, në shumicën e tyre të bazuara në mosnjohjen dhe keqinterpretimin e Ligjeve, nisën edhe reagimet e kundëreagimet e palëve: Botuesve dhe ZSHDA. Pse nisën këto reagime dhe këto keqkuptime të cilat tani për tani shfaqen radikale nga të dyja palët?
Së pari, këto burojnë nga mënyra aspak qytetare dhe jo korrekte me të cilën kjo Zyrë kërkon të krijojë raporte pune dhe bashkëpunimi me Botuesit. E dyta, nga disa paqartësi, madje edhe pasaktësi që vërehen në Ligjin për të Drejtën e Autorit... (nenet 38-46) dhe në Ligjin për Librin (sidomos nenet 19-22). Citoj vetëm këta dy nene sepse ky ligj për fat të keq ka shumë mangësi dhe keqinterpretime, të cilat detyrimisht duhen amenduar në një kohë sa më të shpejtë të jetë e mundur.
Pse them joqytetare dhe jokorrekte? Sepse do të ishte mjaft mirë që kjo Zyrë kur të prezantonte veprimtarinë e saj (marrim vesh që është bëtë një prezantim i tillë) duhej patjetër të kërkonte praninë e komunitetit të botuesve, i cili është ndër më të organizuarit dhe më profesionalët jo vetëm në sferën e kulturës, por edhe të gjithë bizneseve në përgjithësi. Dëshmi për këtë është jo vetëm fakti që Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka 15 vjet ekzistencë aktive (jemi themeluar më 28 maj 1992), por edhe puna e vazhdueshme që ne bëjmë për mbrojtjen e interesave të anëtarëve të saj, për kualifikimin e tyre, dhe për mbrojtjen e librit e të lexuesit nga dukuri të ndryshme jopozitive, që publiku i interesuar i njeh mirë. Por Zyra e re me sa duket, nuk dëshiron t'i njohë, megjithëse Drejtorja e saj, nuk vjen nga Hiçi, por vjen nga Drejtore Juridike në Ministrisë së Kulturës. Pra ne duhet të ishim pjesë e kësaj paraqitjeje dhe me siguri do t'i jepnim njohuritë tona (jo të pakta) dhe format e një bashkëpunimi të mundshëm.
Çuditërisht Botuesve shqiptarë u erdhi një letër ultimative me shumë kërkesa absurde dhe agresive, që përfundonin me kërcënimin për gjobë! Kjo quhej kërkesë për bashkëpunim.
Lista e dokumenteve që kërkon Zyra, është e pafund, aty përfshihen jo vetëm kontratat tona me Autorët (të cilat dihet nga e gjithë praktika botërore që janë konfidenciale), por edhe faturat e pagesave të autorëve dhe librarive!? Pra kjo Zyrë po kapërcen edhe detyrat e organeve tatimore.
Mjaft nga problemet burojnë nga VKM e datës 19.04.2006 që jep mundësi interpretimi të diskutueshme, shpesh në mënyrë të paqartë, mbi të drejtat dhe detyrat e kësaj Zyre. Komuniteti ynë në përballje të këtij agresioni administrativ organizoi një mbledhje të gjerë para disa ditësh, ku ftuam shumë palë të interesuara, botues, autorë, përkthyes, juristë, midis të cilëve natyrisht Drejtorin e Librit në Ministrinë e Turizmit e të Kulturës dhe drejtoren e ZSHDA Nikoleta Gjordeni. Megjithëse problemi që ne diskutonim ishte shumë i rëndësishëm dhe urgjent, asnjë prej këtyre dy të fundit nuk gjeti kohë të vinte!? Si mund të quhet kjo: indiferencë, shpërfillje, agresivitet shtetëror apo mungesë kuraje dhe aftësi profesionale për t'u përballur me problemin?! Pa dashur ta teproj mund të them me siguri që një ndër përgjegjësit kryesorë për të metat që kanë Ligjet e të Drejtës së Autorit dhe ai i Librit, është znj. Gjordeni, e cila duke e ditur se çfarë ka gatuar nuk ka kurajën të përballet me Botuesit, por dërgon dy inspektorë, njohuritë minimale të të cilëve shkonin deri aty sa na çuditën duke na thënë se Kontratat e Botimit për autorët e huaj kalonin nga UNESCO!
Por le të kthehemi te zyra. Nisur nga titullimi: Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit, nënkuptohet është krijuar për të mbrojtur Autorin, por atë Autor që kërkon mbrojtje, atë që ka nevojë. Pra edhe kjo Zyrë nuk mund ta detyrojë individin (Autorin) dhe aq më pak subjektin juridik të kërkojë ndihmë apo përkrahje. Kjo është jashtë çdo logjike juridike dhe administrative. Prandaj ne jemi kundër kësaj mënyre pune dhe refuzojmë bashkëpunimin detyrues me këtë Zyrë. Për këtë gjë për fat, me gjithë mungesat që kanë edhe dy ligjet e cituar, nuk na detyrojnë. Në Ligjin e Librit vërtet shkruhet për depozitim të kontratave duke iu referuar Ligjit për të drejtën e Autorit, por në asnjë prej tyre nuk citohet kjo si detyrë e Botuesit. Pra nënkuptohet që kjo është fakultative për autorin apo çdo përdorues tjetër. Dhe kështu duhet të jetë. Pra ai që e quan të nevojshme, ose nuk ka mundësi të mbrojë veten në Gjykatë, paraqitet në ZSHDA me dokumentacionin që ata i kërkojnë dhe për këtë natyrisht edhe duhet të paguajë, siç paguhet për çdo shërbim dhe siç i paguajmë ne avokatët për problemet që mund të kemi.
Raporti më normal kudo funksionon kështu: Autori është i lirë ta depozitojë apo jo Kontratën në ZSHDA dhe të depozitojë kërkesën e tij për mbrojtje nga kjo zyrë. Në këtë rast Zyra mund të lëvizë dhe t'i kërkojë Përdoruesit të veprës respektimin e Kontratës më Autorin apo Pronarin e të Drejtave të veprës. Po kështu është Autori ai që ka të drejtë të kërkojë certifikimin e veprës së tij pranë Përdoruesit dhe Zyra ka detyrimin të kërkojë zbatimin e kërkesës së Autorit.
Si funksionon kjo praktikë jashtë nesh, në Europë e përtej?
Nga lidhjet e shumta të bashkëpunimit me shumë shtëpi botuese prej shumë e shumë vitesh, kemi po të njëjtin qëndrim dhe praktikë: marrëdhëniet me këto Zyra janë minimale dhe janë Autorët ata që shumë rrallë kërkojnë mbështetjen e tyre. Në pjesën dërrmuese të rasteve Autorët ua japin të drejtat botuesve të tyre ose Agjencive Letrare të specializuara (këto janë agjenci që blejnë dhe shesin të drejta, nuk janë për mbrojtjen e të drejtave në përgjithësi) dhe ua besojnë mbrojtjen po atyre. Kjo është praktika zotëruese që ndiqet kudo dhe këtë ne e shikojmë në të gjitha kontratat që nënshkruajmë me homologët tanë kudo në botë. Edhe Institucione të specializuara, po themi si Zyra jonë e re, ndërtojnë marrëdhënie me klientët e tyre duke u ofruar atyre asistencë. Po citoj fillimisht SIAE (Shoqëria Italiane e Botuesve dhe Autorëve) e cila punon për mbrojtjen e të drejtave të Botuesve dhe Autorëve Italianë. Funksioni institucional i SIAE është aktiviteti ndërmjetës. Aderimi në SIAE nuk është i detyrueshëm. Regjistrimi në të është i lirë dhe vullnetar. Autori mund të vendosë t'i kujdesë në mënyrë direkte raportet me përdoruesit për të drejtat e tij, ose të kërkojë ndërmjetësinë e një organizmi të specializuar (siç është SIAE). Pra Autori autorizon një zyrë në të njëjtën mënyrë siç do mund të ngarkonte avokatin e tij. Nga përvoja jonë shumëvjeçare (janë me qindra) kemi vetëm një rast kur të Drejtat i kemi marrë nga një organizatë e tillë (në Japoni). Të gjitha rastet e tjera janë me Seksionet apo Departamentet e të Drejtave (Foreign Rights Departments) pranë shtëpive botuese përkatëse, me Agjenci Letrare dhe fare-fare pak raste direkt me Autorë.
Shumë vite më parë, në fillimshekullin e 20-të e deri në mesin e viteve 50-të, edhe prej mosnjohjes, roli i këtyre Shoqërive apo Zyrave ka qenë gati dominues. Por me zhvillimin e vrullshëm të industrisë botuese, të rritjes së marrëdhënieve autorë-botues dhe botues-botues e nga gjuha në gjuhë, Panairet Ndërkombëtare të Librit, ku kontaktet ishin shumë dinamike, roli i këtyre Shoqërive u minimizua. Konkretisht në dhjetëvjeçarët e fundit, në kushtet e sotme, kontaktet në botën e botimeve janë tepër të gjalla dhe veprimtaritë e këtyre Shoqërive apo zyrave janë rrudhur shumë. Tashmë Botuesit janë shumë profesionalë dhe tepër dinamikë, lidhjet, vendimet e kontratat janë tepër të shpejta, të gjithë janë të interesuar për sa më pak shpenzime që i bëjnë vetë Botuesit, por edhe për arsye të privacy-së profesionale.
Në këto Kontrata janë të shënuara të gjitha pikat e marrëveshjes: adresat e të dy palëve, objekti, kohëzgjatja, territori, gjuha, mënyrat e pagesës, emri i bankës, etj. etj. Dhe gjithmonë në fund një hollësi shumë e rëndësishme për një profesionist: Kjo kontratë është subjekt i ligjeve dhe procedurave të Anglisë dhe të Gjykatës së Lartë të Londrës; ose në raste të tjera të Gjykatës së Milanos, Amsterdamit e kështu me radhë. Pra këto kontrata (që janë tip) nuk lënë asnjë shteg veprimi apo ndërhyrjeje nga palë të tjera veçse Pronarit të të Drejtave që është Shtëpia Botuese X dhe Përdoruesit të këtyre të drejtave që është Shtëpia Botuese Y. Pra në këto marrëdhënie dypalëshe nuk mund të hyjë as Gjykata dhe Ligji shqiptar dhe jo më një Zyrë administrative. Nga kjo buron edhe rrjedhimi logjik që ZSHDA mund dhe duhet ta shtrijë veprimtarinë e saj vetëm me autorët dhe përdoruesit shqiptarë, të cilët do duan të kenë të bëjnë me të, që duan të bashkëpunojnë me të.
Në fund të këtij shtjellimi ndofta lexuesi do të pyesë: përse Zyra e re nuk vepron siç veprohet kudo në Perëndim? Përgjigja është fare e thjeshtë: sepse nuk u mor modeli perëndimor. Grupi i punës mori për bazë modelin rumun, ndofta duke e quajtur atë më të mirin për "t'ua mbledhur" botuesve shqiptarë. Por, durim, nuk është hera e parë që tek ne zgjidhet modeli më i keq!
Licensimi, Regjistri i Botuesve, etj
Tek lexoj Projektvendimin e Minstrisë së Kulturës (por që shpresoj shumë të mos bëhet vendim në këtë gjendje) më vjen në mend shprehja: vetë e kërkuat! Dhe kështu është. Shumë nga nenet e Ligjit për Librin dhe rregullat që burojnë prej tij, i kemi kërkuar ne, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, për vite me radhë e sidomos kur po përfundonte Ligji në pranverën e 2005-ës. Kishim një përvojë të gjatë pune, kishim konsultuar disa përvoja të ngjashme të vendeve europiane, kishim pajtuar një Studio Ligjore nga më seriozet në Tiranë, dhe me këtë seriozitet u ballafaquam me Ministrinë e Kulturës. Aty gjetëm gatishmërinë e z. Blendi Klosi dhe grupit të punës. Por shumë prej sugjerimeve tona mjaft profesionale, disa muaj më pas, u tjetërsuan dhe u shtrembëruan. Nuk dua të hyj në detaje, por sa për ilustrim them që Regjistrin e Botuesve dhe Licensimin profesional të Botuesve i kemi propozuar me këmbëngulje ne. Por jo kështu siç përfunduan në Ligjin e miratuar me nxitim dhe neglizhencën maksimale në radhë të parë të Komisionit Parlamentar të Kulturës. Regjistri i Botuesve si model që ekziston edhe në profesione të tjerë (mjek, avokat etj) u propozua nga ne për t'i dhënë një natyrë më profesionale dhe të respektuar punës tonë. Po kështu ishim ne që kemi vite që kërkojmë licencimin e veprimtarisë botuese me kritere profesionale që i caktojnë Shoqatat e Botuesve, dhe jo kritere detyruese dhe të përkohshme, aq sa Botues që punojnë prej 15 vitesh në këtë lëmi, të plotësojnë kartelat e Ministrisë së Kulturës, të japin listat e botimeve që ata kanë ndërmend, të bëjnë disa pagesa dhe të marrin një karton provizor 3 vjeçar! Atëherë ata do kenë të drejtën të futen në Regjistrin e Botuesve! Ne kemi kërkuar të bëhet palë Ministria në këtë proces ashtu siç bëhet edhe me Dhomën e Avokatëve, edhe me Urdhërin e Mjekut, ku shteti ka detyrime ndaj tyre, por jo të drejta, jo diktate. Për t'i rritur vlerën punës sonë mjaft të nderuar (që na rezulton se pak e dinë) licencën profesionale kemi kërkuar ta marrim me nënshkrimin e ministrit, siç e ka Dituria, Fan Noli e pak të tjerë, nga Preç Zogaj, i pari që pati vullnetin të vendosë mbi lirinë e botimit. Forma që ne kemi propozuar është që këto do bëhen për botuesit e rinj, për të tjerët, siç thuhet e dhe në Ligj vetëm sa regjistrohen në regjistër brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e Ligjit. Po ku ta gjejmë Regjistrin që të regjistrohemi për ta nderuar atë dhe ai ne?! Jo më pak absurde janë organikat e detyrueshme të një shtëpie botuese që na kërkon projektvendimi: këshill botues (jo më pak se 3 vetë); kryeredaktor, redaktorë, korrektorë, faqosës etj. Nuk po zgjatem më shumë me analizën e këtij projekti, sepse siç e thashë në krye, shpresoj, madje jam i sigurt që do të përmirësohet e të bëhet siç duhet. Por kjo, ashtu sikurse edhe problemet e tjera që shtjellova më sipër, kërkojnë profesionalizëm dhe mirëkuptim. Besojmë se këtë do ta gjejmë kësaj here në Minstrinë e Kulturës.
I gjori Neshat!
Kjo të vjen menjëherë në gojë tek sheh urrejtjen e tij patologjike ndaj botuesve, por edhe përpjekjet për t'u ribërë personazh me zor, tek e sheh që u lëpihet kryeministrave dhe politikanëve që paskan bërë shumë për librin, paskan krijuar edhe botuesit! Madje për të qenë "i ditës" kritikon (por me pambuk, sepse mendon edhe për nesër) ish-ministrin Klosi i cili i ka hyrë në sinoret e tij. I shkreti Nesho, nuk kafshon dot më, vetëm leh, edhe mund të të gërvishtë pak, por të gjithë e dinë dhe... i rrinë larg! Por çfarë do Neshati që na jep mendtë që nuk ia do njeri, pasi ka përzjerë edhe ai çorbën që sot na serviret në tavolinë nga ZSHDA? Ai do përsëri të fitojë përsëri duke qenë konsulenti i të dy krahëve edhe i ZSHDA-së edhe i atyre Botuesve që do ta shohin atë si të vetmen zgjidhje. Sepse me sa duket ëndrra e tij për ta drejtuar Zyrën dështoi. Ja si pohon ai "botuesit dhe jo vetëm botuesit, duhet të thonë "Zot, shyqyr!" që nuk jam unë në krye të ZSHDA-së." Vërtet ç'qamet do të ishte kur Neshati të vishte përsëri uniformën. Jo vetëm ai i uzos e i gogozhares (lexo shkrimin e tij të turpshëm në një të përditshme) por të gjithë do trembeshin! Vetëm ai nuk e kupton sa keq është katandisur! Akoma disa kujtojnë kohën kur nëpërmjet poshtërsive ndikonin në fatet e të tjerëve, akoma kujtojnë ato kohëra kur mund të hyhej në shtëpitë e të tjerëve natën e ditën për të trembur e për të parë se ç'bëhej. Dhe pastaj për t'u kapardisur me barcaletat dhe me detajet e poshtëra që i dinin vetëm pak njerëz si ai. (Psh: kur arrestuam filanin {ndonjë ish-shef i madh} i shpëtoi shurra! Dhe auditori qesh."Ç'kohëra" kanë qenë ato! Ndiheshe si zot, pale bëje edhe romane! Edhe ndonjë gogozhare nëpër to). Remineshencë e kësaj kohe duhet të jetë këshilla që na paska dhënë (vetëm tani e kuptova ku e kishte gjetur atë formulim djallëzor një përkthyes që më paraqiti një kontratë alla polici) ku midis të tjerash thuhej: "përkthyesi ka të drejtë të kontrollojë pa lajmërim, ditën dhe natën në magazinat e shtëpisë botuese apo të shtypshkronjës ku është shtypur libri gjendjen e tirazhit!" Vetëm mendja diabolike e një polici të sëmurë mund të sajojë një kontratë të tillë (me: Ditën dhe natën!?) që nuk e kemi parë gjëkund. Kuptohet që atë model, të denjë për të dy palët, e hodha ku e meritonte, bashkë me përkthimin në fjalë. Ja pra cila dorë kërkon që me urrejtjen e shfaqur hapur ndaj botuesve (në subkoshiencën e tij duhet të ketë shumë arsye që i di vetëm ai) të shfrytëzojë disa mangësi dhe keqinterpretime ku me siguri është edhe dora e tij. Zotëria e tij për t'u bërë tërheqës për sojin e atyre që nxijnë letër, por shkrimtarë nuk bëhen dot, na cakton edhe masën e detyrueshme të honorarit që botuesit duhet të paguajnë: të mos jetë më pak se 500 000 lekë, komandon Polico-shkrimtaro-albautori. Kjo gjë nuk do ndodhë më që pagesat të bëhen sipas tarifave që caktojnë zyrat e shtetit apo sahanlëpirësit që duke qenë pak specialistë duan veç të ngatërrojnë. Raportet e punës Autor-Botues janë raporte besimi reciprok dhe përfitimi reciprok (jo që na thotë zotëria i lartpërmendur se "Botuesit janë armiq të natyrshëm të shkrimtarëve"). Kur këto raporte shkelen janë Gjykatat, është edhe ZSHDA për atë që aderon në të, që kërkon ndihmën e saj. Krejt normale. Në këtë rast Botuesi apo cilido Përdorues tjetër i Pronës Intelektuale është i detyruar të tregojë Kontratat, madje edhe faturat e ndryshme për të verifikuar nëse i ka rënë në qafë Autorit. Por në këtë rast ama, jo apriori, siç na e kërkojnë me qarkoret e këtyre ditëve të nxehta.