E merkure, 07-01-2009, 12:08am (GMT) Zemra STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Editorial
Intervista
Komente Analiza
Revista Zemra
Reportazh
Elita Kombëtare
Historia
Personazh
Letërsi
Shqipëria Etnike
Debat
Informacione
Sporti
Speciale
English
Bota
Forum
Njoftime
Njohje
Galeria
Lojra
Chat
Direktoria
::| Sondazh
Pavarsia e Kosoves, realizoi endrren shekullore. Megjithate lind pyetja: Do te kishit deshire, per shkrirje shqiptaresh ne nje Shtet, apo per ekzistencen e dy Shteteve? Ju lutemi Votoni...
Shtet i vetem Shqiptaresh
Dy Shtete Shqiperi - Kosove
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Arkiva » Editorial
 
Shukrije Bunjaku - Mani: Halil Xani, tungjatjeta, me dekada nëpër gazeta!
E premte, 23-05-2008, 07:30pm (GMT)

Ju paraqesim krijuesit tanë

HALIL XANI, TUNGJATJETA, ME DEKADA NËPËR GAZETA!

 Nga Shukrije Bunjaku - Mani

Halil Xani u lind më 1952 në fshatin Polac të Skenderajt: nga babai Ferat (1900-1967), i fisit Krasniqe, ndërtimtar, ka qenë shumë i respektuar, të gjithë fëmijët e lagjes i kanë thënë- baba, e  kryeplak ka qenë i vellai i tij, Sadriu në kohën e Shaban Polluzhës, kurse vëllai i tretë, Syla, ka qenë korrier i Shabanit; dhe nga nëna  Afije Maloku- Xani (1905-1999), amvise, nga Shallci i Vushtrrisë; të vetmin vëlla, Bajramin, në Luftën e Dytë Botërore, partizanët e kanë hedhur nga ura e Sitnicës!

Në këso atmosfere u rrit dhe u brumos krijuesi ynë Halil Xani. Shkollën fillore e mbaroi në Polac e Skenderaj ku e kreu edhe gjimnazin. Studioi në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.
Nga viti 1974 e deri në vitin 1976 punoi arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore të Qirezit, kurse në shkollën fillore të Polacit nga viti 1976 e deri në vitin 1983. Nga viti 1983 e deri në vitin 1990, punoi gazetar në Radio Mitrovicë, deri atëherë kur policia serbe i dëboi punëtorët shqiptarë nga puna dhe mbylli programin shqip.
Pas luftës së fundit, nga një vit punoi gazetar në të përditshmet “Dita” dhe “24 orë” në Prishtinë si dhe dy vite drejtoi programin e radio Drenicës.

I martuar që nga viti 1975 me bashkëshorten e tij të devotshme zonjën Zahide. Kanë tre bij e dy bija: Arbeni, Ekremi, Fisniku, Merita dhe Qefsere.

Katër fëmijët e martuar  i kanë 6 bij e dy bija, pra gjyshërit kanë 8 nipa e mbesa!

Tash pesë vite është i papunë. Jeton dhe vepron në Polac të Skenderajt.

Pos vjershave për fëmijë të cilat i botoi që nga viti 1971 e këndej në gazeta e revista të ndryshme që dilnin në Prishtinë e Shkup, shkruan edhe humor.
Në vitin 1996 botoi përmbledhjen e parë me titull “Ndal Drenushë”, librin e dytë me titull “Unë e babi mjeshtër” e botoi në vitin 2005, ndërkaq ka në dorëshkrim dy libra me mahi të ndryshme, një libër me titull “Qyfyret e Nastradinit”, një tjetër libër me titull “Vargje me gjemba”  si dhe librin e tretë po ashtu me vjersha për fëmijë.

 

Fëmijëria ime ( në vargje)

 

Isha fëmija i tretë,

që prindërit më sollën në jetë,

isha i vogël sa zerrja,

andaj s`mbaj mend

a pat krisur mauzerja,

mbase kam kërkuar qumësht

por  jo edhe  bukë,

nëna nuk ishte police,

por më lidhi më bëri tamruk.

Unë reagova besa edhe qaja shumë,

kurse nëna me nina, nina, nina,

më vuri në gjumë.

U rrita ngadalë duke lozur nëpër hi,

dikur nisa të dal edhe nëpër komshi. 

E di se rrallë hanim mish,

kurse natën e madhe e për bajram,

 hanim edhe çervish.

Vëllai më i vjetër shkonte

 në shkollë fillore,

unë isha kureshtar të shihja

 se ç`shkruante ai në fletore.

Nuk kishim radio, televizor,  as kompjuter,

 me top leckash luanim në verë.

 Bënim qerre me kunguj e me talla,

nga zhurma jonë gjëmonte mëhalla.

 

Një pranvere kur mugulloi mali,

babi tha të lumtë ne na u rrit djali, 

më bleu opinga me “baskija”

e një palë pantallona me vija,

një fyell të mirë e brisk,

dorezën të shkruar me lara,

më tha këto janë armët tua të para,

m`i lëshoi lopët në lëndinë,

kujdes më tha në drithë të huaj mos të hyjnë,

se është gjynah e bëhemi gazi i botës,

të pimë qumësht haram prej lopës.

Në mëngjes hijen e matnim me këmbë,

kur prenim thupra i matnim me pëllëmbë,

në drekë pas kulaçit kur i hanim edhe qershitë,

nëpër oborr i rrokullisnim tepsitë.

E mbaj mend mirë kalin kur e shalova,

një ditë në kokërr të shpinës u rrëzova.

Babai s`e mori vesh, kurse nëna mjeroi,

me ujë të valë e me krunde më mjekoi.

Kur u bëra i madh ihiiii-

në moshën shtatëvjeçare,

 babai m`i bleu dy-tri fletore

më bleu dhe abetare,

nëna më përcolli më tha udhë e mbarë,

më uroi: u bëfsh o bir gazetar e shkrimtar!

 

Kur hyri në klasë mësuesi Hamit,

nuk e harroj kurrë,

thoshim vetë më vete

as han as flenë ky burrë.

Pa humbur kohë ia nisëm mësimit,

A e madhe shtypit, A e madhe e shkrimit,

a, a, a, e  b, b, b, b,

arritëm deri në zh.

Vërtet atëherë s`kishim lidhje

ç`është çipi a moduli,

ishim të barabartë të gjithë

njehsonim me kokrra fasuli.

Dimrit nëpër shi e borë, 

me rroba të holla,

por asnjëherë

nuk ndaheshim nga shkolla.

Atje e gjenim xha Aliun e Marinës

që na i mbushte tasat me qumësht të Amerikës.

Pritnim në rresht për një gotë ujë,

ai vajzat i thërriste Bardhokë, Sykë, e Ftujë.

 Më kujtohet kur pat ardhur një xhip nga qyteti,

 ishte shoferi vetë i treti,

na thanë fëmijë mos u frikësoni,

sot një film do ta shikoni,

u errësuan dritaret ne u bëmë sy e vesh

 tanket i pamë në mur,

 na u duk vinin drejt nesh.

Atëherë si fëmijë në vitin gjashtëdhjetë

 pata kontaktin e parë me gazetë,

 në shkollë na i solli një njeri,

 e lexonim Rilindjen për fëmijë…

  

ALFABETI I DËSHMORËVE

 

Ju fëmijë nëse doni

A-në në mend t`a mbani

Thoni  A, Adem Jashari

Thoni A, Agim Ramadani.

 

Kur ta mësoni A-në

Mbani në mend në daçi

Mos thoni A-aeroplani

Thoni A,  Abaz Thaçi.

 

Kur të shkoni te B-ja

Mos thoni bujku a bisha

Thoni B, Bedri Shala

Thoni B, Bekim Berisha.

 

Dhe  lavdërohet F-ja

Thotë unë jam në flamur

Jam te Fehmi Lladrofci

Që nuk harrohet kurrë.

 

Mos thoni H, H, Hëna

Kur H-në e takoni së pari

Në mend e mbani më lehtë

Të thoni H, Hamëz Jashari.

 

Kur do ta mësoni I-në

Mos u thoni I- kuajve lodra

S`do ta harroni kurrë

Kur thoni I, I, Ilaz Kodra.

 

Unë po ju tregoj

Mos thoni nuk e diti

Se me Z të madhe

Është Zahir Pajaziti.

 

Ju lus fëmijë të dashur

Në qytet e katund

Këtë alfabet që e nisa

Ta çoni deri në fund.

 Maj, 2006

 

NËNA IME

 

Kur dola nga shtëpia

Më përqafoi me mall

M`tha ma bën hallall

Se nuk më gjen gjallë.

 

E pashë i fshiu lotët

Me cep të shamisë

Qaja prej mërzisë

Kur dola prej shtëpisë.

 

Dëgjova se ka vdekur

Nënëlokja ime e mirë

Me shpirtin e dëlirë

Larg jam sa vështirë.

 

Gjumi kur më zë

Ëndrrat atje më çojnë

Fëmijët që më rrethojnë

Dot nuk më ngushëllojnë.

  

UNË E BABI MJESHTËR

 

Babi me çekiç e daltë

Gdhendte një gur

Unë me penë një fjalë,

 

Ai kryente një rresht

Në mur të shtëpisë

Unë një strofë të poezisë.

 

Ai kryente një kat

Unë një vjershë.

 

Babi me pe

Të ngjyer në blozë

Lëndëve iu bënte vi

I drejtonte si qiri

I vente në çati.

 

Unë fjalë pas fjale

Strofë pas strofe

Vjershë pas vjershe

Bëra një libër

Për fëmijë.

 

Ai me qerpiç e gurë

Bëri shumë shtëpi,

 

Unë fjalë pas fjale

Bëra dy libra për fëmijë,

 

Babi ishte mjeshtër

Unë jam biri i tij.

 

 

PARA VARRIT TË KOMANDANTIT

(Një ushtar i batalionit “Atlantiku”)

 

Larg në Amerikë ishim

Mendjen n`Kosovë e kishim,

 

N`jug t`Evropës plakë

Kosova digjej flakë.

 

Formuam “Atlantikun”

Kaluam Atlantikun,

 

Të veshur me barot

Kosovës t`i dalim zot.

 

Rezezat i shporrëm qiellit

Për rrezet e ngrohta të diellit,

 

Erdha në Prekaz o trim

Edhe sot je komandanti im.

 

Buza më dridhet në vaj

Mos më qorto pse qaj,

 

Deri në fund të kësaj bote

S`harrohet lavdia JOTE.

 

 

MË THANË…

 

Më thanë lulet

Na merr në vjershë

Vjersha do behar,

 

Më thanë bletët

Ç`bëjmë ne pa lulet

Vjersha do nektar.

 

Më thanë fëmijët

Na merr edhe neve

Vjersha do rritë,

 

 

Më tha dielli

Lulet, bletët, fëmijët

Nuk bëjnë dot pa dritë.

 

Më tha shiu

Edhe unë do të vi

Pa stuhi e erë,

 

Si do të rriten lulet

Si do të rriten fëmijët

Kur s`shohin ylbere.

 

Ua hapa derën

Luleve, bletëve

E fëmijëve përnjëherë,

 

Hyri edhe dielli

E mora dhe shiun

Vjersha u bë ylber.

  

Më tha trimi

Me pushkën time

Edhe unë do të vi,

 

Ju asnjë pa mua

Fare s`keni vlerë

Po s`patët liri.

 

FJALA

 

Ka fjalë të shkurta

Ka  fjalë të gjata

Ka fjalë të mprehta

Që presin si shpata.

 

Ka fjalë që dalin fushës

Do janë për kuvend

Por  është më e mira

Ajo që pret në një vend.

 

Ka fjalë si pelini

Ka fjalë nektarplot

Ka fjalë që vrasin

Si armët me barot.

 

 

Ka dhe fjalë si era

Që s`peshojnë hiç

Ka fjalë si plumbi

S`ngrihen as me vinç.

 

Fjala do gdhendur

Fjala do latuar

Të mos ketë gjemba

Njerëz për të lënduar.

 Drenicë,16.12.2007

 

VARGJET E MIA

 

Vargjet e mia të ngrohta valë

Ia dhashë ”xhaxhit” internet

Si babadimri fëmijëve t`ua falë

Kudo janë, në secilin kontinent.

 

Vargjet e mia me aromë Kosove

Nuk i mbaj dot në kompjuter

Tek ju i nisa me shpejtësinë e dritës

Te ju gjejnë gëzuar shend e verë.

 

Anembanë botës ju që keni tretur

Shumë gjuhë të tjera do të mësoni

Por gjuhën shqipe n`maje gjuhe ta mbani

Se do t`ju mallkojë po qe se e harroni.

 Drenicë, 16.12.2007

  

KUSH KË E DO MË SHUMË

 

Besomëni kemi i rënë në dert

E assesi more  nuk është punë

 

Dikush drejt të na e pleqërojë

Dhe ta mbyllim këtë punë

Cili e duam tjetrin më shumë

Mua nipi -apo atë unë.

 

Ai më thotë- të kam zemër

Unë i them- të kam llokum

Ai hap krahët-të dua kaaaq

E unë i hap edhe më shumë.

 

Ai prapë më thotë të kam zemër

Unë i them të dua sa diellin

Ai matet nga koka në themër

Gjysh ta kalova të dua sa qiellin.

 

Ai më shtrëngon fort, fort, fort

Unë i them- Drin më kënaqe

Oh sa i mirë më thotë je o gjysh

Kur rruhesh e s`ke therra në faqe.

 

Unë i them të dua shumë, shumë

Ai më thotë shuumë me dy “u”

I them të dua më shumë unë

Ai ma kthen jo të dua uuuuuunë.

 

Kemi pyet e burra e pleqnarë

Kemi pyet juristë e hoxhallarë

Të gjithë na thanë ju kot  e keni

Kandar dashurie askund nuk gjeni.

 18 maj 2006

 

GJYSHI E KËLYSHI

 

Nipi gjyshit i thotë gjysh

Gjyshi nipit i thotë këlysh

Prandaj mos pyet si e qysh

Në odë tok gjysh e këlysh.

 

Nipi është djalë me fat

E ka gjyshin avokat

Kur e bën ndonjë sherr

Gjyshi n` mbrojtje nipin merr.

 

Nuk ka mjekër ka mustakë

Dyzet euro ka pension- pak

Në avokaturë është pa orar

E mbron nipin me honorar.

 

Gjyshi shtrihet te koftori

Nipi e ngjesh si doktori

Uron gjyshi rrofsh or bir

E marrësh një nuse të mirë.

 Drenicë, 24.12.2007

 

PREJ NGA ËSHTË

DALLËNDYSHJA

 

A s`më thua lum gjyshja

Ku e ka vendlindjen

E ku Dajt dallëndyshja?

 

Nga jugu kur vijnë

Këtu bëjnë folenë

Dhe rritin fëmijët.

 

Prindër në jug e veri

Janë zogj  Kosove

Apo me dyshtetësi.

 

Njerëzit në diasporë

Shkojnë “përkohësisht”

E vijnë rrallë e më rrallë,

 

Zogjtë andej e këndej

Në dy vendet njëjtë

Shkojnë e heqin mall.

 

Nuk kanë valixhe

Asgjë për doganë

As pasaporta s`kanë.

 

Nuk bartin libra

As hartë e busullë

Se nuk kryejnë shkollë,

 

Fluturojnë hoooopaaa

Nuk i pengojnë retë

S`çajnë kokën për gropa.

 

Larg e ndiejnë motin

Me sy krejt të mbyllur

Kaptojnë horizontin.

 

Pa hartë e pa busollë

Kështu gjithherë

Vjeshtë e pranverë,

 

Ikin e prapë vijnë

Ia shtojnë stinës

B U K U R I N Ë.

 Maj, 2006

  

PSE…PSE…

 

Pse, pse, pse…

Se, se, se se…

Eeeeeeeeeee...

 

Pse natën nuk ka ylber

Pse kripa s`bëhet sheqer,

 

Pse kungulli s`është si shalqiri

Pse çdo lis nuk ka aromë bliri,

 

Pse në xhep nuk futen retë

Pse lumi nuk rrjedh përpjetë,

 

Pse në qiell rrufetë shkrepin

Pse dhe kush e kripos detin,

 

Pse aq shumë yje ka në qiell

Pse aq shumë ka zjarr në diell,

 

Pse lulet kanë aq shumë ngjyra

Pse aq shumë kodra ka natyra…

  

PSE…PSE…

 

Pse, pse, pse…

Se, se, se, se…

Eeeeeeeeeee…

 

Pse në rrugë kaq shumë gropa

Pse për lojë s`kemi mjaft topa,

 

Pse fabrikat bëjnë armë të gjata

Pse s`bëjnë më shumë çokollata,

 

Pse dikush ka pallate-më thoni

Pse tjetri s`ka as tendë najloni,

 

Pse s`ka banane në Qyqavicë

Pse kaq vetëvrasje në Drenicë,

Pse popullin e mbyt varfëria

Pse aq shumë xhipa ka qeveria,

 

Eh, vogëlush ke nisë të mërzitesh

Po përgjigjet i gjen kur të rritesh.

 Më 3 qershor 2006

 

LETËR AHTISAARIT

 (Bën edhe udhëheqësve tanë)