Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E shtune, 06-09-2008, 11:35pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Arkiva » Informacione
 
Një lidhje shkrimtarësh ka vetëm shkrimtarë
E diel, 12-08-2007, 05:29pm (GMT)

Nju Jork, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ndan çmimet letrare

Dalip Greca
Nju Jork

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në traditën e takimeve të saj këtë herë kishte zgjedhur Nju Jork-un. Takimi u organizua në sallën kulturore në Bronks, të cilën e ka vënë në dispozicion të veprimtarive kulturore të komunitetit shqiptar, Tomë Vataj. E krijuar që në vitin 2001, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka një aktivitet të pasur: boton revistën e saj “Pena” dhe për krijimtarinë më të mirë të anëtarëve të saj ka krijuar dhe një çmim letrar, ”Pena e artë”. Por si në çdo shoqatë shqiptarësh, edhe kjo e shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë nuk i ka shpëtuar debateve, madje ka pasur edhe largime.

Fryma e mirëkuptimit

Ky takim ishte korrekt, më shumë takim miqsh, pa sherre. Gjithçka kaloi në mirëkuptim. Nënkryetari i Shoqatës, Mëhill Velaj, pasi u ka uruar mirëseardhjen pjesëmarrësve që kishin udhëtuar nga Miçigani, Çikago, Konekticat etj, ia ka dhënë fjalën kryetarit të Shoqatës, Ramiz Gjini, i cili foli për domosdoshmërinë e forcimit të lidhjes përmes një fryme vëllazërore. Kjo lidhje, - tha ai, - është krijuar si një grupim shokësh e miqsh të një ideali dhe e tillë do të mbetet. Ju e dini, - vijoi ai, - që një lidhje e vjetër shkrimtarësh në Tiranë u shkatërrua. Por ne do të ishte mirë ta mbajmë dhe jo ta shkatërrojmë Lidhjen tonë, pasi jemi në një vend të huaj dhe kemi shumë nevojë për njëri-tjetrin. Cilido që e ndien veten të tepërt, vetëm për shkakun pse nuk i bëhen privilegje, bën mirë të largohet. Ne duhet të përpiqemi t’i japim Lidhjes dhe jo t’i marrim asaj. Debate është mirë të ketë, por këto duhet të jenë të karakterit letrar, ose në respektim të statusit si referencë. Një debat, që të synojë zbulimin dhe kapjen e vlerave dhe jo produkte të trasha e të rëndomta, që nuk i kanë hije një shkrimtari. Mirëpo, ka pasur raste, - vuri në dukje shkrimtari Gjini, - kur disa elementë nuk kanë mundur ta kuptojnë natyrën e Lidhjes sonë. Ata kanë imituar mocionistët e partive politike në Tiranë. Janë larguar duke u çjerrë publikisht nëpër listat e internetit, që t'i dëgjojë e ndihmojë "elektorati"! Ata nuk e kanë kuptuar që një lidhje shkrimtarësh nuk ka elektorat. Një lidhje shkrimtarësh ka vetëm shkrimtarë dhe këta të fundit kanë lexues, që janë të interesuar të lexojnë librat e jo të dëgjojnë pallavrat e tyre. Prandaj, unë u them që, nëse duan debate, le të merren me shkrimtarin dhe jo me kryetarin.

Statuti dhe konkursi “Pena e artë”
Në vijim, kryetari Ramiz Gjini kërkoi të debatonin dhe të vendosnin së bashku për disa plotësime në Statutin e LSHSHA. Kështu, u propozua për ndryshimin e procedurës së zgjedhjeve për kryesinë e re dhe kryetarin. Gjithashtu, u shtrua për diskutim ndryshimi i afatit të konkursit "Pena e artë" dhe heqja e kufizimeve. Sipas tij, konkursi nuk duhet të zhvillohej çdo vit, për shkak të një lloj shterpësie në krijimtarinë letrare.
Ai argumentoi që kur konkurrentët janë të paktë në numër, atëherë vihet në dyshim mundësia e përzgjedhjes së një vepre të mirë, pasi do të ketë kufizime. Me heqje të kufizimeve, Gjini kishte parasysh, që gjatë konkurrimit t'u jepet mundësia të marrin pjesë në konkurs edhe shkrimtarëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia si dhe nga të gjitha vendet e botës ku ata kanë emigruar. Sipas tij, kjo praktikë do t’ia rriste reputacionin Lidhjes. Ky propozim u hodh poshtë nga anëtarët, të cilët e panë si të pamundur të realizohej për shkak të mundësive të pakta financiare.

”Buqetë” në një vazo shpirtërore
Presidenti i Shoqatës, Gjekë Marinaj, u përcolli të pranishmëve vizionin e tij për Shoqatën e Shkrimtarëve, që siç dihet është krijesë e tij. Siç jeni në dijeni, tha ai, në fund të vitit 2001, shkrimtarët dhe poetët shqiptarë që jetojnë në Amerikë u bënë buqetë në një “vazo” shpirtërore, të cilën formalisht e quajtëm Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë. Të gjithë ishim atëherë dhe jemi edhe tani të ndërgjegjshëm se të jesh krijues, pavarësisht nga vështirësitë, është një privilegj i madh jetësor. Është privilegj se një ditë ndoshta pasi të vdesim ne, apo më mirë të themi pasi të vdesin me ne nevojat dhe detyrimet humane që kemi ndaj vetes dhe familjes, veprat tona letrare do të vazhdojnë jetën e tyre. Në këso rrethanash, krijimtaria jonë do të filtrohet nga koha, e krijimtaria jonë do të gdhendë në histori hartën më ëndrrore të njerëzimit, hartën pa kufi të pastërtisë së vërtetë shpirtërore. Duke vlerësuar rolin e kryetarit Gjini në krye të Shoqatës, Marinaj tha: Gjatë këtyre katër viteve, nën drejtimin e z. Gjini, Shoqata ka treguar një pjekuri të madhe intelektuale dhe një esencë shpirtërore që është për t’u admiruar nga kushdo. Të gjithë ne e kuptuam se jemi anëtarë për të ndihmuar Shoqatën, jo për të përfituar prej saj. Ne nuk pranuam ta politizojmë Shoqatën e të qëndronim aty vetëm sa për të qenë në kryesi. Ne nuk pranuam të bëhemi një me asnjë që do të dëshironte shkatërrimin e asaj që kemi ndërtuar. Asnjë nga ne që jemi këtu nuk thamë kurrë një fjalë të keqe për dikë tjetër, ndaj kurrë nuk patëm nevojë të flasim me zë të ulët. Për Marinajn, Shoqata është e përbërë nga një grup shokësh, nuk është parti politike. Në Shoqatë secili bën aq sa mundet, në mënyrë krejt vullnetare, pa asnjë farë pagese, madje shpesh me shpenzime personale. Duke folur për kundërshtitë që janë shfaqur herë pas here rreth shoqatës, themeluesi i saj u shpreh: “Divergjencat e arsyes dhe të energjisë do të na grinden pa shkëputje në shpirt edhe ne krijuesve. Kjo do të thotë se nganjëherë do të fitojë arsyeja e herë të tjera do të fitojë energjia në luftën e tyre të përjetshme brenda nesh”.

Zgjedhjet dhe vlerësimet
Pjesëtarët e Shoqatës debatuan për problemet që i shqetësojnë dhe për ndryshime në statut, për periudhën e takimeve, për organizimin e konkurseve, për revistën “Pena” etj. Për këto çështje e morën fjalën Merita Bajraktari, dr. Selahedin Velaj, Kozeta Zylo, Nexhat Imeraj, Pier Pandeli Simsia, Gjeto Turmalaj, Bardhyl Mezini, Dajlan Luzaj, Fatjon Pajo. Më pas u kalua në zgjedhjet e reja, ku me shumicë votash Dalan Luzaj u zgjodh kryetar, ndërsa Mëhill Velaj mbajti pozicionin e nënkryetarit. Shkrimtarët Luigj Çekaj, Kozeta Zylo, Naum Prifti dhe Marash Mali u vlerësuan nga Shoqata për kontributin e tyre letrar. Ata u pajisën me certifikata nderi me motivin “Për kontribut të veçantë në letërsinë shqipe".

Letër përshëndetëse e shkrimtarit Marash Mali, Florida
Të dashur kolegë poetë e shkrimtarë,
Nga Florida shpirtërisht ju uroj punë të mbarë në tubimin e Shoqatës sonë të Shkrimtarëve. Ju kërkoj ndjesë pasi vitet e moshës nuk më japin atë mundësi për të ndier kënaqësinë e bashkëpunimit me ju, të nderuar krijues të artit letrar. Misioni i Shoqatës sonë është për krijimtari të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore, në mërgim, ku jetojmë për dashurinë e Atdheut dhe të gjuhës sonë të mrekullueshme. Unë me mendje e me zemër jam në mesin tuaj. Suksese gjithnjë e më të larta për të zbuluar dituri të reja që i kërkon arti letrar. Urime e Shoqata jonë qoftë jetëgjatë!”.

Kaption: 1- Nga tryeza e debatit
2- Një kujtim nga takimi i zhvilluar më 4 gusht 2007 në sallën e kulturës, te Pallati i Vatajve

3- Pjesëmarrësit morën ndër duar edhe numrin e ri të revistës ”Pena”
4. Shkrimtari Ramiz Gjini ia dorëzoi postin e kryetarit poetit Dalan Luzaj, me banim në Çikago



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]