- E kujt tjetër veç 'Albit'
Këmbëkryq mbi tavolinën e punës,
Nota trishtimi në faqen e kohës,
Heshtin të zhurmshmit larg paqes së brishtë,
Silueta moskokëçarëse në trokitjen e portës.
Vështrimin e hedh andej ku zë i humbur
Dëgjohet,
Ruaj heshtjen e amullt pakuptim,
Me grusht dua të godas çmendurinë,
Njerëzit s'kanë turp.
Nota trishtimi bien në faqen e kohës,
Petale fisnike ndrisin sytë e zinj,
Unë me shpirtin e grisur prehje nuk gjej,
Prehja, vdekje është.
Do largohem diku larg, diku do zhdukem,
Atje ku fytyrën të mos m'a njohin...
Në çantën e kujtesës do mbart kujtimet deri në vdekje,
Brejtjen e ndërgjegjes do e qëroj,
Si qepë në lakuriqësinë e saj.
Nota trishtimi mbesin në faqen e kohës,
Ti hesht, se flet gjykim i çmendur
S'do mund t'ia harroj mirësinë kësaj bote,
Të keqen e injoroj,
Në fundin e qefinit të vet...
Verë 1993 - para se të largohesha nga vendi im.