Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E shtune, 06-09-2008, 10:23pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Arkiva » Intervista
 
Luljeta Dano: Dashuria "kultike" tej etnografisë...
E premte, 12-10-2007, 05:28pm (GMT)

Nisja ime u bë vërtet nga poezia, por çdo ide e një shpikjeje të re në vetvete është një metaforë e guximshme dhe joreale! Metafora e satelitëve, kompjuterëve, nëndetëseve, bankomatëve, avionëve reaktivë, etj, rrënjët i ka në simbolet e përrallave të botës primitive. Poezia mundet t’i parathotë të panjohurat, ato të panjohura që shkenca tenton t’i bëjë të njohura. Kështu Shekspiri zbuloi para Harvejit qarkullimin e gjakut. Kështu Homeri te “Iliada” na përshkruan dy robotë të cilët janë ndërtuar vetëm në filmat hollivudianë të së ardhmes...

Gjatë këtyre viteve që kam punuar për koleksionin tim privat, dr. Moikom Zeqo më ka nxitur tepër që të shkruaj… Prof. dr. Mark Tirta, më ka bërë vërejtje për të cilat kisha shumë nevojë… Kurse për prof. as Agim Bido, të cilin e quaj shkencëtar, poet dhe piktor të xhubletës shqiptare, dëshiroj të tregoj për dashurinë e tij legjendare ndaj kësaj veshjeje monumentale të popullit shqiptar…

Ka "zgjedhur" si gjuhë të vetën simbolin. E për më tepër kur bëhet fjalë për kulte. Ndaj në kërkimet e veta për xhubletën, ka shkrirë poezinë.

Gjenden aty kulti i Diellit, gjarpri, Hëna e yjtë "mitikë", lule e gjethe...

Një "rrugëtim" fshehtësish e dokumentimesh mijëravjeçare. Kjo është ajo drejt së cilës zgjat duart poetja Luljeta Dano... Rrugëtim që bëhet real në librin e saj më të ri “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kultike”. Por që gjurmët e veta i ka të mbartura në tërë krijimtarinë e autores, në vargjet e saj që këtë të diel do të komunikojnë në "gjuhën femërore" në panairin e Frankfurtit, krahas dy poeteve të tjera femra nga Shqipëria: Luljeta Lleshanaku dhe Ledia Dushi...

"Poezia mundet t’i parathotë të panjohurat, ato të panjohura që shkenca tenton t’i bëjë të njohura", komenton Dano, ndërsa flet për poezinë duke dashur ta mbajë "tej klisheve".

Këtë të diel në Panairin e Librit në Frankfurt, do të lexohen poezitë e tri poeteve shqiptare, një nga të cilat jeni edhe ju. Si ndiheni pak ditë para pjesëmarrjes në lidhje me përfaqësimin brenda një tematike të përcaktuar që mbart aktiviteti?

Ftesa ishte një dhuratë shumë e bukur dhe e beftë që m’u bë nga Neviana Dosti, menaxhere kulture. Po e filloj me një falënderim special për Nevianën, sepse bashkëshorti im është menaxher i festimeve kulturore dhe unë e di mirë çfarë përkushtimi dhe merite ka menaxhimi i një ngjarjeje kulturore, prej një stafi që gjithsesi ngel në hije, sepse gjithmonë flitet me emrat e krijuesve. Kjo vajzë është specializuar në Gjermani për këtë punë dhe në një kafe të shpejtë ku kam folur me të, më tregonte për problemet, lodhjen, pengesat dhe realizimin e projektit të vet. Zëri i specialistëve të tillë duhet të jetë më i pranishëm në jetën e administratës shqiptare. Më duket se titull ka një slogan mbi emancipimin e femrës, por natyrisht, klishe të tilla janë të pashmangshme kur perëndimi vë në panel lindjen.

Do të lexohen dhjetë poezi tuajat. Cili është raporti juaj me to dhe në përgjithësi besimi juaj te poezia?

Janë poezi në gjithë harkun kohor të krijimtarisë time, të botuara dhe të pabotuara, të zgjedhura vetëdijshëm të tilla prej meje. Sot përkthyesja gjermane e gjuhës shqipe Susane Finger, në një letër më kërkonte saktësimin e një ngjyrimi metaforik dhe kjo më preku. Është një akt i përveçëm që duhet çmuar nga shoqëria njerëzore, kur një personalitet i kulturës investon në prodhimtarinë e tij për kulturën e një vendi të largët e të huaj. Më emocionon çfarë kanë bërë për trashëgiminë kombëtare të shqiptarëve shumë emra të nderuar të kulturës shqiptare dhe arbëreshe brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, por kur shikon p.sh. çfarë ka bërë francezja Monik de Fontanès, (si dhe shumë emra evropianësh të tjerë që s’është rasti të zgjatem), e cila ka pikturuar, shkruar e publikuar, si dhe mbledhur mjaft kostume kombëtare shqiptare për Muzeun e Njeriut në Paris me aq dashuri për trashëgiminë e një populli që nuk është i saj, nuk ke ç’të thuash më! Kështu që i jam mirënjohëse pa fjalë, znj. Finger!

Këto ditë prisni të dalë nga shtypi libri juaj i fundit, i cili nuk është "poezi". Ç'përfaqëson ky libër për ju dhe mund të na rrëfeni diçka për përmbajtjen?

Titullohet “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kultike”. Sa për gjininë e këtij punimi kam shënuar: Simbolikë, ç’ka duhet të nënkuptojë, një esse mbi simbolet dhe variacione të tjera mbi rolin e simbolikës për syrin e njeriut, për kodet e lashta të harruara e të padekoduara, për shpejtësinë dhe forcën e simbolit që konsiderohet më e madhe edhe se e fjalës, etj. etj., por le ta zbulojmë pas botimit.

Pra, është një botim që i përket më shumë studimeve etnografike, sesa letërsisë. Por së pari ju u paralajmëruat gjatë javës Poeteka 3, në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, duke folur mbi këto simbole kultike në objekte të etnografisë shqiptare dhe duke ekspozuar disa kostume popullore. Nisja, të themi, u bë brenda poezisë...

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë Poeteka, mbi kuotat e Durrësit antik, qytet dhe port i rëndësishëm i botës së vjetër mesdhetare, përfshin në ndërtimin e vet edhe ringjalljen e festimeve të lashta me ditët e poezisë, ku operohet me rite ushqimi, degustimi, muzike, deklamimi, tradite, etj., çka bëri të mundur nga Poeteka edhe botimin e dhjetë kartolinave nga koleksioni im etnografik, si dhe ekspozimin e disa kostumeve popullore.

Nisja ime u bë vërtet nga poezia, por çdo ide e një shpikjeje të re në vetvete është një metaforë e guximshme dhe joreale! Metafora e satelitëve, kompjuterëve, nëndetëseve, bankomatëve, avionëve reaktivë, etj, rrënjët i ka në simbolet e përrallave të botës primitive. Poezia mundet t’i parathotë të panjohurat, ato të panjohura që shkenca tenton t’i bëjë të njohura. Kështu Shekspiri zbuloi para Harvejit qarkullimin e gjakut. Kështu Homeri te “Iliada” na përshkruan dy robotë të cilët janë ndërtuar vetëm në filmat hollivudianë të së ardhmes. Është momenti kur nëna e Akilit, Tetida, shkon te Hefesti, farkëtari olimpik, që ky t’i derdhë armë të reja për Akilin: Homeri përshkruan i pari tipin e robotit të punës: Dy shërbëtore ari të sajuara/iu lëshuan anash mbretit për ta mbajtur,/posi dy vasha t’gjalla e tërë njomsi./ Brenda në zemër janë pajisë me mendje,/ligjërojnë bukur me fuqi vështrimi,/dinë shumë mjeshtri nga zotat e pavdekshëm;/e mbretit gati për çdo shenjë i rrinin/e i shkonin pranë. Qëkur bardi i verbër e tha e gjersa u realizua roboti i parë në shekullin XX, ende shumë më i thjeshtë nga ç’e përshkruan Homeri, u desh të kalonin tri mijë vjet në tokën tonë.

Bashkëpunimi juaj në librin e fundit përfshin edhe tri oponenca shkencore nga dr. Moikom Zeqo, prof. dr. Mark Tirta dhe prof. as. Agim Bido. Çdo të na thoshit për këtë bashkëpunim?

Kam një mirënjohje pa fund për të tre këta akademikë të nderuar shqiptarë për ndihmën e paçmuar që më kanë dhënë. Gjatë këtyre viteve që kam punuar për koleksionin tim privat, dr. Moikom Zeqo më ka nxitur tepër që të shkruaj, sepse konsolidimi i dijes, hulumtimit, trashëgimisë kombëtare brenda një libri, është një vepër me vlerë të pakrahasueshme. Prof. dr. Mark Tirta, më ka bërë vërejtje për të cilat kisha shumë nevojë, duke mos qenë e fushës, madje në shkrimin e shkurtër shoqërues e përshëndetës të librit më ka shënuar: Shtatëdhjetë e dy xhubleta! I them: “Profesor Marku, unë kam vetëm shtatëdhjetë e një! Po falsifikohet shifra reale!” Ai m’u përgjigj: “Do ta lemë shtatëdhjetë e dy, sepse 72 është numër me veti kultike dhe i bën mirë punimit!” Kurse për prof. as Agim Bido, të cilin e quaj shkencëtar, poet dhe piktor i xhubletës shqiptare, dëshiroj të tregoj për dashurinë e tij legjendare ndaj kësaj veshjeje monumentale të popullit shqiptar, që në veprat e artit simbolizon vetë Nënën Shqipëri, apo Rozafën e lashtë. Natyrisht, punimi im duke ardhur, siç thamë nga poezia, i përket një stili të lirë pa vargonjtë e përseve të shkencës, por unë e ftoj lexuesin edhe për një lexim të tillë hipotetik e ezoterik. Përfundimi është tërësisht në dorë të lexuesit, le të ballafaqojë ndijimin e tij dhe dijen vetjake me fotografitë që i jepen në dorë.

Botimi juaj i fundit poetik është poema “Lindja e diellit në mal të Tomorit”, më 2004. Çfarë përfaqëson kjo poemë në krijimtarinë tuaj?

E kam botuar në dy variante, por e treta - e vërteta! Këtë poemë jam duke e rishkruar dhe kur ta botoj, them se “Lindja e diellit në mal të Tomorit”, do të përfaqësojë poezinë time, si dhe një blatim për Malin e Shenjtë të shqiptarëve.

Do të jetë letërsia apo studimi i simboleve përkushtimi juaj në të ardhmen?

Nuk e di. Do të bëj atë që kam bërë gjithmonë: në emër të dashurisë do të pohoj vlera dhe do të përpiqem të kuptoj sa më shumë përse!

Bisedoi: Blerina Goce

Pak për poeten Dano

Luljeta Dano lindi në Fier më 1. 4. 1967. Diplomohet në vitin 1993, dega Gjuhë-Letërsi, Fakulteti Histori-Gjeografi në Universitetin e Tiranës. Gjatë periudhës 1994-1996 ka punuar gazetare në Radio Tirana, si dhe redaktore përgjegjëse e faqes kulturore në gazetën e përditshme Albania. Ka botuar librat: Lodër e dashurisë, poezi, Tiranë, 1990; Sipas flokëve të plakave&Muzikë në makinë, poezi&tregime, Tiranë, 1994; Xhindet në kodrën e Jakovit, tregime, Tiranë, 2000; Zoti DO dhe Zonja RE, poezi, Tiranë, 2000; Orët e shahut, roman, Prishtinë, 2000; Moti, poezi, Tiranë, 2000; Nusja e kthyer, poezi, Tiranë, 2000; Lindja E diellit në mal të Tomorit, poemë, gazeta Albania&gazeta Fjala, 2004.

L. Dano është vlerësuar me çmime: Më 1988, në teatrin “Bylis” është zgjedhur dhe intervistuar si poetja më e mirë në shfaqjen artistike për shpalljen e 10 artistëve dhe sportistëve më të mirë të vitit në rrethin e Fierit; nga konkursi i organizuar nga PNUD-i në Tiranë, korrik 1997, me rastin e Ditës Botërore të Popullsisë për dhënien e një mesazhi pro kulturës, gjatë vitit të vështirë të shqiptarëve 1997 për shkrimin me titull “Kultura e vërtetë, vajza ime, është dashuria!”. Në konkursin e shpallur për romanin mbarëshqiptar Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, nga shtëpia botuese “Buzuku”, Prishtinë, 2000, për romanin “Orët e shahut” i jepet çmimi i dytë; në jubileun e XX të takimeve të poetëve shqiptarë në Vushtrri, Kosovë, 2002, me pjesëmarrjen e poetëve nga gjithë trojet shqiptare dhe diaspora nderohet me çmimin e parë; në konkursin e organizuar nga shtëpia botuese “Buzuku”, Prishtinë, 2005, për dramën shqipe me pjesëmarrjen e autorëve nga trojet mbarëshqiptare Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, fiton çmimin e dytë për dramën historike “Plakonjat”.

Pasurimi i koleksionit privat me objekte arkeologjike, ikonografike dhe me atë që është pjesa më prestigjioze e koleksionit të saj privat: etnografike; përkujdesja për restaurim, si dhe botime të ndryshme letrare e hulumtuese në shtypin shqiptar, janë puna e ditës nga Luljeta Dano. 

Sot


 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]