Dokumentet e fshehta "akuzojnë"…
Titulli: Si u tradhtua dhe u shit Evropa e Lindjes (Gabimet tragjike të Çërçillit dhe të Ruzveltit)
Autori: Nicolas Baciu
Përktheu: Kostaq Xoxa
Shtëpia botuese: 55
Çmimi: 900 lekë
Pasi i shpëtoi rrënimit në vendin e tij të lindjes, autori i këtij libri, me përvojën tanimë të 10 burgimeve komuniste, ndërmori në vitin 1950, që të tregonte peripecitë e tij në një libër të shkruar në frëngjisht: "Nga birucat e Ana Paukerit, në burgjet e Titos". Synimi i tij ishte që të sqaronte botën perëndimore të lirë për gjendjen në vendet e Lindjes. Ky libër ishte veçanërisht i prirur që të denonconte në këtë botë të lirë, në të cilën gjeti strehim, dhunën e tejmasshme të Rusisë gjatë kohës së pushtimit të vendit të tij, komunistizimin përmes dhunës, asgjësimin e elitës intelektuale, mizerjen dhe zvetënimin ekonomik të vendit, shkurt: vënien në skllavëri të këtij vendi.
Ashtu si edhe shumë të tjerë, në vitin 1950 ai besonte se rusët i kishin kryer mizoritë e tyre duke u mbështetur, para së gjithash, në fuqinë e tyre ushtarake. Ushtria e Kuqe dhe vetëm ajo, mendonte ai, falë peshës së saj në Evropën Lindore, kishte mundur të ushtronte zotërimin ideologjik, duke shkelur mirëbesimin e amerikanëve dhe të britanikëve; ajo kishte shkelur me këmbë zotimet e shenjta të Kartës së Atlantikut dhe Deklaratën për një Evropë të lirë, që u bë në Jaltë, në prani të Çërçillit dhe të Ruzveltit; rusët, dhe vetëm ata, kishin gënjyer, mashtruar dhe u bënë zotëruesit e Evropës, kundër vullnetit të kryetarëve të qeverive perëndimore. Kështu, ai pati mundësinë që në vitin 1950, të shihte historinë e atyre viteve tragjike.
Por ka kohë që ai, atëherë dhe tani, i humbi këto iluzione. Kërkoi pra, të zbulonte të vërtetën dhe kjo e vërtetë është një gjë krejt tjetër.
Megjithatë, tridhjetë e tetë vjet pas mbarimit të luftës, mjaft njerëz u besojnë ende legjendave me të cilat isha ushqyer edhe unë…
Mëtohet që, nëse do të kishte jetuar Ruzvelti, do të kishte ndryshuar faqja e botës.
Dëgjohen prapë, gjithashtu, admiruesit e njërit prej titanëve të historisë së botës, Uinston Çërçillit, që pretendojnë se idhulli i tyre nuk mundte dot të ndalonte rusët që të pushtonin Evropën Lindore, për faj të Ruzveltit që nuk po i kuptonte aspak planet e kryeministrit britanik, i cili dëshironte që të zotëronte Ballkanin, në mënyrë "që t'u ndërpriste rrugën Rusëve" në vërshimin e tyre drejt Evropës. Pra, na del që i vetmi përgjegjës për këtë mjerim na qenka Ruzvelti.
Por si është puna në të vërtetë?
Gjatë takimit të famshëm që pati Çërçilli në Kremlin me Stalinin, më 9 tetor 1944, mëtonte se ai kishte parashikuar zonat e ndikimit për vetëm një periudhë tremujore. Por a është kjo e vërteta? Për fat të keq, tani na del se jo! Ne kemi mundur të shfletojmë dokumente tepër të fshehta, tanimë me afat të skaduar, në arkivat e Londrës dhe të Uashingtonit. Analiza e këtyre dokumenteve na tregojnë qartësisht tani se Çërçilli dhe Ruzvelti kishin vendosur vetë, në mënyrë të fshehtë, për fatin e botës…
Një antologji me tregime "gjermane"
Titulli: Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-s
Antologji e përgatitur nga Ardian Klosi dhe Jurgen Rohling
Përkthyen nga origjinali: Ardian Klosi, Afrim Koci, Lindita Arapi, Jonila Godole, Sonila Sadikaj
Çmimi: 1500 lekë
Për herë të parë i jepet në dorë lexuesit shqiptar një antologji e prozës moderne të gjuhës gjermane në përmasa kaq të mëdha. Asnjë letërsi e madhe nuk e ka gëzuar këtë privilegj në gjuhën shqipe, të paktën jo për letërsinë moderne e bashkëkohëse. Përfshihen këtu prozatorët më të mirë të Gjermanisë, Austrisë e Zvicrës pas Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha tregimet në shqipërime të një niveli të lartë, nga letrarë dhe përkthyes profesionistë të gjermanishtes. Një pasuri unike për shkrimtarë, studentë e specialistë të letërsisë, një botë e tërë që i hapet publikut të gjerë shqiptar. Letërsia e gjuhës gjermane në gjysmën e dytë të shekullit 20 vijon, pas traumës së pasluftës dhe "orës zero", traditat më të mira të periudhës para marrjes së pushtetit nga nazistët. Veç klasikëve modernë, antologjia përmban një numër shkrimtarësh që eksperimentojnë në rrugë të reja. Bertolt Brecht, Heinrich Boll, Friedrich Durrenmatt, Max Frisch, Gunter Grass, Elias Canetti, Elfriede Jelinek dhe shumë të tjerë mjeshtër të prozës së gjuhës gjermane, përmbledhur në një libër që sipas hartuesve të tij "vendos standarde të reja në botimet tona". Një shkollë për të mësuar mjeshtërinë e tregimit, 40 tregime për të zbuluar realitete të reja e për të hyrë në skutat më të thella të psikologjisë njerëzore.
Titulli: Tokë e premtuar
Autori: Erich Maria Remark
Përkthyes: Fatmir Dibra
Roman
Çmimi: 1300
E putha fytyrën e saj të lagur. Doli se kishin qëndruar midis dy vitrinave. Në njërën duke u dridhur nën shpërthimet e rrufeve, qenë nderur korsetë për të moshuarat dhe gratë e shëndosha; në vitrinën e dytë ku ndodhej dyqani zoologjik, ishin vendosur akuariume: një mur i tërë me akuariume, që shndriste me dritën e tij jeshile në mat, në to notonin peshq në ngjyra të larmishme. Në fëmijëri kam mbajtur dhe rritur vetë peshq dhe tani më kujtoheshin disa prej tyre të shoqërueshëm, të shpejtë, të shndritshëm si gurë të çmuar dhe mbretër në mbretërinë e akuariumeve me vijat e zeza në argjend që u vezullonin anëve. Ishte aq e çuditshme dhe aq e papritur të kundroja rishtas atë copëz magjike, rrezatuese të fëmijërisë, në qetësinë absolute që erdhi drejt meje prej gjithë horizonteve të imagjinuara e të paimagjinuara, prej shkreptimave të rrufeve, që nga një mrekulli, kish mbetur si atëherë aspak e mplakur dhe e përzhyer nga gjaku, e tëra dhe e padëmtuar.
Titulli: Gem
Autori: Erich Maria Remark
Përkthyes: Vullnet Muço
Roman
Çmimi: 800 lekë
Beduinët kalorës, të veshur me ca dolloma bojë kafe, kaluan me të katra aty pranë. Vinte erë plehu devesh dhe shkretëtire. Pas mauzoleve të mamlukëve kalorësit u rreshtuan në një varg të gjatë në sfondin e qiellit të pastër dhe vrapuan me të katra, sikur donin të pushtonin me sulm qiellin. Gema i ndoqi kalorësit me sy, derisa siluetat e tyre iu zhdukën nga pamja dhe vetëm atëherë u shkëput e pavendosur nga horizonti, duke u kthyer nga qyteti. Një shqetësim i turbullt e shtynte të bridhte nëpër rrugët e tij…
Titulli: Shtriga e Portobelos
Autori: Paulo Coelho
Përkthyes: Edlira Hoxholli
Çmimi: 800 lekë
Dashuria vjen, ulet këmbëkryq dhe arrin të kontrollojë gjithçka. Por vetëm shpirtrat e fortë munden ta mbartin. Dhe Athina ishte një shpirt shumë i fortë…
Titulli: Varrë në zemër
Autori: Arsim Spahiu
Roman biografik
Çmimi: 500 lekë
“-E di si ka thënë Petofi? ‘Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë’. Pa pritur përgjigjen time, Reufi më zgjati dorën për t’u ndarë. Si asnjëherë tjetër i shtrënguam dorën fort njëri-tjetrit, pa u vështruar në sy dhe pa u përshëndetur. Ishte sikur kishim prekur fundin e shpirtit të njëri-tjetrit aty ku nervi i jetës ngjante me një tel të zhveshur me ngarkesë elektrike njëmijëvoltëshe. Ja pse jam paksa i habitur. Po bëj kaq ditë që jam internuar në Podjevë dhe Reufi ende nuk është dukur këndej. I kujtova se Kolesjani është veç nja gjashtë orë në këmbë nga Prizreni dhe se krahina e Lumës prej shekujsh është quajtur malësi e Prizrenit ashtu si Tropoja, që realisht përbën Malësinë e Gjakovës. Reufi nuk e ka jetuar kohën e vendosjes të kufijve të mallkuar të 1912-s por e urren njëlloj. Ai kufi ka bërë që Luma e Kolesjanit të gjendet më larg Prizrenit se çdo pikë tjetër e hapësirës shqiptare jashtë kufijve gjysmake të shtetit amë. Kështu që unë dilja i largët në krahinën time".