NË TREGUN E PIREUT
E enjte, 29-11-2007, 08:15pm (GMT)
Kushdo që ka shkuar në Pire (Athinë) është mrekulluar. Një vend me histori e me bukuri të madhe. Edhe pse është një lagje e Athinës, me shumë lagje, Pireun grekët e veçojnë dhe e mbajnë për qytet më vete. “Parajsa e zhytur në det” thonë për Pireun. Historikisht Pireu ka qenë nga portet më të vjetër të Mesdheut e të botës. Historia e luftrave të Greqisë së Lashtë nuk mund të diskutohet pa të. Tashmë limanet e vjetër kanë mbetur me nga një pllakë historie në gjoks, për t’u treguar brezave se pa histori nuk ka zhvillim, nuk ka modernizëm. Sa zbret nga vagonat e trenit elektrik përballesh me pamjen gjigande të portit, ku çdo ditë nisen dhjetra vaporë të mëdhenj për gjithë skajet e botës-lundruese. Në Pire ndodhen me dhjtera banka, me qindra dyqane të gjithëllojeve. Por në këto dekadat e fundit Pireu ka bërë emër edhe për tregun e famshëm të së dielave. Ky treg është i vetmi në Greqi (pas mbylljes së Manastiraqit më 1994) dhe në Europë. Kjo mbase lidhet dhe me traditën dhe nivelin ekonomik të Greqisë. Me njhë gjatësi prej 1,5km., Tregu i Pireut mban brenda mijëra klientë nga e gjithë Greqia, turistë, kurreshtarë, pa llogaritur pastaj emigrantët, ku në gjithë orët flitet më shumë shqip. Në tetë orët e jetës së tregut nëpër të kalojnë mbi njëmilion vizitorë: blerës-shitës-shikues. Shqiptarët-tregëtarë janë si ndihmës të pronarëve grekë, por edhe tregëtarë të pavarur. Të dielën e dytë të korrikut hyra në Tregun e Pireut për të blerë disa kaseta filmash shqiptarë. Edhe pse dielli të digjte, si në Athinë, tregu ishte plot e vetëm plot sa nuk mund të ecësh dot pa u kthyer brinjazën. Me një gazette “Labëria” në duar kaloja bango më bango. Befas dëgjova tingujt e një kënge: “Bilbilejtë trembëdhjetë, Vanë në litare vetë…”. Ishte kënga e Bilbil Shakos, që e vuri vetë litarin tek rrapi i Janinës, pa pritur dorën e dridhur të vrastarëve turq. (Thuhet se aty ku u varën trembëdhjetë Bilbilejtë çdo vit bien rrufetë). Sa mbaroi kënga u gjenda përballë dy të rinjve që tregëtonin kaseta me këngë labe. -Nga jeni?-i pyes duke buzëqeshur. -Nga Tepelena-më thotë më i madhi në moshë. -Nxirrni gjë me këto kaseta? -Sa të nxjerrim, po njerëzit nuk i kursejnë njëmijë dhrahmi për të kënaqur veten. -Edhe unë e dua një kasetë me Bilbilejtë. -Pse ka gazetë “Labëria”?-pyeti i gëzuar djaloshi tepelenas duke më parë gazetën “Labëria” në dorë. -Të lutem të të dhuroj “Bilbilejtë” do më dhurosh “Labërinë”. Më ka marrë malli të lexoj për Labërinë time. -Gazetën do të ta dhuroj, por kasetën do e blej se kushton shumë. -Lëri llafet, atë e di unë-foli i kënaqur tepelenasi. U largova shumë i emocionuar. Ata edhe fitonin edhe mbanin gjallë dashurinë për vendlindjen, për këngën shqipe. “Kënga është shpirti i kombit. Ajo këndohet në lindje, në dasma, por edhe në vdekje, kush harron këngët e tij s’ka më atdhè!”.-më thoshte një shoku im poet nga Lunxhëria. Dhe më recitonte disa nga vargjet e tij:
Kënga kur ka lindur, Ç’thotë për të zemra? Një ditëlindje kanë Shqiptari dhe kënga…”
Athinë, 1999
|