|
|
|
Një libër për "rrënjët" dhe "identitetin"
E shtune, 02-02-2008, 12:04pm (GMT)
Rrugëtimi i gjatë dhe i çuditshëm i jetës e përplas njeriun gjithandej dhe ndodh që e transformon atë. Nganjëherë dhe e shpërfytyron atë. Ndaj, konsiderohet virtyt kapja pas rrënjëve kudo që mund të të hedhin erërat e fatit. Këto rrënjë gjenden zakonisht në ato që poetikisht, u themi "gurrë sokaku", "prag shtëpie" ose fizikisht, qyteti, fshati, apo treva "ku linda", "nga jam". Duke qëndruar te këto rrënjë, ose duke i kujtuar ato, ndodh që njeriu gjen prehje dhe çlodhje për një çast, ose nga përmallimi, ose nga grafullimi i emocioneve në zjarrmimin identitar që has në subkoshientin e vet. Dhe këtë përjetim ofron studiuesi Hysë Hasa, i cili ka shkruar një vepër voluminoze kushtuar fshatit të tij Vilë në rrethin e Kukësit, një ndër fshatarët e krahinës me zë të Lumës. Që në titull, autori e quan fshatin e tij, pjesë të krenarisë së Lumës dhe në faqet e librit, haset fenomeni i njësimit të fshatit me krahinën në shumë qasje, qoftë historike e qoftë sociale. Autori thotë se shtysë e tij për të shkruar librin, kanë qenë bisedat e lira mes pleqve dhe të rinjve të fshatit në tubime të ndryshme, gëzime e hidhërime. Dhe ajo që vlerëson më tepër autori nga fshati i tij, është ruajtja e kulluar e traditave shpirtërore dhe e kulturës materiale. Vepra e Hysë Hasës, përmbledh historinë e fshatit që nga lashtësia, duke shfrytëzuar burimet e ndryshme arkeologjike dhe historike. Më pas, rendit bajraqet e Lumës; ndalet te kështjellat e trevës, si dhe në disa histori e bëma të njerëzve me emër. Një kapitull ua kushton fiseve të fshatit dhe ndalet veçanërisht te fisi i tij, Hasa. Shkruan gjithashtu për luftërat në shekuj të banorëve të fshatit. Kapituj të veçantë u ka kushtuar aspekteve ekonomike, si dhe veçorive bujqësore e atyre blegtorale. Ka shkruar për organizimin shoqëror të fshatit; për traditat familjare me doke e zakone. Dhe në fund të librit, veç fotove ilustruese, ka shkruar dhe për lëvizjet demografike të fisit Hasa, duke ofruar të dhëna për vendndodhjet e tyre aktuale pas largimit nga fshati. Fotot nga Vila, janë një tjetër pjesë tërheqëse e librit, ku autori ka fokusuar disa shtëpi me emër, një shkollë të rrënuar, si dhe disa livadhe e lëndina të fshatit.
Shqip
|
|
|
|