Çami i Filatit dhe kosovari i Mynihut
E hene, 18-02-2008, 06:16pm (GMT)
“... GJUHA JONË SA E MIRË...”
Bashkë me një mikun tim hymë në një lokal të vogël, në rrugën “Zinono” , Athinë, dhe porositëm nga një birrë. Kamarieri ishte një mesoburrë i shkurtër e i shkathët. Ne akoma nuk kishin këmbyer dy fjalë, ai u gjend me dy birrat që i mbante majë gishtave të dorës së majtë, në një tabaka, në dukje argjendi. -Shqiptarë jeni zotërinj ?- foli kamarieri duke na përshëndetur me kokë. -Po, po juve, mos jeni nga Gjirokastra? Ai qeshi, na pa në sy me dashamirësi dhe na tha se ishte shqiptar, por jo nga Gjirokastra. -Nga dialekti dukeni si gjirokastrit, ia ktheu miku im. Por unë s’kam qenë asnjëherë në Shqipëri ,-sqaroi kamarieri. - Si s’keni qenë në Shqipëri ?- pyeta unë. - Jam çam nga Filati,-shpjegoi përsëri kamarieri. Ndërsa kamarieri vajti tek një klient i porsaardhur, ne mbetëm disi të shushatur. - Epo të ka faj çami ?! Është më shqiptar se shqiptarët –foli si me shaka miku im dhe e gjysmoi birrën me një frymë. - I rritur dhe i lindur këtej dhe e flet shqipen më mirë se disa emigrantë që më shpejt kanë harruar shqipen se kanë mësuar greqishten- fola unë me mikun e tavolinës. Në këtë kohë ia mbërriti kamarieri. -Nuk dua t’ju lë vetëm, por puna ... -Si ka ndodhur që nuk e keni harruar shqipen?- e pyeti sërish miku im. -Ndonjë i ikur nga Shqipëria mund ta harrojë, kurëse ne e kemi folur brez pas brezi . Atë që do shumë nuk e harron – dhe ai përsëri qeshi miqësisht. - Kini vite këtu tek kjo punë ?- pyeti miku im sa për të vazhduar bisedën. - Kam katër vjet. Më parë kam qenë në kurbet. Në Amerikë, në Gjermani ...edhe andej shqipen nuk e harruam, se do bëheshim harram... - Pse thua “ nuk e harruam”?-fola unë. - Se nuk kam qenë vetëm . Isha në punë me një kosovar në Mynih .Ai kosovari mbante ca libra në shqip dhe lexoja edhe unë bashkë me të ... “Gjuha jonë sa e mirë / sa e ëmbël, sa e dlirë ...” recitoi ai vargjet e Naimit dhe fluturoi tek një klient i porsaardhur ... Duke marrë vargjet e Naimit me vete , dolëm nga lokali të mrekulluar.
Athinë 1997
|