Halil Haxhosaj
PËRJETIMET E BURGUT,
DËSHMI PËR KALITJEN E KAUZËS KOMBËTARE
Muhamet Rogova: “Kujtime nga burgu”, botoi Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 2008.
Popujt e robëruar gjithmonë janë të kanosur nga represalie dhe tortura të mëdha, madje edhe deri në shfarosje. Por, ndodh që kjo të qëndrojë edhe si mjet ngadhënjimtar për kalitje revolucionare që nëpër faqet e historisë botërore lënë gjurmë të pashlyeshme. Një fat të tillë e pati edhe populli shqiptar në të gjitha trojet veta. E pati të tillë këtë fat sepse që nga Teuta e Agroni e deri në fillim të shekullit XX, u detyrua të luftojë për liri dhe pavarësi. Të luftojë kundër të gjitha ngjyrave të sunduesve dhe të pushtuesve që ndërroheshin duke okupuar trojet e tij. Por, më dominuesit ishin romakët që zhduken Ilirinë, turqit që sunduan një gjysmë mijëvjeçari dhe sllavët, e sidomos serbët, që trevat e shqiptarëve i shpallën toka të shenjta të tyre. Dhe secili pushtues duhej luftuar, duhej zhbirë nga këto troje, duhej hequr mjegullat e robërisë së tyre. Por, luftërat nuk bëheshin vetëm në fushat e betejave. Ato zhvilloheshin edhe me penë, edhe me shpatë, edhe me pushkë, por edhe me vuajtje të rënda nëpër burgjet e kazamatet e tmerrshme të të gjithë okupatorëve. Dhe për të burgosurit shqiptarë nëpër burgjet armike lindën shumë këngë, tregime, madje edhe romane e drama, por edhe filma që sot janë pasqyrime dhe dëshmi reale të asaj kohe të historisë sonë.
E këtillë është edhe vepra e Muhamet Rogovës “Kujtime nga burgu”, që sapo doli nga shtypi. Kjo vepër pasqyron në mënyrë reale një periudhë kohore të rezistencës gjatë viteve të 70-ta dhe të 80-ta të shekullit të XX. Andaj, vepra mund të shikohet si pasqyrim në dy njësi kohore të kësaj rezistence që janë:
1. Veprimtaria e Ilegales dhe rezistenca e saj dhe
2. Dënimet e veprimtarëve të Ilegales në burgjet serbosllave.
Edhe faza e parë, edhe e dyta bashkëdyzohen mirë dhe funksionalizohen duke marrë frymë bashkë në këtë vepër të autorit Muhamet Rogova pa teprime, pa glorifikime, madje as pa ideologji dhe pa partishmëri të programeve partiake të sistemeve pluraliste shoqërore. Duke e shtruar lëndën në veten e parë njëjës, autori ia arrin që të shprehet ashtu siç kishin ndodhur ngjarjet në burgjet dhe tmerret e ish Jugosllavisë titoiste dhe pas titoiste. Andaj kjo formë e shkrimit, autorit Rogova i jep mundësi që të shkruaj ashtu siç duhet të shkruhet një vepër e këtij zhanri letrar. Dhe mu për këtë lexuesi i vëmendshëm këtu do të gjej, përveç fakteve dhe përjetimeve të të burgosurve, edhe disa momente që janë krijime letrare. Janë artistikisht të realizuara momentet e shikimit të autorit në vijat e murit të qelisë së burgut, të cilat në mendjen e tij shndërrohen në një figuracion të fytyrave të njohura të popullit tonë. Pastaj aty me të në qeli është edhe Shefqet Telaku nga Banja e Malishevës, të cilin e thërrisnin Aga Ymeri, sepse burgoset ditën e dytë të dasmës pa u njohur mirë as me nusen, i cili nuk mërzitet fare, por mburret që ka dhënë diçka për kauzën kombëtare. Poashtu edhe dëshmia e lisave të oborrit të burgut për varrezat e të burgosurve korrespondon me elementin popullor, por edhe kadarean të dëshmisë për të gjitha të këqijat dhe maltretimet që i bëhen njeriut. Këtë element e shpreh bukur Ismail Kadare në veprën e tij “Emblema e dikurshme”. Por, elemente artistike dhe dëshmi janë edhe pikturat: portreti i Musli Kasumit, portreti tjetër i Berat Luzhës duke luajtur shah dhe piktura e ballinës së librit të burgosurit Sylë Muja si dhe vargjet e këngës “Kënga e fluturës”, që përherë të parë janë dëgjuar në burg.
Duke e paraqitur jetën e vet në burg, autori ia arrin të shpalosë të gjitha elementet e kësaj jete të protagonistëve për të cilët përkujton, andaj kjo jetë është e tillë për të gjithë, sepse: “Jeta ime është jeta e juaj, ju jetoni atë që jetoj edhe unë. Kur ju flas për vete kam folur edhe për ju”, thotë shkrimtari dhe mendimtari i njohur francez, Viktor Hygo.
Torturat dhe dënimet e të burgosurve shqiptarë në burgjet famëkeqe të Nishit, Beogradit, Leskovcit janë të njohura për shumicën e popullatës shqiptare të Kosovës. Andaj, edhe lexuesi, duke e lexuar këtë vepër depërton në thellësinë e përjetimeve të aktorëve të kësaj katrahure. Por, të burgosurit shqiptarë i përballojnë të gjitha këto. Ata janë të qëndrueshëm edhe kur maltretohen fizikisht e psiqikisht, edhe pse shpesh përballën me vdekjen, duke qëndruar me muaj nëpër qelitë e errëta të atyre burgjeve të tmerrit. Dhe, ata edhe pse vuajnë dënimin, nuk mposhtën, por kaliten edhe më tepër, qëndrojnë edhe më krenarë, edhe më të bindur dhe më të paluhatshëm në idealin e tyre të shenjtë për çlirimin e Kosovës nga thundra serbosllave e ish Jugosllavisë.
Njëri ndër elementet dominues në këtë vepër është ai i tentimit për dënimin dhe mposhtjen morale të të burgosurve shqiptarë. Ky element mundohet të sendërtohet sa më thellë dhe sa më suksesshëm tek ata. Por, mu këtu policëve, inspektorëve, hetuesve, udbashëve dhe të tjerëve iu “hasë sharra në gozhdë”, sepse secili nga të burgosurit politikë shqiptarë është stoik, i vetëdijshëm dhe i paepur për misionin që kryen. Asnjëri prej tyre nuk pranon të bie pre e provokimeve, shantazheve, joshjeve dhe lajkave të stafit të burgut. Ata, madje kaliten edhe më shumë kur i zbulojnë qëllimet e tyre. Kjo ilustrohet më se miri gjatë proceseve gjyqësore, dënimeve, pastaj maltretimeve dhe formave të tjera që paraqiten në kujtimet e Muhamet Rogovës. Moment i dalluar është kur autori Rogova e uron për dënimin e shqiptuar Hysen Gegën duke i thënë: “Sa vjet të dënuan? 12 vjet! Për hajr të qoftë! Feleminderit, ma ktheu. Ky është urimi më i mirë që ke mundur të ma bësh. Kështu ishte zakon edhe në të kaluarën ...”. Hysen Gega shpesh e përdorte një thënie, mbase të dëgjuar nga Jusuf Gërvalla; “Burgjet plot, liria te dera”, apo edhe, sa herë lexonin në gazeta apo shikonin në emisionet e lajmeve të televizioneve serbe, se po dënoheshin veprimtarë të lëvizjes dhe pjesëmarrës të demonstratave, të burgosurit gëzoheshin sepse po masovizohej Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Por, më objektivet dhe më interesantet janë ato që i ndodhin autorit. Ai i shpalos këto tentime deri në detaje, duke qenë i vetëdijshëm për qëllimet e tyre. Andaj, të gjitha bisedat me edukatorin e burgut, me hetuesit e ndryshëm, por edhe me të burgosurit e tjerë, e sidomos me ata serbë, janë një anë e shndritur e asaj jete dhe qëndrimi stoik në burg. Dëshmi për mos thyerjen morale të burgosurve shqiptarë janë bisedat e autorit me inspektorin Misha, e sidomos me edukatorin e burgut. Ai i bind se lufta e tyre për çlirimin kombëtar të Kosovës është e drejtë, patriotike dhe jo armiqësore. Edhe pse Muhamet Rogova asnjëherë nuk pranon të bie pre e kurtheve të kurdisura nga armiku serb i burgut dhe nuk pranon të kryej pushimet në shtëpi, madje as të shkruaj dy fjali si lutje për ta lëshuar më herët nga burgu. Të gjitha këto, madje edhe qëndresa të tjera, këta të burgosur i bënin vetëm e vetëm për të mos e përulur idealin e tyre të shenjtë që e bënin për kauzën kombëtare. Autori Muhamet Rogova mburret për të gjitha ato që i ka përjetuar bashkë më të gjithë të tjerët, edhe pse i kujtohen fjalët e inspektorit serb kur i kishte thënë:; “Mos mendo se kur të shkosh në qytetin tënd do të pritesh nga bashkëvendësit e tu si hero. Do të shohësh se si do të presin ata dhe do të bindesh vetë”. Nga të gjitha ato që shkruhen nga pena e autorit Muhamet Rogova në librin e tij “Kujtime nga burgu” janë dëshmitë më të forta dhe më reale për mos thyerjen morale të të gjithë të burgosurve shqiptarë që vuanin dënimet nëpër burgjet e tmerrshme të pushtetit të ish Jugosllavisë.
Andaj, ky libër i këtij autori është edhe një dëshmi, madje edhe një dokument i të gjitha përjetimeve, persekutimeve, maltretimeve, dhimbjeve dhe vuajtjeve të tjera të të dënuarve politikë të kësaj kohe, duke filluar nga data 15 maj e vitit 1981 e deri më 16 maj të vitit 1987. Kjo kohë prej gjashtë vjetësh e pasqyruar në veprën e Muhamet Rogovës është madje edhe begati letrare në “Letërsia nga burgu”, siç e definon Bajram Kosumi këtë krijimtari, si një kapitull në vete në Historinë e letërsisë së sotme shqipe.