RECENSION
Stil lucid e i thellë
(Gjekë Marinaj, Lutje në ditën e tetë të javës, poezi, Faik Konica, Prishtinë 2008)
Nga Anton Gojçaj
Ndodh që lexuesit të pasionuar herë pas here t'i bierë në dorë një libër me përgatitje modeste teknike dhe me vargje modeste. Ngjan që një libër të ketë dizajn luksoz, por pak vlera letrare përbrenda. Ka pasur dhe ka raste që një botim modest, nga dukja e jashtme, të të befasojë me brendi të bukur. Por rrallë përputhen të dyja, edhe përgatitja teknike të jetë e nivelit të lartë, edhe prurja ideo-estetike shumë ngacmuese. Vëllimi poetik "Lutje në ditën e tetë të javës", për mendimin tim, paraqet një përjashtim - në kuptimin e mirë të fjalës, sepse ai kënaq edhe me artin e dizajnimit të librit edhe me prurjen artistike që ofrojnë vargjet.
Poezia e Gjekë Marinajt i ka katër elemente të rëndësishme për një lirikë të mirë: emocionin, figuracionin, refleksionin dhe erudicionin.
"Poetit i pat humbur me kohë harmonia e trupit
Me mendjen. Koordinimi i shpirtit
Me vargun, jo. E gjithë kjo në platformën
Që luciferi pat projektuar për poetët shqiptarë."
(Sot u lind Frederik Reshpja)
Frymëzimet e këtij poeti, si një gurrë e gjallë në bjeshkët e Veriut, ngjizin konotacione të pafundme. Shqetësimet e tij kanë origjinë herë intime/personale, herë fisnore/etnike, herë filozofike/ekzistencialiste. Ai është i "kryqëzuar" ndërmjet Shkodrës dhe Nju Jorkut, edhe si gjeografi, por edhe si sintagmë metaforike e lavdisë (njëkohësisht e dhembjes)
së të kaluarës, dhe i pushtimit agresiv të ardhmërisë!
"Unë metal i humbur
Në perëndim,
Ti forcë magnetike
E ngulur në lindje.
(...)
Që të mos vdes
Takohemi përditë
Aty ku dhemb."
(Shqipëri)
Poezia e Marinajt është moderne në kuptimin e plotë të fjalës, si me shprehjen e jashtme, ashtu edhe me nëntekstin shumë të gjallë. Autori poezinë nuk e shkruan veç si një refleksion ndaj jetës, por pandërprerë e stis jetën e vet (me dashurinë, të kaluarën, të sotmen, vendlindjen, Amerikën, me artin e shkencën, me poetët...) në vargje. Bota, sado e madhe dhe kaotike, e tëra është aty, në poezinë e tij.
"Segmenti optik i kulturës së vuajtjes,
Zbërthimi i bërthamave të atomit klandestin,
Eksplozivi kimik dhe rezultati i shpërthimit,
Mbeten strategjia ime e mësymjes,
Sistemi mbrojtës nga forca shtytëse e gazeve."
(Autoportret i avancuar)
Në vargjet e lartcituara kemi një mostër/kampion të laboratorit krijues të Marinajt, ku shumë bukur del në shesh mjeshtria alkimiste e krijuesit, i cili arrin që fjalëve/koncepteve të huazuara nga fjalori i shkencave ekzakte t'ua transformojë funksionin dhe njëkuptimësinë, duke i "zbutur" në kasnecë të gjallë të mesazheve shumëkuptimëshe të krijuesit.
Lirika e tij bashkëjeton me personalitete të njohura të kulturës shqiptare, por edhe botërore, duke krijuar një kod mjaft pjellor mesazhesh, pse jo edhe interpretimesh.
Një vlerë e kësaj poezie nuk mund të anashkalohet, që është energjia e saj jetë/frymëdhënëse dhe komunikuese (në kuptimin e intertekstualitetit) që hyn edhe në botën e të vdekurve për të biseduar me ta.
"E shqyet si një ciklon pjesën tuaj të poezisë nga jeta.
Ndonëse turma e të bekuarve me ndëshkim në ferr
Të mbyti, ju kurrë nuk e ngjyet penën në lumin Leta."
(Migjenit)
Vargjet erotike të Gjekë Marinaj, nuk janë të ngurta, por vrushkuj të vërtetë imazhesh vizuale, ndjenjësore dhe mendimore, siç është rasti në poezinë e bukur - Vajzat:
"Nuk ke si të mos i duash vajzat
Që me shikimin e tyre të blertë
Botën shkujdesur e dritëçajnë në mes.
Përhapen si lulëkuqe të brishta
Nëpër fushat e grunjta të ëndjes
Me delikatesën e një ëndrre erotike para zgjimit
(Vajzat)
Megjithëse në një mjedis jashtëzakonisht dinamik çfarë është Amerika, poeti nuk i ka këputur lidhjet shpirtërore me të kaluarën e fisit. Kështu, ai krijon edhe një portret metaforik shumë domethënës kolektiv, psikologjik, të malësorit:
"Në ikje u vinte erë varri.
Malësorët e mbajnë kryet një spik sipër reve!"
(Retë, luftës së Deçiqit)
Figuracioni i poetit është mjaft i pasur (përherë shumëkuptimor), befasues, me kulturë të lartë stilore dhe gjithmonë me përshkrime vizuale:
"Dimri tek fishkëllen një melodi të vjetër pagane,
Ndjek ardhjen tënde drejt meje duke dredhur mjekrën.
Ti si një ortek i furishëm rrokullisesh duke qeshur;
Më shkëput nga toka më ëmbël seç puth vesa bjeshkën."
(Më ëmbël seç puth vesa bjeshkën)
Po të donim që interpretimin tonë t'ia përshtatnim botës së sotme hedoniste, atëherë do të mund të thuhej se në pjatën lirike që lexuesit i ofron Gjekë Marinaj gjendet një gjellë e bukur në dukje të jashtme, e larmishme përnga përbërja, e shijshme dhe njëkohësisht shumë ushqyese për shpirtin e lexuesit.
Formula më e shkurtër e mundshme interpretuese e vargjeve të vëllimit "Lutje në ditën e tetë të javës" të autorit Gjekë Marinaj, do të ishte – poezi mendimesh të thella dhe lucide.