Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E merkure, 07-01-2009, 10:21pm (GMT) Letersia STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R-RR
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Arkiva » Kritika - Analiza
 
Preç Zogaj në kufirin e jetës
E merkure, 18-06-2008, 08:54pm (GMT)

Artan FUGA

E lexova me interes të veçantë librin e fundit me poezi të Preç Zogajt. Titulli i tij, që duhet të jetë një farë kredoje e autorit, të tërheq prej mënge dhe nuk të lejon ta shuash kureshtjen pa mësuar se çfarë do të thotë: «Gjallë unë pashë». Dy fjalë vendimtare bashkuar në një fjali gati të pambaruar. Sikurse është vetë poezia, po t’i besojmë Umberto Eco-s, pra një anti-entropi e pashoqe e fjalës, një organizim i lartë ku çdo tingull a fonemë duhet të jetë në vendin e vet, e kursyer pra për ta lënë lexuesin ta mbushë me kuptim vargun.  «Gjallë unë pashë» është një thirrje qysh në titull për të parë atë që normalisht shpresohet të shihet përtej kufirit të jetës. Përtej kufirin të jetës, Preç Zogaj na fton me vëllimin e tij të fundit poetik, herë me një varg që i ngjan një thirrjeje me kadenca të mprehta dhe të shkurtra, herë me stil më të shtjelluar shumërrokësh, për të parë përtej asaj që na lejojnë kufijtë tanë fizikë.
E gjithë poezia e tij kësaj radhe është përtej fizikes. Përtej trupit, shqisave, kufirit të jetës, për të bërë përpjekje për të na çuar atje ku është e pamundura: çfarë ka përtej jetës? Përtej fizikes shoqëria dhe njeriu i sotëm ka nevojë të shohin e të shkojnë. Lexojeni Preçin me kujdes, sepse na shëtit udhëve ku vetë ka shkuar, me mundim, me stil elegant, me fjalë të kursyer, me shqipe të pasur, të thjeshtë, duke shtruar rrugë ku mund të vrapojmë pa pengesa.
Na thotë se kuptimi i jetës nuk mund të gjendet brenda botës sonë materiale, brenda shkencës, brenda së tanishmes. Brenda fizikes nuk mund të mbyllet morali, shpirti dhe kuptimi i jetës së njeriut. Fizika është pa moral. Materialja në fund të fundit të çon asgjëkund.
Këtë ke thënë Preç?
Kështu të kam kuptuar.
Duhet kapërcyer kufiri midis jetës dhe përtej–jetës për të parë më qartë se çfarë ndodh gjatë viteve që jetojmë fizikisht mbi këtë planet. Është njësoj sikurse për të parë peizazhin dhe konturet nëpër të cilat formësohet shtegu i lodhshëm që ngjisim, na duhet të hipim më parë në majën e malit, ta kemi kryer rrugën e lodhshme. Atje në krye të malit të thepisur ka vend për të kthyer kokën pas e për të kuptuar se nga kemi kaluar. Poeti e kthen kokën pas, të tjerë nuk kanë guxim ta bëjnë se kanë mendjemarrje.
E kërkon këtë Preçi me poezinë e tij, e cila përpara se të jetë ritmikë, stil, tingull, fjalë e kërkuar me elegancë, është mendim. Nuk ndahen dot këto në poezinë e Zogajt. Disa herë duhet kuptuar se mendimi i tij është «zipuar» për t’i lënë vend tingëllimit, ritmit fonetik, herë të tjera, ai braktis çdo rregull poetike, dhe si një njeri me mirësjellje të paparë i hap rrugë mendimit.
Hapuni gardhe zanoresh, zmbrapsuni presje, pika, rregulla morfologjike: po kalon mendimi!
Edhe në përmbajtje, edhe në formë, Preç Zogaj kërkon të kalojë përtej fizikes.
Doja ta lexoja poezinë edhe për të kuptuar autorin, mikun tim të vjetër. E kam parë këto vite më të qetë, më të matur, sytë i shndërrijnë më shumë, shohin më larg, kur e kryqëzoj herë pas here në ndonjë kafene a takim artistësh. Flet më qetë dhe e zgjedh fjalën edhe kur flet jo poetikë, por politikë. Me qetësi olimpike ai duket se do të kapë kohën që ecën shumë shpejt. Mendo ngadalë të ecësh shpejt në kuptimin e kësaj bote ku jetojmë!
Shkon shpesh e më shpesh Preçi te zona e tij elektorale, më thotë një miku ynë i përbashkët. E kuptoj se nuk është thjesht politikë ajo që bën miku im, nëpërmjet politikës ai ndërton pëlhurën e poetikës së tij, metafizikës së tij. Përtej politikës dhe fizikes është poetika dhe metafizika.
Hyp në majë të malit për të kuptuar se në çfarë rruge ke kaluar!
Kam shkruar edhe për vëllimin pararendës që Preç Zogaj botoi para një viti a dy. Atëherë fillonte era e re. E desha shumë atë vëllim. Aty ndjeja se për të kaluar përtej kufirit të jetës, Zogaj si poet po përgatitej të përdorte një «armë» tejet të sofistikuar.
Katolicizmin e tij si traditë shekullare.
E ndjeva dhe e paralajmërova për publikun. Pata frikë se mos Preçi do të më mërzitej, sikurse e kam edhe tani, sepse ajo që deklaroja atëherë publikisht ende nuk dukej haptazi, por unë e ndjeva, sepse kam afro tridhjetë vjet që punoj me metafizikën e krishterë, veçanërisht me atë katolike.
Asgjë nuk ndodhi.
Preçi nuk më tha asnjë fjalë të hidhur. Vetëm qeshte me butësi pa lënë asnjë kuptim të qartë pas dritës që lëshojnë në kësi rastesh sytë e tij. Heshtte dhe tundte kokën me butësi.
Këtë radhë shenjat e pasurisë së tij shpirtërore kanë dalë hapur në sheshin që shpalos përpara nesh poezia dhe mendimi i tij. Metafora e Zotit, e Marisë, e inkarnimit, janë aty, të shpalosura qartazi.
Mirë ke bërë Preç!
Secili lufton me mjetet e tij.
E përball këtë botë me mjetet që i kanë lënë të parët.
Nuk ka kohë në këtë jetë të farkëtosh nga e para armët e tua shpirtërore, personale, nuk ka kohë të krijosh asnjë fjalë të vetme. Marrëzi për ata që kujtojnë se mund të bëjnë ndryshe dhe mund të prodhojnë revolucione kulturore. Preçi e ka gati prapavijën shpirtërore dhe mendore për të bërë poezi për vijën ndarëse të jetës me përtej – jetën. Mjafton të kthehet te grupi i tij parësor i shoqërizimit, komuniteti i madh i parimeve morale i njerëzve të zonës, familjes, por edhe aq i përbotshëm.
I them mikut tonë të përbashkët, Henri Çili, se tek nja dy botimet e fundit që kanë dalë tani në qarkullim shoh një horizont të ri që po lind në letrat shqiptare dhe kjo më pasionon pa masë. Po strukturohet letërsia, poezia, romani, që ndërton mesazhe universale nisur nga përjetime dhe parime morale dhe estetike komunitare.
Po rilind letërsia komunitariste në Shqipëri.
Arti po bëhet më i sinqertë atje ku ai guxon të shprehë veten e tij.
Më i plotë, më i thellë, më me rrënjë, po i ikën më në fund pas dyzet vjetësh revolucionit kulturor kinez në Shqipëri. Ka pasur shenja të mira dhe më parë, dhe tek autorë dhe mjeshtër të tjerë të fjalës.
«Mos të mërzitet Preçi», - më tërheq vëmendjen me të shpejtë duke shkuar për diku Henri Çili.
«Jo», – i përgjigjem, «nuk besoj, sepse për mua, qysh prej Habermasit, mesazhi universal i artit nuk është një gjuhë si e fizikës dhe e matematikës, ku semantika është e njëjtë, e shkëputur nga bashkësia shpirtërore e grupit».
Mesazhi i vërtetë universal shpirtëror është antifizik. Ai i këndon universales, kërkon të zgjidhë mistere universale, loz me dritën dhe hijen e shpirtit universal njerëzor, duke e parë nga një këndvështrim i caktuar.
I ka gati armët filozofike Preç Zogaj me katolicizmin e tij krejtësisht të ngjizur me doza skeptike, të shekullarizuar, integral nga pikëpamja se është para shënpalian, shkon atje ku njeriu është para institucionit, dhe ku njeriu i madh ka nevojë për qenien e madhe për t’iu mësuar bashkëkohësve të tij sesi të jetojnë.
Të përballojnë jetën.
Është peshë e rëndë jeta, tregon Preçi çiltër me vargun e tij, që duket sikur herë jep reflekset e një metalizatoje të verdhë mendimi, herë një ngrohtësi ndjenjash që të kujtojnë blunë.
Në penat më të mira të këtyre viteve të fundit universet shpirtërore krahinore, të bashkësive shpirtërore, të gjuhëve, dialekteve po na sjellin pamje krejt të reja, duke thithur dhe shprehur atë që një art dogmatik universal, hipokrit, i ndërtuar gjoja mbi njeriun anonim, të barabartë, në rresht, kërkonte dhe s’e shprehte dot, sepse i pasinqertë.
Iluzion i madh heretik kur autori nuk flet në emër të vetes, të traditave të tija, por shtjellohet si një individ anonim, shprehje e ndërgjegjes së paqenë universale që të vdekshmit nuk mund ta kenë.
A do të vijë koha që kombi ynë ta mësojë multikulturalizmin bashkëkohor, duke kapërcyer revolucionit kulturor të ndërgjegjes historike universale, të kapërcejë autorët anonim, të kuptojë se fragmentimi dhe diversiteti kulturor ndërtojnë një universalizëm të një lloji të ri, ku po shkon bota e sotme e emancipuar?
Duken shenjat e para.
Pa dyshim se poezia e Preç Zogajt është në avanguardë, herën e parë paksa në mënyrë të kujdesshme, ndërsa tani më hapur. Nuk ka asnjë dogmë kanonike aty. Është një tërësi vlerash morale dhe mendimi pa asnjë dogmë institucionale. Edhe bashkësitë e tjera shpirtërore te ne i kanë të gjitha instrumentet morale dhe psikologjike për ta arritur këtë pikë për të reflektuar dhe poetizuar vijën ndarëse të jetës. Për të na hipur pra në atë majë mali e parë që andaj shtegun e thepisur, nëpërmjet të cilit jemi ngjitur duke mbajtur në shpinë secili gurin e tij të rëndë të Sizifit.
Në një farë mase, aq sa e kanë lejuar forcat e tija të mëdha morale dhe shpirtërore, aq sa e ka bërë të mundur me dinjitet arti i tij poetik, mendimi i tij, durimi i tij, Preç Zogaj iu jep një dorë të gjithëve, pa iu kërkuar asgjë. Hajde mik, po e mbaj edhe pak peshën e gurit tënd të rëndë, të tregoj si ta mbash më lehtë.
Na ka dalë borxhit.
Mos u hiq sikur je po kaq i sigurt në vetvete sikurse dukesh në timonin e automobilit tënd të madh, sikur dukesh atje në foltoren e Kuvendit, atje pas banakut të dyqanit tënd të madh, atje pas fotografisë hipokrite në revistat gënjeshtare me ngjyra, atje ku laureohesh, merr çmime, bën grevë, rreh, të rrahin, ndeshesh në fushën e blertë. Vjen darka, para gjumit, je vetëm me veten miku im. Mos kujto se nuk e dimë se sa i dobët je në ato çaste. Atë gur të rëndë a e mban dot, kur të kapllos mendimi se përse ka vlejtur në fakt dita jote?
Për të bërë lekë?
Po leku përse vlen?
Për të blerë rroba, automobil, apartamente të pa fund, celular?
Po këto të fundit përse vlejnë?
Për pushtet?
Po pushteti përse vlen?
Për të bërë lekë?
Nisemi nga e para.
Je në rrugë të gabuar miku ynë, nuk e gjen kuptimin e fizikes nga vetë fizikja. Duhet të ndjekësh tjetër rrugë. Lexo poezinë që po të them.     
Teknika e poetit Zogaj për të poetizuar kufirin midis jetës dhe përtej - jetës është e bazuar, sikurse do të thoshte Niçja, në një dije të gëzuar. Kapërcimi nga jeta te përtej - jeta është pjesë e jetës. Mësimin dhe interiorizimin e këtij akti sublim duhet ta bëjnë si gjeneralët e mëdhenj të ushtrisë, ashtu edhe lypsarët, në mënyrë të barabartë, sikur të ishin qytetarë të një demokracie perfekte që kërkon barazinë e shtetasve para ligjit.
Kalimi bëhet disa herë gjatë jetës aq sa mësohet. Përndryshe njeriu nuk do të ishte në gjendje ta përballonte jetën.
Përtej-jeta është kushti i ekzistencës së jetës.
Siç thoshte Frojdi, pas të dyzetave njeriu duhet të jetë tashmë i përgatitur për këtë pasuri shpirtërore pa të cilën vështirë se do të quhej burrë a grua, por do të kishte mbetur një fëmije nga tre deri në pesë vjeç, sikurse mbesin pa fund individë që banojnë në këtë planet.
Cilat janë disa nga përmasat e vazhdueshme dhe të shpeshta të këtij kalimi nga fizikja te metafizika, sipas poetit?
Janë shumë përmasa, të cilat lexuesi ndofta do të ketë dëshirë t’i njohë vetë nga afër duke lexuar vëllimin me poezi. Sidoqoftë le të përpiqem ta ftoj me disa shembuj në këtë rrugë.
Mbi të gjitha jeta si një kthim i përjetshëm.
Nuk ka gëzim konstant në vijë ngjitëse, nuk ka dëshpërim konstant në vijë ngjitëse. Njeriu është bërë i tillë që të përsërisë ciklet e gjendjeve të tija shpirtërore, të jetojë në kufi, në kufirin e gjendjeve që zëvendësojnë njëra-tjetrën. Preç Zogaj shkruan: «Por, kur vjen mbrëmja/rruga ime vjetërohet papritur / si me magji helmohet gëzimi». Përcillet shpesh gëzimi nga dhimbja e dhimbja nga gëzimi.
Lindje e rilindje pa fund.
Askush nuk e pengon shpirtin e lirë njerëzor që të kapërcejë të dashurin e vet që e ka para syve, për ta menduar të ikur pa kthim, e ta qajë para kohe. E zbut kjo njeriun, apo jo? Po. E bën njeri. Le ta mendojmë njëri-tjetrin. E mira është diçka që mbarohet.
A nuk duhet gëzuar ajo si e tillë, si e pafundme, si e kaluar përtej? «Si poet / para kohe mbërrita në vdekjen e nënës/».
Koha nuk është veti e qenieve fizike. Koha vjen në këtë botë bashkë me njeriun. Vjen si mall, si kujtesë, si vuajtje, si rikthim brenda shpirtit. Koha e fizikes nuk është në fakt veçse një hapësirë, shkruante filozofi Bergson në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Koha është e shpirtit. Nuk është e botës pa njerëz. Toka sipas këndvështrimit të shpirtit nuk rrotullohet, nuk është e rrumbullakët. Debati midis Kishës dhe shkencëtarëve të mëdhenj Galileu, Bruno, etj. Ishte një keqkuptim i madh i epokës, sikurse janë të gjitha dramat, të cilave ne iu ngremë monumente. Doktorët e Kishës nuk kuptonin asokohe, të pasionuar për t’iu mësuar njerëzve mesazhin e tyre të madh, se njeriu është në qendër të gjithçkaje vetëm në regjistrin shpirtëror të këndvështrimit të gjërave. Jo më tutje. Atje asgjë nuk është vetiu as e rrumbullakët e as e sheshtë, as lëviz e as nuk lëviz. Galileanët, heronjtë e shkencës, e dehur nga eliksiri i dijes, nuk kuptonin se bota rrotullohet thjesht në këndvështrimin e analizës empirike të soditjes, e mësuar me gjërat materiale dhe aspak më tej se kaq.
Çfarë do të ishte koha, lëvizja pa kujtesën njerëzore, pa atë që poeti e quan mall?
Zogaj shkruan: «E lehtë do të ishte ndarja, ikja / sikur të mos gjëmonte prapa malit / në zemër të mallit matanë». 
Edhe identiteti njerëzor është një kalim i paprerë nga jeta te një jetë tjetër e përtejme, e cila është përsëri pjesë e jetës. A nuk jetojmë në çdo çast realizimin e ëndrrave që dikur i kishim menduar si kapërcim i vetes sonë të dikurshme? A nuk është iluzion se ne jemi gjithmonë të njëjtët, e mbesim po ata, vetëm sepse kemi një emër që mbetet i njëjtë, një emër në listat elektorale?
Po a jemi të njëjtët?
A nuk kemi kaluar pa e kuptuar në një botë përtej jetës sonë të dikurshme?
Sigurisht.
Njeriu është si aktori që e di të luajë teatër, di të bëjë gjoja, gjasme, të identifikohet me një vete tjetër, sepse sikurse thoshte Erving Goffman, ai edhe në jetën e tij të përditshme, si çdonjëri nga ne, luan teatrin dhe regjizurën e jetës së vet duke administruar fasadën e jashtme të vetes?
Nuk duket e pabuesueshme. Dhe njeriu mësohet të kalojë përtej jetës, sepse këtë e bën çdo ditë. Asaj që i trembemi, nuk po ia them emrin, ne e përballojmë përditë, çdo çast, duke jetuar. «Jam vrarë në kufi tridhjetë vjet më parë/duke ndjekur lojën e një lare dielli / me një çift kapronjsh».
Koha është në shpirt, është një çështje e shpirtit. Kimia nuk e kupton dot, as matematikat. Përtej kohës shpirtërore që rrjedh pa e kuptuar, është moslëvizja e materies që duket sikur rrjedh në kohë, por që në fakt nuk lëviz. «Me shqisat e mija/dëshmoj lëvizjen e kohës /ndërkohë që deti prapa nuk mban mend». «Deti është po ai /vera është po ajo».
Po të qe se njeriu do të njehsohej me botën e jashtme, vështirë se do ta gjente arsyen t’i përjetonte dy herë të njëjtët lumenj.
Bota është e ndryshueshme sepse ka shpirt. Pa ndryshimin e shpirtit do të kishim mbaruar mërzije në këtë botë materiale. Max Weberi na dëshmon se në epokat kur gjërat shpirtërore lëvizin ngadalë, njerëzit bëhen trima, sepse janë të mërzitur nga jeta. Heroizmi i tyre është një egoizëm për t’i ikur mërzisë.
«Ku është Preçi?», - pyes dikë që i di pak a shumë lëvizjet e tij.
«Ka ikur si përditë a për javë në zonën e tij elektorale, te zgjedhësit», më përgjigjet.
«Ku mo, ku?».
Dhe qesh me gëzim me vete.
Ai atje kërkon shpirtin te traditat e të parëve. Ai jeton brenda një komuniteti shpirtëror. Sikurse do të thoshte filozofi i madh katolik i shekullit të kaluar Zhak Mariten, i një komuniteti ultramodern, që na kalon e kapërcen të gjithë duke na mëshiruar, sepse antimodern, në kuptimin e mirë, si ruajtje e pafund e vetvetes, mbështetur te një dyshim i madh, të vjetër, që nuk e zhbën dot as shkenca as mërzija. I ndodhur brenda kësaj jete të jetuar me dinjitet.



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]