(Sulmi i policisë serbe në lagjen Ulpiana të Prishtinës më 25 shkrut 1990)
Ora policore: 21.10
Dritat e qiriut
përshëndesin hënën
në orët e ngujimit
Në banesën e ngrohtë
dy terroriste mprehin armët
unë lexoj Uliksin
vajza Borëbardhën
TV bluan në vete
Shtëpinë për varje
Ora policore: 21.30
Vetëtima çan qiellin
e predhat nga tanket
vjellin zjarr
në bebëzat e syve
Nata bëhet çmendi
e egërsisë së shekujve
dhe futet në banesë
pa fije turpi
Plumbat lotsjellës
përhapin helm
e nuk di
ka më shumë në ajër
apo në brendi të mitrës
Frymë, frymë!
tmerrohen muret,
vazot lotojnë dhunshëm,
qiriri drithëron vdekshëm
e Satiri zhvesh lëkurën
Frymë, frymë!
klith për veten
si bishë njerëzore e pashpresë
duke harruar pjellën
Si mund të më quajnë nënë
zemra le të më pëlcasë:
Fëmija m’i zgurdullon sytë
e unë përpëlitem për frymë
Ujë deti nuk mund të më shpërlajë
e as lotët për atë çast,
për atë të njëmijtin çast të harresës:
Fëmija përpëlitet për frymë
në njërin skaj të banesës
e nëna në skajin tjetër
atë natë të çmendur të 25 shkurtit 1990
Ora policore: 21.30
Nuk dëgjohet më cicërrimë
zogu njëjavësh i ditëlindjes
ka shtrirë krahët
e përshëndetjes së fundit
Ëmë e bijë
hidhemi në përqafim –
loti i hidhërimit
dëbon lotin e helmit
lotët e frikës
bëhen lotë dashurie,
në natën e egërsisë serbe
Fati që nuk ishim zogj!
Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001