1997
E merkure, 10-01-2007, 09:40pm (GMT)
Ju uroj mirseardhjen të gjithëve dhe ndërkohë që Mira do merret me qerasjen, po filloj me shkrimin e parë, që mund të jetë i njëzeti në rradhën e kujtimeve. Ishte fillimi i 1997-s dhe ndofta unë me Miran ishim të vetmit jashtë shtëpisë, atë natë, kur krisma e parë shpoi errësirën dhe paralajmëroi ardhjen e ditëve kataklizmike dhe për Korçën tonë të dashur. Ishte një paralajmërim pa afat, që nuk priste përgjigje nga askush, ndaj dhe përmbante të thënën e të bërën menjëherë, që ithtarë të ndryshëm më pas e interpretuan sipas ithtaritetit përkatës. Ishim për vizitë në shtëpinë e Fredi Blushit, kur trokiti dera dhe dëgjova zërin e të vëllajt taksixhi të thotë lajmin më absurd e të çuditshëm, "Po vinë!" Ceremonia e mikpritjes u la në mes dhe ne si të ngrirë nga ajo thënie hutuese u ngritëm dhe ikëm, si për t'ju larguar asaj që po vinte atë natë. Qyteti i errësuar nga nata dhe mungesa e dritave, m'u duk si i lënë në mëshirën e atyre që po vinin s'dihej se nga ku e për çfarë.Kur u afruam para bibliotekës, një krismë na ndali për një çast frymën e na shpejtoi ecjen e trembshme. Pra ata që "Po vinë" kishin ardhur çuditërisht bashkë me natën, duke veshur petkun e zi të saj, që paralajmëronte të tjera veshje të zeza të nënave e motrave korçare. Arritëm me një frymë në shtëpinë tonë, kur aty nga lulishtja e Shën Marisë filluan dhjetra krisma armësh të çanin errësirën e natës së parë korçare. Morra shpejt kasetofonin dhe hapa derën e ballkonit. Pasi vura një jastëk poshtë, u shtriva mbi të dhe shtypa butonin e inçizimit. Mira më lutej të futesha brenda se s'dihej ku shkonin plumbat, por unë vazhdoja të merrja çdo krismë duke folur e rënkuar, i përfshirë nga një trishtim deri në dhimbje e dëshpërim. Ajo kasetë është dëshmia më e padeshifruar e absurditetit njerzor, por dhe akuza më ironike ndaj kujtdo analisti apo ithtari, që ato krisma netësh e ditësh të 1997-s nxituan t'i pagëzonin kryengritje e revolucion popullor. Mund të më gënjeni me kohën e kryengritjeve dhe revolucioneve të pajetuara dhe unë të mirëbesoj, por mos bëni krim ndaj të ardhmes me pseudointerpretimet e të sotmes. Dhe kështu, pas asaj nate të parë krismash, Korça u gdhi e pushtuar nga ata që "Po vinë". Këto qënie me këtë emër pa emër, atë natë të parë krismash, përdhunuan qytetin tim, vendlindjen time, jetën time, tënden, tuajën, por edhe vetveten.
|