Letërsia Shqiptare

1997
E merkure, 10-01-2007, 09:40pm (GMT)

Ju uroj mirseardhjen të gjithëve dhe ndërkohë që Mira do merret me qerasjen, po filloj me shkrimin e parë, që mund të jetë i njëzeti në rradhën e kujtimeve. Ishte fillimi i 1997-s dhe ndofta unë me Miran ishim të vetmit jashtë shtëpisë, atë natë, kur krisma e parë shpoi errësirën dhe paralajmëroi ardhjen e ditëve kataklizmike dhe për Korçën tonë të dashur. Ishte një paralajmërim pa afat, që nuk priste përgjigje nga askush, ndaj dhe përmbante të thënën e të bërën menjëherë, që ithtarë të ndryshëm më pas e interpretuan sipas ithtaritetit përkatës. Ishim për vizitë në shtëpinë e Fredi Blushit, kur trokiti dera dhe dëgjova zërin e të vëllajt taksixhi të thotë lajmin më absurd e të çuditshëm, "Po vinë!" Ceremonia e mikpritjes u la në mes dhe ne si të ngrirë nga ajo thënie hutuese u ngritëm dhe ikëm, si për t'ju larguar asaj që po vinte atë natë. Qyteti i errësuar nga nata dhe mungesa e dritave, m'u duk si i lënë në mëshirën e atyre që po vinin s'dihej se nga ku e për çfarë.Kur u afruam para bibliotekës, një krismë na ndali për një çast frymën e na shpejtoi ecjen e trembshme. Pra ata që "Po vinë" kishin ardhur çuditërisht bashkë me natën, duke veshur petkun e zi të saj, që paralajmëronte të tjera veshje të zeza të nënave e motrave korçare. Arritëm me një frymë në shtëpinë tonë, kur aty nga lulishtja e Shën Marisë filluan dhjetra krisma armësh të çanin errësirën e natës së parë korçare. Morra shpejt kasetofonin dhe hapa derën e ballkonit. Pasi vura një jastëk poshtë, u shtriva mbi të dhe shtypa butonin e inçizimit. Mira më lutej të futesha brenda se s'dihej ku shkonin plumbat, por unë vazhdoja të merrja çdo krismë duke folur e rënkuar, i përfshirë nga një trishtim deri në dhimbje e dëshpërim. Ajo kasetë është dëshmia më e padeshifruar e absurditetit njerzor, por dhe akuza më ironike ndaj kujtdo analisti apo ithtari, që ato krisma netësh e ditësh të 1997-s nxituan t'i pagëzonin kryengritje e revolucion popullor. Mund të më gënjeni me kohën e kryengritjeve dhe revolucioneve të pajetuara dhe unë të mirëbesoj, por mos bëni krim ndaj të ardhmes me pseudointerpretimet e të sotmes.
Dhe kështu, pas asaj nate të parë krismash, Korça u gdhi e pushtuar nga ata që "Po vinë". Këto qënie me këtë emër pa emër, atë natë të parë krismash, përdhunuan qytetin tim, vendlindjen time, jetën time, tënden, tuajën, por edhe vetveten.


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.