| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Akte komedie të një tragjedie të saponisur... E merkure, 10-01-2007, 09:42pm (GMT) I pari veprim që bëra atë mëngjes të parë, ishte vajtja në shtëpinë e gjykos, siç i themi babajt të Miras dhe të dy në mënyrë instiktive morrëm rrugën drejt një reparti ushtarak në minierën e Drenovës. Si dy shqiptarë të rrezikuar nga pushtues shqiptarë, kërkonim armë për të mbrojtur familjen nga çdo sulm i mundshëm barbarësh. Rrugës rrëzë maleve, lëvizje kaotike njerëzish më krijonin idenë e një beteje të dështuar, që ende s'kish filluar, Krisma të thata e më pas breshëri, mbushnin luginën dhe ne ulnim kokën për t'ju shmangur plumbave. Mundohesha të dalloja në ato qënie që ecnin në drejtime të kundërta, ata që "Po vinë" nga ata që "Po iknin", por le ta lemë për më vonë këtë dilemë, që në ato çaste pak rëndësi kishte. Arritëm në një depo ushtarake, që ndofta një ditë apo disa orë më parë i vinte shtatë t'i afrohej vetë ariut të Bozdovecit, hymë brenda dhe të vetmet pajisje të pa rrëmbyera ishin ato kundërkimike. Gjykos i vajti syri në një pompë spërkatëse dhe kur e morri më tha se i duhej për të bërë me ilaç rrushtë e oborrit. Kaluam në një depo tjetër, ku të ikurit kishin lënë topat e tipit të lehtë (shyqyr që morrën të tyret), ca mushamara dhe armë zjarri gjysmake. Kërkuam gjithandej për ndonjë pushkë apo automatik, por zhdukja e tyre ishte bërë si me magji. Ca karikatorë i futëm në një çantë, kur në një arkë të hedhur kuturu, gjetëm qindra fishekë. Disa arka që i kapërcenim pa i prekur, ishin dëng me bomba, por ç'na duheshin ato në kushtet e luftës brenda pallatit. Në hyrje të repartit, ndali një furgon i vogël dhe sa hap e mbyll sytë, bombat u zhdukën. As na shanë e as na ranë, por me një të thënë, "Bëni mënjanë!", mallin bombë e përlanë. Në të dalë të repartit, m'u afrua një kameraman dhe një person me mikrofon në dorë më pyeti greqisht, që përkthyer nga një shoqërues, kërkonte të dëgjonte diçka nga mua për çka po ndodhte aty. Shpreha hutimin e shqetësimin tim për atë situatë anormale e të rrezikshme dhe bëra thirrje mos dëmtohej e keqpërdorej asnjë material në depon me mjete e materiale të karakterit kimik. Nuk mbaj mend me hollësi çfarë thashë tjetër, por di që ai grup televiziv ishte një kanal grek dhe që persona që më njihnin e jetonin në Greqi më kishin parë në televizionin grek. Siç dukej, gjithçka po ecte si nëpër skenarë të njohur filmash, ku s'mungonte prezenca e një fotoreporteri, në këtë rast grek, as aty në një repart ushtarak mes humbëtirës së maleve. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||