Pashë në ëndërr mbrëmë dy sofra
në njërën djalli ushqente mijëra:
politikanë, doktorë, aktorë, poetë…
Mishra, verë, fruta nga më të mirat
plot bollëk e salltanet.
Njerëzit për çudi ishin pa fytyra
të errët, robotë, pa jetë në të zi,
hanin e pinin e bënin dashuri.
Disa në mëndafsh të purpurt
zverdhur nga cmirë-xhelozia,
mbanin fjalime boshe me rëndësi.
Në tjetrën djalli priste e therte mijëra
qeshte e klithte bashkë me demonë
në trupa njerëzish shijonte tortura
i pyeste të zgjidhnin sa nuk ishte vonë.
Gra barkçara në pirgje, koka pleqsh,
gjak, sy-nxjerrë fëmijësh, kasaphana
ëngjëjt i drejtonin në fund me kujdes
shpirtat u ngjiteshin nëpër re të bardha.
Më erdhi befas nga pas e mu afrua
herë si gjarpër i ndyrë, herë si pallua
më shtriu të përndotur dorën e vdektë
më tha gjithë ligësi: Grua, zgjidh e merr!
Këtej me mua e famshme a në gijotinë,
kam epsh për tmerr.
Bëhu gati djall, gjakun merrma
s’kam uri për pasuri e famë,
gjithë floriri i kësaj bote
s’ma ngop trupin tim të tharë.
Merrma, s’e kam këtu jetën
me ty mbret-djall i pështirë,
e kam veshur të vërtetën
dritë e jetë e mbaj në shpirt.
Se vdiq mbi kryq Zoti vetë
e lart u ngrit, më dha shpëtim
çama trupin nuk kam frikë
shpirtin s’ta jap, do lind sërisht
në trup qiellor, në amëshim.