Mbete moj e bardha, mbete
sytë nga deti e si s'u trete,
zemër-copë-thërmuar pret
plagë-hapurat në kurbet.
Mbete moj e mira, mbete
lotët e tua mbushen dete
ujit, zemra me mall djegur,
kripë shpirti i ka hedhur.
Mbete moj e bukura, mbete
nëpër bregun e kësaj jete,
erë e kohës ngurtësuar
sytë, në horizont harruar.
Mbete Vajz’ e Valëve, mbete
lot' patharë e prapë s'u trete
si dallga bregut te përqasem,
as këtu e as atje përplasem.
Dallgëz jam n'këmbët e tua
të qaj lirinë që mora hua,
ngurtësuar nëpër lotë
bëj të vij e s'po vij dot.