Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 06-07-2008, 02:30pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
 » Elinda Marku
 » Elvira Dones
 » Ernest Koliqi
 » Ervin Hatibi
 » Esad Mekuli
 » Edmond Tupja
 » Edmond Shallvari
 » Elida Demaj
 » Elmiha Drishti
 » Enver Gjerqeku
 » Ejvis Maria Xhajanka
 » Elena Gjika
 » Engjell Shehu
 » Edi Shukriu
 » Edmond Sylari
 » Engjëll Koliqi
 » Enkelejd Lamaj
 » Edvin Kukunja
 » Eliana Alien
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët E » Elvira Dones
 
Dashuri e huaj
E merkure, 10-01-2007, 07:59pm (GMT)

"... Kur kam filluar të gaboj në mënyrë të pandreqshme, Iv? Mbas gjashtë ditësh është mbrëmja e funditt e vitit dhe unë nuk kam çfarë të festoj. Nuk kam aspak dëshirë të festoj. Çfarë t'i them vetes për vitin që po mbyllet? Kthej kokën mbrapa dhe në humbëtirën e vetmisë të gjej ty, në hollin e hotelit Danmark.
Mos ishe ti një gabim tjetër?
Nuk e di. E vetmja gjë që di me siguri është se të desha. Do të të kisha dashur në çfarëdo çasti të jetës sime që do të të takoja. Është e vetmja e vërtetë që kam. Gjithë pjesa tjetër është një mjegull e mundimshme..."

 "Klea, të kërkojnë te dera." Në fakt ajo ishte nisur drejt portës qendrore të Studios pa e patur të qartë në e kish lajmëruar polici i rojes nëpërmjet telefonit apo ia kishte sjellë fjalën ndonjëri prej kolegëve.
Fustani i bardhë e i ngushtë i puthitej bezdisshëm pas këmbëve duke i krijuar ngathtësi në hapat. Dielli sundonte. Pa skrupull e masë. Shtypte përtokë siluetat e njerëzve që lëviznin si automatë nëpër rrugicat e gjera nga njëra godinë në tjetrën dhe ndërsa i projektonte mbi asfaltin ngjyrë ari, u hiqte edhe atë pak lëng jete që dilte mbi lëkurë në formë sferash djerse. Siluetat ishin të gjitha të zeza dhe të thara.
" Të paktën të na projektosh ashtu siç jemi." Klea iu drejtua diellit pa maraz. " Ji të paktën i ndershëm, kur na përplas përtokë, na e ler edhe djersën përsipër." Këmbët e saj ishin edhe ato ngjyrë ari, ndërsa lëkura e sandaleve ngjyrë kafe të çelët me gisht, dukej e zezë me një nuancë të shpëlarë grije.
Bota ishte tharë. Termometrat e varur në mure kishin dhënë shpirt. Kishin shënuar kulmin e gradëve që ishin në gjendje të tregonin e ishin dorëzuar, me gëzim. Pasi tani nuk u duhej të mbartnin mbi vete vështrimet gjithë mllef të njerëzve - që duke mos ditur kujt t'ia zpraznin pafuqinë - shkarkoheshin mbi aparatet e pafajshëm.
Klea u ndal dhe u mbush me frymë. Kaloi dorën në permanentin e urryer të flokëve dhe rregulloi rripin e mesit.
"Kot e ke." I tha vetes. "Kot e ke që nxiton drejt portës." Bëri dy hapa të turrullosur dhe u ndal përsëri nën hijen e një mimoze të vjetër sa pritja. Dikush e përshëndeti me dorën e lirë, ndërsa tjetrën e kish të zënë me një gazetë që mbante sipër kokës.
Koha rrëshkiste, e pluhurosur në çmendurinë e gushtit, dhe kërciste. Kish dy muaj që koha i kërciste rrotull e pamëshirshme. Edhe kur ishte e përkulur mbi makinën e vjetër të shkrimit, me tri shkronjat që mungonin dhe tastierën e shtrembët, Klea e dëgjonte. Ngrihej mbi gjithçka, koha. Mbi gjithë rrëmujën që Klea mundohej të krijonte rreth vetes, mbi zhurmën perëndimore të autobusëve francezë të sapohedhur në qarkullim, mbi zgjyrën e pisllëkut pranë kazanëve të plehrave të lënë në mëshirë të fatit, mbi grindjet e njerëzve në katër të mëngjesit duke mbushur ujë me sapllaket e kazanet prej teneqeje. Koha ngrihej mbi dëshpërimin e atij qyteti evropian, që evropian kishte vetëm pozicionin gjeografik. Nuk donte të bënte përpara. Ishte ndryshkur në mënyrë të pariparueshme. Sa herë që vajza i jepte një shqelm për ta bërë të shkundej sadopak, koha lëshonte një ulërimë të tharë dhe bënte një hap mbrapa.
Ai njeri edhe mund të vinte. Me çizmet e tij prej kauboji nën pantallonat xhins rigorozisht blu të çelët. Me këmishën e kaltër dhe xhakaventon e lehtë të bardhë përsipër. Dhe me kaçurrelat që i binin të shrregullta mbi supe. Mund të paraqitej në portën e stërmadhe të Kinostudios "Shqipëria e re", të linte pasaportën e rënduar nga gjithë vizat e lëshuara nëpër aeroportet e botës tek polici me uniformën blu të zbërdhylur dhe të hynte brenda. Ruajtësi i rendit, do t'i hapte gjithë përzemërsi derën e ndërtuar tridhjetë vjet më parë nga ish vëllezërit e mëdhenj sovjetikë. Ai mund të hynte aty. Nuk kish përse të mos ndodhte. Me siguri do ndalej përpara njërës nga parullat e shumta që vuanin kokëforta nën zjarrin e mesditës. Ndoshta përpara asaj që thoshte "Rroftë uniteti i pathyeshëm Parti-Popull." Ose "Në Shqipëri zot është populli shqiptar". Ai do mundohej me siguri të kuptonte domethënien, e nëse dikush do të ishte aq i sjellshëm sa t'ia përkthente, do qeshte lehtë, do hidhte kaçurrelat mbrapa e do ndizte një cigare. Pastaj do vazhdonte rrugën drejt godinës qendrore, duke tërhequr pas vetes gjëmimin e asaj pjese të kontinentit nga e cila vinte. Edhe zhurmën e çizmeve do e ndjente shkretëtira e gushtit.
"Nuk i heq kurrë këto të shkreta ?" do qeshte Klea, "nuk të djersijnë këmbët?"
"Eshtë çështje zakoni." Do përgjigjej tjetri."Çështje zakoni. Jam mësuar me to."

Nga Romani ''Dashuri e huaj''


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Yjet nuk vishen kështu (10-01-2007)
Ditë e bardhë e fyer (10-01-2007)
Më pas heshtja (10-01-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]