Letërsia Shqiptare

Ora
E merkure, 10-01-2007, 10:41pm (GMT)

Ti sogjëtar i shtigjeve t’diellit,
Që në shekujt tanë përgjon pa ia nda,
Damar’t n’akrepa kohës ia ke ça:
E ke lanë si lule të shkelun të prillit.

Ti sy e vesh i kureshtjes shtegtare,
Që n’frymëmarrjen tonë prore qetësohesh,
Me nji ritëm ec dhe me dy duer mbrohesh,
Sa herë të rrokin stuhitë ziliqare.

Ndër yje të lashtë kërko gjakun tim –
Që tash përt’rihet në sekondat tueja –
Dhe në rritjen e blinit të ri në verë!

O, ec tash me mue, ma zgjat dorën shqim,
Se shpesh po lodhem në bebëzat e hueja,
Tue kërkue n’to nga nji grimë pranverë.
Zgjimi
Po i laj sytë e mbyllun n’shinat e pranverës,
Ndërsa trupin n’blozë t’mjergullës vjeshtore.
O, ku e lash at’ zog të kristaltë që prej dore
Iku dhe ma puthi pragun e andrruem të derës?

Tash po luej me pranverën në buzët e paly’me,
Që na la disa emna tanë në lindje të diellit.
Po i zgjoj nipat e mi – gjymtyrët e prillit,
Që mëshifen mbas ylberit e n’vete t’ndryme.

Disa fjalë të gurzueme n’gjuhë të foshnjës time
Po i ndiej në barkushet e nji nate plot stuhi;
Athue vetëm jam – apo larg në tokën anonime,

Që dashninë për dritë e trilloi si t’ish çilimi?
Jo. Vetëm frymë po merr tash zgjimi im i parë,
Që dje lindi randë dhe gjatë tue mbjellë nji farë.


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.