| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Ernest Koliqi E marte, 10-04-2007, 08:04pm (GMT)
Kur theksojmë që Koliqi jo rastësisht zgjodhi poezinë, kemi parasysh jo vetëm krijimtarinë poetike të tij, por edhe momentet më jetësore dhe domethënëse të autorit që e lidhin natyrshëm me artin e fjalës. "Kur më lulëzuen në shpirt gjashtëmbëdhjetë pranvera të freskëta, Zana ma dha ngushllimin e shfrimit muzikuer të fjalëve." Është koha kur studion në Itali, (i filloi studimet më 1918) dhe në Bergamo themeloi të përjavshmen "Noi giovani" (Ne të rinjtë), ku botoi vjershat e para në italisht. Ishte 18- vjeçar, kur u kthye në Shqipëri, kur fitoi konkursin e Ministrisë së Arsimit për një himn kombëtar nga një juri ku bënte pjesë Fishta, Noli, Mit'hat Frashëri, Luigj Gurakuqi. Këtë "shfrim muzikuer të fjalëve" po ta ndjekim nëpër etapat krijuese të autorit, do të vemë re se poeti e realizon duke u ushqyer nga tre burime kryesore: Burimi i parë është Shkodra dhe më pas viset arbëreshe. Burimi i dytë janë gojëdhënat, këngët, përrallat e gjithçka folklorike, si Cikli i Kreshnikëve, rreth të cilave bëri studime dhe mbrojti tezë doktorature. Burimi i tretë është kultura italiane e botërore, që mori qysh herët, kur shkollohej në Itali, kulturë prej së cilës mori e dha. Përvetësoi modele poetike, jo duke imituar, por duke asimiluar dhe pastaj aplikuar në shqip. Tregoi aftësi vrojtuese, imagjinatë të begatë, zhdërvjelltësi përpunuese dhe asimiluese të lëndës së vendlindjes, duke e shndërruar atë në poezi atdhetare, në ditiramb për gjuhën shqipe, në këngë malli e përgjërimi për Shkodrën, në tingëllimë dashurie, ku ndiehet "shfrimi muzikuer i fjalëve". Poeti evokon lashtësinë ilire, kohën e Skënderbeut, kohën e lulëzimit qytetar të Shkodrës, kohën e mërgimit politik, ku dhe mbylli sytë papritur. Ndërsa hapësira gjeografike që rrok vështrimi dhe imagjinata e tij poetike kalon "përtej avullis, rreth kumbonares, nëpër qiell të bardhë e ma larg, në male të Shqipnis, mbi udha të detit, në pambarim të gjithësisë. Shkruan "Tingëllimat e mallit", ku qan se larg tij lulëzon Shkodra, pastaj kur e humbet shpresën e rikthimit dërgon shtatë tekste poezie testament nën titullin "Bijës sime", poezi tronditëse që dëshmon lidhjen e pazgjidhshme me qytetin e lindjes. Poezia "Shqipninë e mora me vete", që të kujton dhe një varg të nobelistit grek Seferis, që ka qënë dhe konsull në Korçë, "kudo që shkoj Greqinë e marr me vete si një plagë," është sintezë e lëndës poetike,që u shndërrua në shpirtin dhe artin e poetit. Koliqi ecën në vazhdën e rilindasve të mëdhenj për të evokuar e lartësuar lashtësinë dhe shenjën më të patjetërsueshme të etnitetit dhe identitetit të shqiptarëve, fjalën shqipe. Shkroi poezinë "Gjuha shqipe", siç kanë bërë Naimi, Mjeda, Fishta, Poradeci, Kuteli, Kadareja. Ernest Koliqi vazhdoi traditën e të mëdhenjve të qarkut letrar të Shkodrës. Duke përthithur dhe asimiluar kulturën poetike arbëreshe, kulturën poetike klasike dhe moderne, veçanërisht atë latino-italiane. Gjatë 60 vjetëve të punës si erudit dhe krijues i nivelit të lartë lëvroi një poezi me lëndë tërësisht shqiptare e ambiente shkodrane. Motivet e kësaj poezie evokojnë veçanërisht lashtësinë e racës vitale të të parëve, të bujarisë dhe fisnikërisë, evokojnë gjuhën shqipe, doket dhe zakonet, duke aspiruar që mbi trungun e lashtë stërgjyshor të shartohet filizi i ri i qytetërimit perëndimor. Është këngëtari dashnor më i plotë dhe më i begatë i Shkodrës,"pasqyrë e odave të mëdhaja,trapazan i shtëpisë shkodrane që censhëm përpunuen daltat mjeshtrore" Nëpërmjet një lirike plot ndjeshmëri dhe ngjyrë të kopshteve dhe të qiellit shkodran, pasqyroi çaste intime dhe përjetime sublime, një botë të zakonshme dhe të jashtëzakonshme të jetës shkodrane nga këndvështrimi i një zotniu fisnik dhe të kulturuar që studimin në dhé të huaj e ve tërësisht në shërbim të përparimit të atdheut dhe kulturës kombëtare.Mjafton të kujtojmë se " gjatë vitit shkolluer 1941-42,si Titullar i Arsimit,dërgon në Kosovë 200 mësues e mësuese.ma në fund erdhi çasti historik i hapjes së Shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe,realizue më 12 Dhjetor 1941". Përkthen poetë të mëdhenj shqiptarë në italisht (Fishta,Ali Asllani), përkthen poetë të mëdhenj italianë në shqip. Koçi Petriti
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||