NGA LETËRSIA JONË E PARALUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Esat Mekuli/Pesë vjersha
/Këto vjersha janë botue gjatë vjetëve 1933-1935 në revistat “Vjenac” e “Jugosllovenski rastit”- Beograd edhe “Mladost”-Zagreb./
MBRAMJA
Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërten shamí,
N’mes dy duersh s’bardha, dy kokrra në borë-
Flakron perëndimi... Retë mbi krye përorë
Ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapësí.
... Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë:
Cipa e natës shtrihet mbi fusha t’përhime,
Malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime,
Si të humbte jeta- çdo gjâ u nxi, u zhdukë.
N’ajrí ndihen klithmat e natës që ra-
Drujt pranë rrugës lehtas era i lëkund...
..............................................................
Ndërsa dita e bardhë, e tretun dikund
Shigjeta të flakta i mprehë errësinës me i ra.
Terri sundon botën. Katundet e shtrime
Në mes natës prehen n’luginë me andrrme.
(1933)
ANDRRA E VAJZËS
Shushurima e lehtë t’panjoftunit më treti fare
Dhe agime t’kaltërta andrrova...
E nëpër kunorë lakmish përolimtare-
Si lulja që jep qiellit lulëzim:
Rininë ia dhurova.
Shkëlqyen yjtë e qiellit si sytë e tij
Të thellë dhe të ndritshëm
Si drita n’agim
Dhe u shafit nën tê e kërthndezëtat fuqi...
-Sonte shushurima e lehtë t’panjoftunit më treti fare
Dhe agimet e kaltërta andrrova...
(1933)
PRANVERA
Zhytem krejt n’bukurít e larme që ka pranvera
Dhe me shpirt qafoj mbulojën e kaltërt t’pambarim
N’zemër m’shtohet flaka, në krye i kthjellmi mendim
I kthjelltë si qielli, i dashtun si e luleve era.
Unë s’njoha deri tash lojë ngjyrash as larmi-
Gufime që si lule të shpirtit mugullojnë...
Përqark âsht pranvera e n’zemër sytë e tu ndriçojnë
Për ta më lëbyret mendimi, tretun në vetmi.
...E tash zhytem n’tbukurit’ që pranvera na e ka prû
Dhe me shpirt qafoj mbulojën e kaltër t’pambarim
I kthjelltë si qielli, i dashtun si sytë e tu!
MMALLI PËR T’PAMBËRRIJTSHËMEN
Rêtë luejnë n’naltësín, si qingjat n’kodrina,
Ndërsa malli për t’pambërrijtshmen ndryhet n’mue:
Dëshirojsha m’u kapë n’vallen e reeve kuqle
E me fluture në t’shkëqyeshmet naltësina
Me gëzimin e këngës baritore...
E kur hana e luginave ia beh n’shpejti
Dhe toka natën n’dishrim thërret,
Si rrezet e argjendta mbi kallí-
Të shkoj
E t’vizitoj
Skajet e dhimbjes e vendet ku pashë ankthet.
Vaj! Me u kapë n’vallen e rêve n’kuqlime
Zemra me t’dhanun do t’më dëshironte
Që rinija t’gërthet ‘i herë mâ me gëzime
Dhe mall i zemrës s’vuajtun t’gufonte.
-Por, pse zemra tingëllon përmallshëm
si zâ drithërim
dhe droja kaplon thellë zemrën e shpirtin tim?!
Kur dëshiroj aq rêtë mbi qytet me i soditë,
Derisa malli për t’mabërrijtshmen, m’kap, m’shafit.
(1934)
VEGIME
Si edha t’shpërndamë rrëshqasin n’kaltrim tufat bardhore
dhe qielli kumbon n’nardhësít e tija virgjinore...
Nji zemër e bardhë e nxitun prej bukurije
Andrron mbi hijet e zgjueme... E fatlume...
Malet e krepatueme shtrihen prej largësie
Dhe mëshefin n’qetësí dhimbjet e pashërueshme...
Nji dorë e padukshme mbi zemëratë lënduese
sonte përshkoi
Dhe njomësín e fëminís, kaherë t’kalueme,
n’mue e zgjoi.
Sat NOKSHIQI
(Marrë nga revista letrare “Jeta e re” nr. 1/1952, f. 34-37)