| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Esat Mekuli/Pesë vjersha E diel, 16-03-2008, 04:54pm (GMT) NGA LETËRSIA JONË E PARALUFTËS SË DYTË BOTËRORE Esat Mekuli/Pesë vjersha /Këto vjersha janë botue gjatë vjetëve 1933-1935 në revistat “Vjenac” e “Jugosllovenski rastit”- Beograd edhe “Mladost”-Zagreb./ MBRAMJA Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërten shamí, N’mes dy duersh s’bardha, dy kokrra në borë- Flakron perëndimi... Retë mbi krye përorë Ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapësí. ... Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë: Cipa e natës shtrihet mbi fusha t’përhime, Malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime, Si të humbte jeta- çdo gjâ u nxi, u zhdukë. N’ajrí ndihen klithmat e natës që ra- Drujt pranë rrugës lehtas era i lëkund... .............................................................. Ndërsa dita e bardhë, e tretun dikund Shigjeta të flakta i mprehë errësinës me i ra. Terri sundon botën. Katundet e shtrime Në mes natës prehen n’luginë me andrrme. (1933) ANDRRA E VAJZËS Shushurima e lehtë t’panjoftunit më treti fare Dhe agime t’kaltërta andrrova... E nëpër kunorë lakmish përolimtare- Si lulja që jep qiellit lulëzim: Rininë ia dhurova. Shkëlqyen yjtë e qiellit si sytë e tij Të thellë dhe të ndritshëm Si drita n’agim Dhe u shafit nën tê e kërthndezëtat fuqi... -Sonte shushurima e lehtë t’panjoftunit më treti fare Dhe agimet e kaltërta andrrova... (1933) PRANVERA Zhytem krejt n’bukurít e larme që ka pranvera Dhe me shpirt qafoj mbulojën e kaltërt t’pambarim N’zemër m’shtohet flaka, në krye i kthjellmi mendim I kthjelltë si qielli, i dashtun si e luleve era. Unë s’njoha deri tash lojë ngjyrash as larmi- Gufime që si lule të shpirtit mugullojnë... Përqark âsht pranvera e n’zemër sytë e tu ndriçojnë Për ta më lëbyret mendimi, tretun në vetmi. ...E tash zhytem n’tbukurit’ që pranvera na e ka prû Dhe me shpirt qafoj mbulojën e kaltër t’pambarim I kthjelltë si qielli, i dashtun si sytë e tu! MMALLI PËR T’PAMBËRRIJTSHËMEN Rêtë luejnë n’naltësín, si qingjat n’kodrina, Ndërsa malli për t’pambërrijtshmen ndryhet n’mue: Dëshirojsha m’u kapë n’vallen e reeve kuqle E me fluture në t’shkëqyeshmet naltësina Me gëzimin e këngës baritore... E kur hana e luginave ia beh n’shpejti Dhe toka natën n’dishrim thërret, Si rrezet e argjendta mbi kallí- Të shkoj E t’vizitoj Skajet e dhimbjes e vendet ku pashë ankthet. Vaj! Me u kapë n’vallen e rêve n’kuqlime Zemra me t’dhanun do t’më dëshironte Që rinija t’gërthet ‘i herë mâ me gëzime Dhe mall i zemrës s’vuajtun t’gufonte. -Por, pse zemra tingëllon përmallshëm si zâ drithërim dhe droja kaplon thellë zemrën e shpirtin tim?! Kur dëshiroj aq rêtë mbi qytet me i soditë, Derisa malli për t’mabërrijtshmen, m’kap, m’shafit. (1934) VEGIME Si edha t’shpërndamë rrëshqasin n’kaltrim tufat bardhore dhe qielli kumbon n’nardhësít e tija virgjinore... Nji zemër e bardhë e nxitun prej bukurije Andrron mbi hijet e zgjueme... E fatlume... Malet e krepatueme shtrihen prej largësie Dhe mëshefin n’qetësí dhimbjet e pashërueshme... Nji dorë e padukshme mbi zemëratë lënduese sonte përshkoi Dhe njomësín e fëminís, kaherë t’kalueme, n’mue e zgjoi. Sat NOKSHIQI (Marrë nga revista letrare “Jeta e re” nr. 1/1952, f. 34-37) |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||