 |
| Esad Mekuli |
Është lindur në Plavë më 1916, ku kreu edhe shkollën fillore. Të mesmen e përfundoi në Pejë, dhe më pas studjoi në Beograd, Zagreb e Itali për veteriner.
Gjatë viteve të Luftës II Botërore merr pjesë aktive si antifashist, ndaj dhe u burgos shumë herë. Qysh në ato vite i kushtohet publiçistikës ilegale tek gazeta "Liria" për të mos iu ndarë këtij profesioni edhe pas çlirimit. Për dhjetra vjet ka qenë kryeredaktor i revistës "Jeta e re".
Ai ka qenë kryetari i parë i Akademisë së Arteve të Kosovës.
Me krijimtari poetike filloi të merret qysh në shkollën e mesme. Në fillim shkroi në gjuhën serbokroate, pas luftës botoi shqip në Kosovë e Maqedoni.
Në moshën 40 vjeç ai botoi librin e parë "Për ty" (1955), (i cili ka patur edhe tre ribotime), me vetëm 50 vjersha, i cili shënon jo vetëm një kulm poetik për autorin, por me të ai i bën një vend nderi vetes në poezinë shqipe. Mekuli është gjithashtu autor i disa vëllimeve të tjera poetike, i mjaft përkthimeve nga letërsia jugosllave si dhe përkthime në serbisht të mjaft librave nga letërsia shqiptare.
Në librin e parë e më të spikatur të tij, "Për ty", mungojnë motivet e përjetshme të poezisë si ai i vdekjes, i dashurisë; ai është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore, poet i problemeve historike dhe shoqërore. E mbase bash për këtë R. qosja thekson se Mekuli edhe pse nuk ka shkruar shumë, "fama e tij mund të matet me famën e Majakovskit, Apolinerit, Lorkës o Eseninit në vendet e tyre" dhe e quan "tribunus plebis" (tribun popullor). Poezia e tij mbart brenda ngjarjet dhe trazimet që kaluan kosovarët në luftën e tyre për ekzistencë në trojet e veta. Ja si gjëmon Esad Mekuli me vargun e tij në poezinë "A asht fajtor shqiptari?", e shkruan më 1938, kur mësoi për Memorandumin famëkeq të Çubrilloviqit, i cili bënte thirrje për dëbimin e qindra mij shqiptarëve etnikë nga Kosova për në Turqi:
"...A asht fajtor shqitpari pse, si të tjerët, po don
të jetojnë si Njeri në të vetat sot e përjetë?
A asht fajtor pse përkundër dhunës qindron
Nën qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëve të vet!"
Poezitë e veta Mekuli i ndan në tre grupe që i përkasin tri periudhave historike të popullit: të para luftës, të luftës e të mbas luftës. Çdo kohë në poezinë e tij është sintezë e asaj peshe sociale e psikologjike që breznitë i lënë njëra-tjetrës. Pra, poeti është bërë lajmëtar i kohës dhe për nga misioni afrohet shumë me Migjenin. Esad Mekuli dhe Migjeni janë një brez. Të dy studiuan jo për letërsi, por në krijmtari tematikat i kanë shoqërore. Të dy e shikojnë realitetin të vrazhdë e të padurueshëm. Shpresojnë tek e nesërmja dhe shfaqen romantikë. Ata në poezinë e tyre kanë lajtmotiv rininë. Edhe në pikëpamje të stilit Migjeni dhe Esad Mekuli janë të afërt. Ata nuk i kanë limuar sa duhet vargjet e tyre dhe vjersaht mbajnë më tepër material se ç'mund të durojnë. Në fillim të krijmtarisë së tyre shfaqen romantikë, për t'u paraqitur më vonë analizues të plagëve sociale e morale të shoqërisë. E kështu edhe Mekuli u bë poet i tragjikes historike, i mërgimtarit, i lypësit, i skamnorit, i fshatarit të shfrytëzuar e të rjepur nga polici, etj. Tematika e tij është tematikë e vlimeve dhe e kthesave të mëdha në jetë. E midis tyre spikat vjersha "Kush i pari bani", e cila, sipas R. Qoses "...me poemën e Migjenit kushtuar mjerimit janë dy kryevepra të literaturës sociale shqipe"
Esad Mekuli, ky poet që për jetën shqiptare në viset ku jetoi shfaqet si portretist, psikolog, sociolog e mbi të gjitha si humanist ipashoq, vdiq në vitin 1993.