| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Para teje E premte, 02-02-2007, 07:53pm (GMT) … Jam i vogël, sapo kam nisur të nxjerr tinguj, të qesh, të zgjas faqen për puthje te të mëdhenjtë. S’di ç’është ajri, uji, zjarri, e prek e digjem. Qaj e prapë drejt teje nisem… Tetëmbëdhjetë jam, i dashuruar në krehrin e pasqyrën, gjithë vetulla, sy e forma të derdhura shtati, përqafuar me dëshirën, më e hishmja në botë - fytyra, këngëtar i madh që di vetëm këngë me emrin tënd, djalosh i zjarrtë, qengj i butë, të gjithë ma shohin dashurinë, s’kam aspak frikë: e shpall para të gjithëve mrekullinë që ndodhi në mua, i magjeps rrugët, pemët. gurët, prej tyre magjepsem, i marr para me frymë. Pesëdhjetë. Njëqind. Njëmijë vjeç qenkam, më lulojnë lulet e bardha mbi krye, dhjetë herë qenkam kthyer për ty në botën e të gjallëve pa pyetur për fyerje dhe sharje… E prapë digjem e sillem në moshën e shpirtit: një dhe tetëmbëdhjetë, një dhe tetëmbëdhjetë. O, ç’paske qenë ti, moj dashuria ime! |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||