Vërini poshtë interesat, grindjet dhe egoizmat e veçanta dhe përmbi gërmadhat e këtyre gjarpërinjve, ngrini statujën e hijëshme të interesit të përgjithshëm të Kombit.
FAN NOLI
Kemi mbaruar të tërë po qe se, secili mendon për vete e jo për kombin.
MARIN BARLETI
TAKOHEMI NË KOSOVË
-skice-
Me E.M., nga Gjirokastra, isha njohur rastësisht, te kioska “Everest” në Athinë, ku shiten gazetat shqip. Ishte fundjanari 1998. Ato ditë shoqatat shqiptare në Athinë po bënin përgatitjet për pritjen e gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare.
Atë ditë E.M ai rrinte disi i tërhequr, jashtë natyrës së tij.
-Nuk je ai që të kam njohur-i them.
Ai më pa në sy, rrotulloi kokën dhe psherëtiu. Ajo psherëtimë nuk tregonte lodhje, por diçka midis sigurisë dhe ankthit.
-Po ja, pronari grek ku punoj është fanatik i mbrojtjes së serbëve. Millosheviçi ka të drejtë-më thotë. Akoma më i tërbuar është djali i tij që punon me mua. Ai thotë se ortodoksët sllave kanë shumë të drejtë që të mbajnë ndënë thunder kosovarët. Feja ortodokse është më e besueshmja dhe më e përparuara sot në botë.
Unë mundohesha t’i sillja për ne fakte që vërtetonin të kundërtën e këtij problemi, por … Dhe tashmë kur problemi kosovar e ka marrë në dorë NATO, dje me tha se do të nisej për në Kosovë që të luftonte përkrahë forcave të Millosheviçit. Kur e pashë se ishte verbuar deri në indet e trurit, iu përgjigja:
-Takohemi në Kosovë.
Ai nuk u besoi syve e veshëve. Por edhe unë e vendosa. Shkova mora paratë për sa kisha punuar. Ja tani ndodhem para teje. Do të marr pjesë edhe në këtë demostrim dhe në mbremje do marr udhë. Do takoj prindërit në Gjirokastër dhe të nesmën do shkoj në Kosovë.
E dëgjoja i përlotur. Dhe ashtu e përqafova.
Dhe ai iku. Nuk mora asnjë njoftim për njeriun e mire E.M.nga Gjirokastra. Ditën e Bajramit të vitit 2000, rastësisht, u ndodha në plazhin e Durrësit. Miku që shoqërohesha më tha që të shkonim të vizitonim një lokal me emërin “Drenica” të vëllezërve KAPITI, i cili, gjatë luftës në Kosovë u bë qendër e grumbullimit të vullnetarëve. Kishte dhe një arsye tjetër që më shtyu të shkoja aty. Data 5 mars është data e vrasjes të legjendarit Adem Jashari. E sosëm frymën te ai lokal i thjeshtë. U befasova. Ishte një lokal-muze, ku paraqitej gjithë aktiviteti i këtij lokali për mobilizimin e shqiptarëve të diasporas, që shkonin në frontin e luftës në Kosovë. Në faqen kryesorte të lokalit ishte fotografia e Adem Jasharit, me një mitroloz qëë nxirrte zjarr pa ndëprerë, dhe pranë tij flamuri kombëtar shqiptar. Duke pare fotografitë e shumta u përballa me një fytyrë të njohur. Ishte E.M. nga
Gjirokastra. U përqafuam të malluar. Pastaj ai më prezantoi me të fejuarën. Ajo ishte nga Drenica legjendare e Kosovës.
-Nga ky lokal u nisa për në Kosovë. Shkova, luftova bshkë me shokët, fituam dhe u fejova. Sot duhej të isha në Drenicë, por ashtu e pata një hall dhe erdha te “Drenica” Kapiti. Vetëm një gjë më ka ngelur merak gjatë luftës, se nuk e takova djalin e pronarit grek. Dua të shkoj në Athinë sa t’ju them se me kë ishte e drejta dhe kush fitoi, pastaj nuk dua të shkoj më në Greqi. Me gjithatë ndoshta dhe ai e ka kuptuar...
5 Mars 2000