NISU
Nisu, ti
Uni im i largët,
I panjohur…
Merr me vete
Edhe shikimin e syrit tim – DIELL!
Merr me vete
Edhe melodinë e fjalës sime – KËNGË!
Merr me vete
Edhe njomësinë e buzëqeshjes sime – PRANVERË!
Pra, merri të gjitha, e
Të mos jetë i kotë
Udhëtimi yt.
Do të të bjerë
Të kalosh errësira.
Drita e diellit do të të ndriçojë.
Do të të bjerë
Të kalosh dhembje e lot.
Melodia e fjalës do të të shërojë.
Do të të bjerë
Të kalosh dimra e stuhi.
Fuqia e buzëqeshjes do të fitojë.
Nisu, ti
Uni im i afërt.
I njohur…
Është rrugë e gjatë kjo.
Nuk është lehtë të arrish te NJERIU
Edhe kur era
Ka kahjen e udhëtimit tënd.
JETA
Athua kush mund ta lexojë deri në fund
Pa u verbuar
Kush mbeti pa e thither nektarin – farmak
Apo farmakun- nectar
E nëse në faqen e parë u gjenda
Do të thotë se unë kam dale
E nëse në faqen e dytë më gjete
Do të thotë se unë fillova
E nëse në faqen e tretë po çlodhem
Do të thotë se unë mbarova
Kjo na qenka jeta
Miku im
Që kënga ia ndërron fytyrën
E të gjithë ecim nëpër lëkurë të njëri – tjetrit.
MUND TË JEM
Mund të jem
Zjarr që shpërthen
Pas çdo rrëfeje.
Por, ku ta di pse
Jam vetëm vatër e tij
Me sy gacash të shuara.
Mund të jem
Lumë që vërshon
Pas çdo shtëngate.
E megjithatë
Jam vetëm shtrat i tij
I tejngopur e i heshtur.
MË DUHET
Më duhet të të gjej
Njeri,
që të mund ta dëgjosh
zërin tim, e
ta shohësh pjellën
e frymëzimeve të mia.
S’do të lodhem
duke të kërkuar
në ikje, në ardhje.
Nën këmbë a
mbi kokë, kudoqoftë.
Jam përplot e mbushur.
Heshtje e mbarsur me vite
sa, gati kam harruar si këndohet.
Madje
edhe zërit tim ia kam frikën.
Më duhet të të gjej
patjetër, Njeri
qoftë brendapërbrenda teje.
PËRRALLA E GJYSHES
Të lutem gjyshe
Përfundoje rrëfimin.
Thuaj se bisha vdiq
E njerëzit jetuan të lumtur
Më shpejt gjyshe
Të lutem
Tregimi është i tmerrshëm
E ti aq e ngathtë.
DUKE KËRKUAR EMRIN TIM
Në këtë cast
kur krahët e ftohtë të vetmisë
përqafojnë trupin tim,
loti merr rrugën e dhembjes.
Shoh veten të tretur larg
në shkretëtirën e harresës.
Dhe ashtu e dërmuar bredh
se mos gjej
një pike shpresë
për frymën time të etur.
Më bëhet se atje tej
shoh të shkruar në rërë
emrin tim.
Pluhuri i gjurmëve
më bie në fytyrë
duke fshehur qartësinë
e shikimit tim.
Sikur të pushonte era…
është e pamundur, e di.
Më kot
mundohem t’i ndalë psherëtimat
të mos dëgjohem më larg se dhembja,
të mos shkojnë më larg
se emri im i shkruar në rërë.
Sepse për të bredh dhe luftoj me erën.
Me frymën time të etur për jetë.
Me zemrën time të etur për dashuri.
LUTJE
Ju lus,
të më leni të qetë
kështu si jam
skaj trotuarit të rrugës
që vlon nga ecejaket tuaja
për diçka,
për diku.
Më pëlqen t’ju vështroj
si qesheni
për diç që keni qarë dikur,
si qani
për diç që keni qeshur dikur.
Ju përgjërohem,
mos më ngani
nga këndi im, prej ku
aq mirë shoh,
aq mire ndjej,
Më qartë se mes jush.
Prej ku, asnjë erë
s’mund të nxjerrë jashtë,
po vjen si puhi e lehtë
ledhaton fytyrën time
e ik, ik tutje
mes jush
ta shpieni para apo
t’ju shpiejë.
ta shporrni pas apo
t’ju shporrë,
varësisht në jeni duke qarë
apo qeshur.
Teksa, unë rri
vështroj e mendoj
për të gjithë.
As qesh.
as qaj.
E vdekur vallë
apo më e gjallë nga ju?!
FJALË FEJESE
Në një tubim
burrash të zgjedhur
u bë fjalë për mua.
Fjalë fejese.
Gjatësinë dhe gjerësinë
e trupit ma matën.
Më peshuan edhe në kandar.
Gojë, sy e veshë
zunë në gojë.
Prekën nga të gjitha anët.
Por,
askush s’ia doli
të prekë thellësinë time.
NGA DRITARJA
Nga dritarja
gjithmonë duket më bukur.
Edhe fytyrat,
edhe dashuritë, madje
edhe vdekjet duken
më pak të tmerrshme.
Nga dritarja
gjithmonë gënjehemi.
TESTAMENTI
Atëherë, kur diçka imja
të cilën pak e kasha njohur, ushqyer,
po vdiste në mua,
më la trashëgim:
- Nëse sundon vetveten, do të jesh
sundimtari më i madh!
- nëpër secilin mot,
qoftë me shi, diell a dëborë,
mbaj dietë!
- Mos u ngut të bëhesh
i mençur – budalla, por ji
budalla i mençur!
Me të parën arrita ku desha.
Me të dytën u bëra ai që desha.
Me të tretën fitova sa desha.
Të marrët më nderuan.
Të mençurit ma patën lakmi.
KUKULLA E FËMIJËRISË
E gjeta
në fund të shkallëve
të bodrumit të shtëpisë,
nëpër të cilat dikur
isha ngjitur
duke e harruar
nga ankthi dhe kurreshtja
për t’u ngjitur lart.
Flokët i kishte
gjysmë të rënë,
të pakrehur,
e si të thinjur
nga pluhuri i viteve.
nga buzët e thonjtë
kishte humbur
ngjyra e kuqe
që dikur i jepte
aq hijeshi.
Në fustanin e saj
lulet e dikurshme
ishin zhdukur
nën shkretëtirën e shëmtuar
të pluhurit.
Sytë, ashtu gjysmë të mbyllur
i dukeshin të lodhur
nga vetmia e harresa.
E melodia e ëmbël
që dëgjohej dikur
me ta marrë në dorë,
më nuk ndihej.
Të gjitha
ishin dhe shkuan
me fëmijërinë time.
PA TITULL
Mbledh heshtjet
e tmerrohem.
Ja, kaq kam heshtur
në fjalë
kur kam folur.
Kaq kam heshtur
në qeshje
kur kam qeshur.
Kaq kam heshtur
në këngë
kur kam kënduar.
Mbledh heshtjet
e fitoj një numër
më të gjatë
se vitet e jetës sime.