Letërsia Shqiptare

PA PËRTËRITJE
E enjte, 20-03-2008, 11:45pm (GMT)

            Të dy i kishin mbërthyer sytë tek vatra si të donin të kuptonin gjuhën e flakëve që gjithnjë ndërronin formë dhe me atë zhurmë të paktë shtonin monotoninë e atij rrethi. Një cung i madh e i trashë po digjej ngadalë në vete duke lëshuar një nxehtësi pothuaj të pamjaftueshme për pleqërinë e tyre. Plaku si hiqte sytë që andej.                                                                                                                                                        -                      -  Podigjet, i pëshpëriste herë pas here plakës.

                        - Po o njeri, po, digjet, ia kthente qetë qetë ajo.

                        Njëri dukej i tmerruar tjetri i qetë deri në dëshprim thuaj dorëzuar që më parë. Cungu i trashë vazhdonte të digjej duke krijuar një shtresë hiri mbi sipërfaqen e tij e që plaku e dinte fort mirë se ai po hante veten fshehtas  dhe nën atë shtresë ai ishte më i vogël e më i dobët se që dukej.                                        

                       - Po digjet, plako, po digjet, tha prapë ai me lemeri të shtuar.

                       - Digjet o njeri, digjet. Ia kthente ajo po me atë qetësi që edhe më shumë shqetësonte plakun e gjorë.

                        Cungu vazhdonte të digjej duke zvogëluar vazhdimisht hovin dhe shtresa e hirit kishte filluar të binte vende  vende duke bërë të dukej qartë sa i pashpresë ishte. Plakut po i merrej fryma.

                       - Nuk, ëëëhhhh khu, (u kollit ai me një kollë të ngjizur duke pështyrë në faculetën që i ofroi plaka), rrihet në errësirë e në të ftohtë, moj! Nuk rrihet vetëm.

                      Vërtet dhomën po e kaplonte një terr i ftohtë që të ngjethte mishtë. Një ftohtësi e shkaktuar më shumë nga ajo qetësi monotone e urryer me të cilën  plaku s ‘u  mësua kurrë. Ngriti për herë të fundit kokën dhe duke gulçuar bërtiti me aq sa mundi: 

                        - Thirri, thirri fëmijt  të vijnë sa më shpejtë. Dëgjon? Thirri të gjithë.

                       Një kollë tjetër më e fuqishme e shkundi të tërin duke i shterrur edhe fuqinë e fundit. E shikoi cungun që pothuaj ishte fikur pastaj  plakën pranë dhe duke lëvizur buzët  pa mundur të nxirte zë e luti me një i të zgjatur si rënkim me të cilin i doli shpirti: Thirriiiiiii...

                                                                          

       

                                                                                                                   (1997)



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.