 |
| Ali R. Berisha |
Ali R. Berisha është nga lagja Bricor e fshatit Qallapek të Lugut të Baranit. Aty ka lindur me 20 korrik 1942. Në Baran e ka kryer shkollën fillore, në Pejë Gjimnazin, kurse Fakultetin Filozofik - Degën Gjuhë dhe Letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Kryesisht ka punuar në gazetari dhe në arsim. Së fundit në Shkollën e Mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, prej ku edhe ka dalë në pension.
Me shkrime letrare ka filluar te mirret që nga shkolla e mesme – 1966, kur ka filluar të botojë fillimisht poezi. Ka shkruar poezi e prozë për fëmijë e të rritur. Në fushën profesionale është marrë edhe me çështje gjuhësore, dhe aty është ende shumë aktiv. Krijimet e tij janë botuar në revista dhe gazeta.
Ka të botuara këto vepra: Poezi me titull në fund, “Jeta e re” Prishtinë - 1997, S’ka më po e zi, KL “Vorea Ujko” Klinë - 2005, nga fusha e neologjisë ka botuar veprën Fjalor i fjalëve të reja, Pejë – 2006, kurse nga fusha e publicistikës, në bashkautorësi me Luz Përnokajn, një përzgjedhje aforizmash me titullin Aforizma të autorëve shqiptarë, “F. Konica” Prishtinë – 2007. Përmbledhja me poezi Poezia e lashtore është vepra e tij e pestë. Ka edhe pesë vepra të tjera në dorëshkrim të përfunduara që pret t’i botojë.
Ne vend te hyrjes
E PËRTASHME PËR KOSOVËN
Ndërmjet shumë atdheve
Kërkojmë një atdhe
Që të ngulim du’r e këmbë
Aty ku kemi le!
Nga shumë e shumë mendje
T’na tubojë e para,
Se vetëm e veç kështu
Mund të shkojmë përpara.
Në mes shumë flamujsh
Edhe topnin ta ngremë,
E për himn, stemë e shenjë
Të reja do t’i kemë.
Ndër disa parti
Ta duam një parti,
Nga shumë klane e grupe
Vizionin më të ri.
Mes shumë e shumë miqsh
Ta zgjedhim një kryemik,
Që me të dhe me Evropën
N’tërë botën – Unik!
Se këtij vendi të vogël,
Ku kanë lind shumë zota
Do t’i marrin lakmi
Evropa dhe tërë bota.
Në mesin e shumë atdheve
Ta duam një atdhe,
Që të ngulim du’r e këmbë,
Këtu ku kemi le!