S’mbaj mend shumë gjëra, si-qysh-tek,
Por di që qesh me ty në ëndërr –
Çudi si të sjell në kokë mbi jastek,
Edhe pse nganjëherë më sheh vëngër.
Kaq paqe në shpirt, kur ti je pranë meje,
Diku në një vend pa baltë e llucë,
Aty ku s’ka inate, llafe, a sherre,
Veç unë-e-ti, zbathur, pa këpucë.
Aty jemi gati për udhë të gjatë,
Si ti dhe une me një torbë pas shpine;
Ndonëse për dore - të humb sakaq,
Aty mbi jastek, brënda kokës sime.