"Ti nuk pi?" më pyeti një zë dhe një paketë cigaresh u drejtua.
"Jo!" u përgjigja unë.
"As alkool?!" vazhdoi zëri pyetsor në atë anglishten e tij të ngadaltë.
"As alkool !" fola unë qetësisht.
"Po ndonjë shoqe, a ke momentalisht?"
"Fatkeqësisht, jo," ia ktheva unë, duke rrudhur supet e duke hapur paksa duart me habi. Ai qeshi me të madhe. Qeshja e tij elektrizoi edhe të tjerët që po na dëgjonin dhe kështu u bë një qeshje korale, që më tepër i ngjante asaj gumëzhitjes së patave, kur ndokush u futet në mes.
"Atëherë, pse jetoni?!" buroi zëri i tij kumbueshëm përmes dhëmbëve të plakur, që mbytej i valëzuar me atë të qeshurën e veçantë, në kënaqësinë e thënies së diçkaje të zgjuar.
"Po unë tani sa kam ardhur..." u mundova të justifikoj veten, por fjalët e mia disi të trishtuara, nuk mundën ta frenonin qeshjen e atyre njerëzve, që në të rrallë, flisnin një anglishte të mangët.
Ishte një refren i dëgjuar. Fjalët e regjizorit më kujtonin vitet e para studentore për tre cilësitë e studentit, por nuk e di pse në këtë rast më lanë një shije jo fort të pëlqyeshme.
* * *
Jetonim në një kamp të vogël, i cili kishte formëm e një drejtkëndëshi dhe ndërtesat konsistonin në një katëshe, jo shumë simpatike. Jeta dukej e vështirë në atë izolim të tërthortë dhe në atë pamundësi frymëmarrjeje. E megjithatë, në thellësinë e saj të vyshkur, mundoheshim të gjenim të bukurën, si ushqimin më të pazëvendësueshëm.
Ishte ditë e shtunë. Një diell i dobët rrezatonte pas reve, që herë pas here tregonin pamëshirën për t'a mbuluar atë krejtësisht, duke bërë që era të na depërtonte disi më thellë me akullsinë e vet. Kisha dalë krejt rastësisht dhe bluza e hollë që mbështillej pas trupit, dukej se më ngrinte edhe më tepër. Hunda filloi të më rridhte me piklat e një lëngu të ftohtë dhe kështu më lindi nevoja që të përdor shpeshherë shaminë që kisha futur diku në xhepin e pasmë të pantallonave. I depërtova lehtë dorën në bel dhe i thashë: "Eja t'i vidhemi këtij vendi të ekspozuar ndaj erës dhe shikimit të njerëzve."
Për çudi, si asnjëherë tjetër në indiferencën e tyre, të gjithë ata që kalonin, po tregoheshin tepër të mirësjellshëm, gjë për të cilën, pikërisht në ato momente nuk kisha nevojë. Ajo provoi t'i shmangej dorës sime dhe papritur u ngatërrua në një manaferrë e gati sa nuk i grisi streçet e saj të holla, nën të cilat prisnin me ankth dy këmbë të drejta e të bukura.
"Mos provo të largohesh nga unë," i thashë, "se ferrat do të presin..."
Ajo qeshi. Qesha dhe unë.
"Pse më shikon ashtu?" më pyeti pasi sytë tanë ishin harruar disi në një shikim të ndërsjelltë.
"Sepse ti më shikon ashtu!" u përgjigja unë.
E ndieja se po bëja një krim. Krimin më të këndshëm dhe më të paevitueshëm në botë. Ajo iu bashkua trupit tim dhe të dy ngjitur, ecëm e u fshehëm diku, pas një muri tek salla e lojrave të atij qyteti të vogël. S'donim të na rrihte era, e për më tepër nuk donim të na vrisnin shikimet e njerëzve. Ndërkohë e preka lehtë në fytyrë, ashtu siç ishim afër e afër, pastaj e pyeta për flokët që i kishte të dredhura në bishtaleca të hollë si afrikane. Flokët e saj të gjatë e të derdhura, me ato grrecat e tyre, e pengonin natën kur flinte. Lehtë e putha në faqe. Ishte një nga ato puthje që të ndez më shumë, se sa puthja e vrulltë dhe e afshët. Më pas guximi im u shtua dhe puthjet kaluan në sipërfaqen e lejueshme të fytyrës, mbi vetulla, qerpikë, hundë e për të përfunduar në buzët e saj të plota. Gjithçka bëhej aq lehtë, saqë dukej sikur nuk donte t'a prishte me papërmbajtjen e saj, atë bukuri të qetë e të pastër ëngjëllore. Por buzët e saj njomështake se si m'u dukën. Më dhanë një ndjesi çuditërisht të këndshmë, që përzihej me një joshje fluturake. U mbështet tek unë, ashtu e ngrohtë, e përshkruar nga një i kuq i flaktë, që e shtonte edhe më ëmbëlsinë e fruteve sapo të pjekura.
"Jam e rrezikshme," foli ajo disi pa zë.
"Pse, do më vrasësh?"
"Do të të vras në zemër!..." vështroi ajo thellë në sytë e mi, disi e turbulluar.
"Pothuajse më ke vrarë," buzëqesha unë. Një njeri kaloi aty pranë. Për fat të mirë nuk na i hodhi sytë.
"Oh, zot!" thirri ajo kur ai po kalonte qoshen e ndërtesës.
"E njihni?" pyeta unë i habitur.
"Është një shok i babait..."
Megjithatë, ne nuk e prishëm mëkatin tonë. Mëkati s'ka se si të mëkatohet. Ajo kishte nevojë të harronte diçka, kishte nevojë të ngrohej larg asaj ngrice ere të ftohtë. U afrova përsëri me atë lehtësinë e një balerini me përvojë dhe e mora në krahë, ashtu të plogësht siç ishte. Me çelësin që kisha në xhep hapa derën e palestrës ku bënim ushtrime 'body-building'-u, u shtrimë në njërin nga dyshekët sportivë të atjeshëm dhe veprimet tona filluan të ngjalleshin, filluan të shtonin frymëmarrjen...
Që nga ajo ditë, regjizori s'më fliste më si më parë.