 |
| Ardian-Christian Kyçyku |
Ardian-Christian Kyçyku u lind në Pogradec më 23 gusht 1969. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega gjuhë-letërsi. Është doktor i shkencave filologjike, doktorant në teologji pranë Universitetit Shtetëror të Bukureshtit, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bukureshtit. Është, gjithashtu, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe i Central European Academy of Science and Art.
Ka botuar këta libra: “Në perandorinë e gurit”, roman shqip, 1993; “Viti kur u shpik mjellma”, roman i shkruar në rumanisht, 1997; “Mortët”, roman shqip, 1997; “E fshehta e ëmbël e marrëzisë”, përmbledhje me novela shkruar në rumanisht, 1998; “Nata pas vitit zero”, përmbledhje me novela shqip, 1998; “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, roman i shkruar në rumanisht, 1998; “Përkthimi”, roman shqip, 1999; “Muza e Lojës”, trilogji shqip, 1999; “Lumenjtë e Saharasë”, roman shqip, 1999; “Hyu Epigon”, roman-ese shkruar në rumanisht, 2000; “Dashuri me shikim të fundit”, prozë rumanisht, 2000; “Oreksi për bukën e qiellit”, roman shqip, 2000, “Diva ose Ngrënësi i Luleve”, roman shqip, 2001; “Engjëjt e tepërt”, roman shqip, 2002; “Kristali dhe hienat”, roman shqip, 2002; “Trilogjia”, prozë e zgjedhur rumanisht, 710 faqe, 2002; “Një alfabet i poezisë shqipe”, antologji, 101 poetë shqiptarë në gjuhën rumune, 2003; “Koha e zëvendësve”, një dialog me poeten Iolanda Malamen për shpirtërimin shqiptar (2003); “Sy”, roman, 2004; “Si u pushtua Çmendustani”, prozë, 2004; “Shtetrrethim”, 2004.
Në kuadrin e arsimit universitar rumun jep lëndët: Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik, Gjuhësi e përgjithshme, Fenomeni Audio-vizual.
Ardian-Christian KYÇYKU është përfshirë në tri antologji të prozatorëve të shquar të Rumanisë, në fjalorin "Shkrimtarë rumunë të viteve '80-'90", në enciklopedinë "Who's Who in Romania" dhe në një histori të letërsisë rumune. Nga viti 1998 është bashkëthemelues dhe njëri nga drejtuesit e revistës dygjuhëshe (shqip e rumanisht) për kulturën dhe traditat evropiane "Haemus", që botohet në Bukuresht. Krijime të tij janë përkthyer në gjuhët hungarisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht e anglisht.
Është i martuar dhe bashkë me gruan e fëmijën, jeton në Bukuresht - Rumani.