Letërsia Shqiptare

Ne kanal
E premte, 02-02-2007, 02:59pm (GMT)

Një episod nga puna e detyruar në kënetën e Maliqit (Verë, 1948)

Ajo ditë e fundkorrikut ishte tepër e nxehtë. Dielli filloi të digjte më shumë se zakonisht duke e mbushur kënetën me një dritë të shndritshme që e bënte baltën e zezë poshtë ujit të ndriçonte si antracit.

Nikolla kishte etje, por në materen e tij nuk kishte mbetur asnjë pikë. Më e keqja ishte që e dinte se kishte shumë mundësi që ai të mos e mbushte më atë ditë mataren e tij; askush nuk ishte parë duke transportuar ujë të pijshëm përgjatë kanalit. Nuk ishte hera e parë që në ditët më të nxehta shërbimi i ujit të neglizhohej nëse ai do të kishte qenë në pjesën e kanalit ku njerëzit punonin në tokë të thatë, ai do të kishte hapur një vrimë në tokë dhe do të kishte pirë nga uji që do të rridhte në gropën e vogël.Sigurisht që uji do të ishte i neveritshëm, pak i kripur dhe do të zbriste në stomakun e tij si plumb, por, të paktën, ai do t’ia hiqte etjen që e torturonte.

Për një çast Nikolla pushoi së gërmuari. Ai pastroi djersën nga balli i tij dhe pyeti Mukon, djalin që po punonte më afër tij, nëse kishte ngelur ndonjë pikë ujë në mataren e tij. Mukoja u habit:

- Përse duhet të kem? Mos vallë dielli është më i sjellshëm me mua se sa me ty?

Ai vazhdoi duke u tallur:

Lum ti që je i zhytur deri në brez në kënetë. Mendo qetë e fshtatit tënd. Përse nuk vepron si ata? Të siguroj që etja jote do të zhdukej në çast... 



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.