KAFENEJA BALLKANIKE (Dramë)
E diel, 13-01-2008, 02:17am (GMT)
Begzad BALIU
KAFENEJA BALLKANIKE
ose
(Udhëzime për Teatrin Evropian)
(Dramë)
Botim i parë,
Prishtinë, 1996
Vetat:
Të gjithë Princat e Shteteve Ballkanike
Shtatë ambasadorë të Shteteve të Bashkuara të Evropës dhe të Amerikës
Regjisori
Kryetari i Komisioni
Nënkryetari
Publiku evro-ballkanik
Shërbëtorja
Zëra: 1, 2, 3,… x.
Etj,… etj.
(E shkruar në Festivalin «Ditët e Teatrit Evropian 199’»)
Parahyrje në skenë
BALLKANIKE
Rroftë!
Poshtë!
Poshtë!!
Rroftë!!
Rroftë-Poshtë!!!
AKTI I PARË
Përgatitja e skenës
Udhëzime për një pamje të mundshme
Natyrë ballkanke. Teatër ballkanik. Skenë ose pamje ballkanike. Muzikë ballkanike,… rrjedhimisht edhe ndjenja ballkanike.
Edhe ndjenja!?
Domethënë edhe përjetim edhe bindje ballkanike! Ah…!
Një mal i madh. Një guri i madh në mes dhe në fund shpella e frikshme që nuk dihet nëse është shpellë apo gojë e hapur ujku, gati për të përbirë publikun. Aty është edhe kulshedra, prej gojës së të cilës shpesh duhet të dale tymë e flakë.
Duhet të dëgjohet edhe lëvizja e dragojve kreshnik, prej të cilëve në mos rrapëllima që lëvizë tërë skenën, (po le ta lëvizë edhe publikun, pse jo), duhet të dëgjohet edhe një fragment kënge. Së paku kështu thotë kënga ose ose thonë legjendat.
Rreth e rrotull dhe Brenda, në vende të zbrazta, janë vendosur gurë që kanë një rend dhe një disiplinë qëndrimi. Si zakonisht nuk dihet nëse janë gurë apo njerëz (që qëndrojnë drejt- thotë legjenda), krushq të ngrirë, rrashta kafshësh,…
Drunjët janë tepër të vjetër dhe në zgavrat e tyre pushojnë gjarpërinjë. Diku më lartë nxjerr kokën huti dhe zogjtë mishngrënës. Pastaj, shikoni, hapni sytë, mos shihni diçka më shumë, më mire, më çartë, vërtetë më tmerrshëm! …Nëse keni zemër të shihni më shumë.
Është vështirë!
Është e pamundëshme!
· Ah! Ura! Vërtetë një cep i urës në të majtë dhe një ushtimë lumi. Është Ura e Fshejtë?
· Është Uji i Bardhë i Drinit të Bardhë! I qumshtit të nënës sonë?!
· Jo! Jo! Është Ura e Xhehnemit! Është uji i zi!
· Po në Ballkan nuk ka legjenda në të cilat tregohet se si nën urë kalon uji i zi.
· Veç se ka burme, vërtetë kroje, pusa, që u thonë legjenda për ujtë e zi.
· Nuk e besoj.
· Në mos pastë ndërruar koha dhe hapësira.
· As kohës dhe hapësirës nuk i besohet gjithmonë.
· Në Ballkan as koha as hapësira nuk ndryshojnë lehtë dhe nuk ndryshojnë shpesh.
· Megjithëse edhe ndryshimet më të vogla përcillen me dridhje, tronditje ose rrënime të mëdha, duke përfshirë këtu edhe ngjyrën e ujit ose ndarjen e tij…
· Kështu, shekuj të tërë nuk ka lëvizur gjë prej gjëje,…
· E megjithatë gjithë kjo lemeri…
INTERMEXO
Ose, Një Komision i Festivalit e viziton skenën e Teatrit Ballkanik
· Krra-krra… krra-krra…!
· Një krismë pushke: Tak!
· Një zë: Oh!
· Alternativa: Krrokamë dhe rëni e një shpendkeqi, bashkë me ushtimen e drurit. Po le të bie edhe druri ore!
· Një zë tjetër: E vrau more hej…!
· Përsëri një krismë pushke: Tak!
· Po kjo krismë e tretë?!
· Dëshmi e saktë se e vrau.
· Pse krrokama e një shpendi mund të sjellë fatkeqësi njerëzore?
· Ç’lidhje ka një shpend me njerëzit?
· Këtu gjithçka është e lidhur me fatin e njeriut: edhe shpendët, edhe guri, edhe burimi, dhe veçanërisht ngjyra e tij, edhe yjet, hëna, netët, ditët, javët, muajt, vitet, stinët…
· Edhe pordhat!…
· Mos u tall, nuk ke të drejtë të tallesh. Këtu megjithate ka një rregull prej të cilës ndoshta do të mësonim edhe ne…
· Shpesh e kemi paguar shtrenjtë moskuptimin e tyre…
· Megjithatë një kollë e tyre ka shumë rendësi…
· Mbase po, është një përgjegje, një reagim,… ashtu më duket…
· Një zë, ndërmjet vajit dhe këngës, i përcjellur me një instrument shumë të vjetër i përafërt me lahutën.
· Është vaj aq prekës, ë?
· Jo. Është një këngë për të vdekurin!
· Si, si?! Këngë për të vdekurin! Ndoshta pse është një këngë vajtuese apo një vaj këndues, nuk e di si do të duhej të ishte më drejtë kjo sintagëmë, më mire është t’a pyesim specialistin për etnologji,… por çka deshta të them,… ah po, kënga vajtuese apo vaji këndues. Po. Deshta të them se ndoshta duke pasur dy elemente të përnjëherëshme dhe të gërshetuara mes veti këtu edhe kënga edhe vaji kanë kaq shumë elemente emocionale por nuk kanë kujë të trishtueshme si në Evropë dhe,...
· Lene studimin ju lutem, nuk mjaftojnë dy elementet për studimin e një fenomeni a dukurie, më thuaj është ky vaj, vërtetë kjo këngë për të vdekurin apo,…
· Po, po! Pikërisht për të vdekurin! Këtu kurrë nuk vajtohet! Këtu zakonisht këndohet për të vdekurin!
· Si ndodh kështu!?
· Në Teatrin Ballkanik është turp dhe fatkeqësi të vdesësh në shtrat.
· Pa një akt trimëror këtu nuk vdes njeri. Ndryshe do të mbeten pa këngë dhe kënga nuk këndohet pa krismë pushke…
· Po për gra, ka këngë?
· Ka këngë edhe për gra, por ka më shumë luftëra për gratë, të mbështjellura me mjegullen e trimërisë dhe të vdekjes…
· Prandaj, kur vriten, atyre u këndohet trimëria, në vend se të vajtohet humbja e tyre,… E megjithatë këngët janë kaq emocionale dhe dallohen prej himneve!
· Ashtu disi…
· O zot, o zot,…
NJË NGA DIALOGËT E PARË
Vetat:
A
B
C
D
A: Ç’është kjo? Ky Teatër duhet të pranohet në Teatrin Evropian?!
B: Po, po. Pikërisht ky.
C: Di ti gjë për ballkanasit?
B: Unë di këngën ballkanase: “Ballkanasit shkojnë në luftë!”
C: Ndërsa unë kam dëgjuar këngën e re: “Ballkanasit shkojnë në Evropë”.
A: E pse shkojnë ballkanasit në Evropë?
D: Sigurisht për të luftuar!
C: Jo, jo. Nuk shkojnë për të luftuar po për të treguar se na e kanë sjellur kulturën, na e kanë ruajtur zotin, se ata janë vetë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë…
D: Dhe na kanë çliruar… hahahaha…
C: ….Hahahah… Pikërisht për këtë, … kjo ishte e para… hahaha…
D: E Pse, Ne në Evropë, çka paskemi bërë? Kemi ruajtur qiellin? Hahaha …dhe kemi zbuluar Amerikën!
A: Ç’rëndësi ka Teatri Ballkanik për Teatrin Evropian?
B: Që t’i shpëtojmë ata dhe vetveten nga përmbytja…
A:B:C:D: Obobo, po hyjmë në luftë për të shpëtuar nga lufta!
PROVA E PARË
Ose ballkanasit dalin në Teatrin Evropian
Vetat
Të gjithë princat e Shteteve Ballkanike
Publiku evro-ballkanik
Skena tradicionale e Teatrit Ballkanik
P.sh. Skena mund të jetë e zbrazët dhe në mes të saj një fron mbretëror, ose mund të mos jetë një fron, po një ulëse mbreti apo kolltuk i Kryetarit të Partisë dhe para tij një palë çizme të rënda, ose… Në fund të fundit mund të jetë një kombinim i zakonshëm që shpreh një atmosferë ballkanike.
Zëra në hyrje të skenës që s’është e thënë të kenë këtë radhë:
…Unë dua të dal i pari,…
…Jam më i vjetri, duhet të më nderoni…
…Jo, jo, jo! Jam unë,…
…Jam më i riu, duhet ta kuptoni mosdurimin tim,…
…Jo ti, po unë sepse…
…Jam më i pashmi dhe më ka hije skena…
…Kurrësesi! Unë jam…
…Teatri është i imi, kur unë luaja në Teatër ju jetonit në vezë të qyqes…
…Unë,…
…Jam më trimi,…
…Asesi, unë…
…Jam më i forti, dhe…!
…Pikë!
…,
,…
Dialogjet mund të përsëriten disa herë në kombinim edhe me tekste të ndryshme polemikash.
Ku i dihet Teatrit Ballkanik? Ç’ështja është që diçka të fillojë,… ose, ose…
Teatri Ballkanik jeton…! Domethënë drama vazhdon!
PAS AKTIT TË PARË
Vetat
Shërbëtorja
Hyn me fshesë në dorë.
Shiko, shiko! Ç’janë gjithë këto sende të përmbysura. Po mua më thanë se drama nuk është luajtur fare. Madje mendoja të shkoj apo të mos shkoj për ta pastruar skenën.
“Nuk ka shkelë kush në dërrasa, nuk ka pasur publik në sallë, domethënë nuk janë ngrënë fara”, më thonin!
Jo, për atë se nuk janë ngrënë fara, ose nuk ka pasur publik nuk më tha askush, por pasi më thanë se nuk ka pasur shfaqje, kjo nënkuptohej vetvetiu.
Shih, shih…!
I kap ca lecka, fletë, rrobe të vjetra. Fillon të lexij një letër.
Këngë! Uh, uh, uh,…! Obobo, po e gjatë që qenka! Jo. Unë nuk kam nerva për ta lexuar këtë…
E hedh në tokë.
E kjo?
E kap një lahutë të thyer.
Kjo, sigurisht është pjesë e ndonjë lahute të thyer me të cilën kanë dashur ta përcjellin këngën. Sigurisht kanë pasur vetëm një lahutë, prandaj e kanë thyer duke e tërhequr: Jo kjo është e imja, jo me këtë qe treqindvjet, jo more tremijë vjet, tridhjetë… po çka janë treqindvjet për ballkanin, ku e kisha fjalën (ndalet), … e kemi përcjellur këngën brez pas brezi dhe… Dhe sigurisht këngën nuk e kanë përfunduar. Në Ballkan askush nuk e përfundon këngën dhe jetën! Të gjithë e kanë nga një epilog të çuditshëm. E si mos të jetë i tillë, kur fundi i këngëve dhe vdekjeve është gjithnjë i parakohshëm. E kjo?!…
E kap një rrobe të leckosur dhe të përgjakshme.
Obobo! Paska pasur edhe mosmarrëveshtje të përgjakshme në mes tyre. Jo more, ndoshta ndonjëri prej tyre ka pasur me marrë hakun dhe, sigurisht e ka marrë me vete shenjën e saj. Shih ti njëherë! Këmishën e hakmarrjes e kanë sjellur edhe në Teatër. Epo kështu është kur në skenë del Teatri Ballkanik. Uh, uh, uh,..
Ngre edhe ca lecka.
Si iu vie erë gjaku,… Më duket se këtyre u thonë mite.
I shikon njëren me kujdes, me përbuzje dhe me ironi.
Janë të trishtueshme. E me çka lavdërohen ballkanasit? Me mite! Me çka krenohen ballkanasit? Me hakmarrje! Këngë! Gjak! Vaj! Tradhëti! Kuaj Troje! O zot! Secili pretendon të quhet krijuesi i djepit të parë ballkanik. Madje edhe i djepit Evropian. Si nuk u mundën njëherë nga tragjedia e tyre,… Veç e veç dhe bashkarisht. Si nuk u mjaftuan grekët me krimin mbi Trojen, sllavët me përmbysjen mbi jugun, turqit me kreshtat mbi Ballkanin…?!
Obobo…, ç’po flas dhe unë?! Si duket edhe mua do të më bie sëmundja ballkanike,…
Dëgjohet zhurmë jashtë.
Ndoshta përsëri po vijnë për shfaqje. E unë, ç’po bëj kështu?!
Shpejton ta pastroj aty-këtu dhe del nga skena.
(Fundi i aktit të parë)
AKTI I DYTË
Vetat:
Princat ballkanikë
Regjisori
Publiku evro-ballkanik
Është skena (e) pas aktit të parë. Princat e Ballkanit janë brenda. I pari ngutet të flasë regjisori, i cili njofton publikun se dalja e Teatrit Ballkanik në këtë Teatër, historikisht modern, është bërë, mendermethënë për bythë të gjilpërës…
· Megjithatë, mundi im,…
· Djersa ime,…
· Gjaku im,…
· Kjo është tradhëti,…
· Përsëri ka përzierje,…
|