Letërsia Shqiptare

Legjenda e lindjes sime
E shtune, 03-02-2007, 11:04am (GMT)

Binin gjethet e para të shtatorit lyer me bojë hëne.
Dëshira për lodra magjike iu zgjua befas nënës sime.
Prej ëndrrave më të largëta të vajzërisë
më thirri mua,
unë menjëherë dola,
s’mund ta lija aspak të trishtuar,
si kukull hyra në dhomën e bardhë të nusërisë.

Në fëmijërinë jetime ajo kurrë s’kish patur kukull në duar,
tani mund të luante me mua,
të më vishte e zhvishte sa herë të donte,
të më përkëdhelte,
përralla, që prej askujt s’i kishte dëgjuar, të më tregonte.

Për të isha lodra më e mrekullueshme për muaj e vite,
derisa një mbrëmje unë e pyeta papritur: “Çështë mbreti?”
Ajo, pa qeshur si më parë me pyetjet e mia,
m’u përgjigj:

“Ka mbret e mbret, por i vërteti
është ai që luan me njerëzit e vegjël, burra e gra,
tallet me ta, i poshtëron gjithë ditën e ditës
e në mbrëmje u thotë buzagaz, natën e mire,
bëfshi gjumë të ëmbël!

Ti linde pa mbret mbi kokë e rro pa mbret,
ruhu nga ata që i vënë vetes kurorë
dhe, ulur në një karrige me dukje si tënden,
kërkojnë të mbretërojnë.”

Shtatori përvjet e më bukur i lyen gjethet me bojë hëne,
përvjet e më prush m’ia ndez nënës
mallin për fëmijërinë time tashmë.

E ndjej netëve tek më afrohet si një ulkonjë
e më lëpin plagët, që dua t’ia fsheh.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.