Kishim kaluar një gjysmëjavë fare të përshtatshme në Lisbonë, fillimi i udhëtimit. Më pas kishte ardhur Madridi, ku pothuajse asgjë nuk kishte ecur siç shpresohej, por që unë sot nuk shoh ndonjë të keqe të madhe. Përkundrazi, do të thosha se pritësit spanjollë, me çorganizimin e tyre organik, ku shfaqej edhe më dukshëm një farë bezdie nuk e di deri ku e përligjur për t'u marrë me ne, gjithsesi na kishin ndihmuar në një pikë të paparqshikuar nga ata vetë: e kishin ftohur në kohë euforinë tonë për «javët e mrekullueshme», që kishim përpara, kur do t’i binim kryq e tërthor Europës nga jugu në veri, ndoshta udhëtarët më të përkëdhelur të shekullit, të rrethuar me të gjitha përkujdesjet për fjetjen, ushqimin, vizitat dhe më tej akoma dhe kjo ishte më e këndshmja, të rrethuar me zilinë e ëmbël të të panjohurve të kombësive të ndryshme, të cilët në një mënyrë a në një tjetër dëgjonin për aventurën tonë.
Kishim lënë, pra, prapa edhe Madridin, dhe e kishim lënë sinqerisht pa ndonjë keqardhje, kishim kaluar edhe një natë konkretisht të etur, pasi në tren nuk kishim gjetur asnjë pikë ujë për të pirë, dhe më në fund po koteshim nëpër autobusët e rehatshëm, që na çonin nga stacioni i trenit të Bordosë në hotel. Ishte një mëngjes të djele me një rigë shiu, që nuk freskonte asgjë, por as nuk e shtonte zagushinë e mesqershorit dhe shkrimtarët koteshin nëpër ndenjëset e buta të autëbusëve pa menduar, e them me siguri, as për ngjyrat e munguara të qiellit, as për Monteskienë, madje as për verën e famshme të kësaj krahine. Ata vetëm koteshin, të lëshuar deri në muskulin e fundit, thjeshtë trupa njerëzorë të dorzuar dhe unë isha njëri prej tyre.
-Ju lutem, asnjë fotografi të shkrimtarëve, që flenë! E qartë një herë e mirë?
Kishte folur njëra nga shoqërueset vendase, sepse shoqëruesit tanë ishin dy llojesh, një palë, për të na pritur në vendin ku kalonim e një palë për t'u kujdesur për ne gjatë gjithë udhëtimit. Ajo u drejtohej fotografëve dhe kameramanëve, që gjendeshin në autobusin tonë e që, natyrisht, ishin njësoj të lodhur si ne, por pa të drejtën për t'u kotur si ne. Ata ishin në punë. Zëri i vendosur i asaj gruaje të vëmendshme u zvarris shumë ngadalë e krejt tinëzisht nëpër trurin tim të squllur dhe nuk e di kur arriti të linte aty vërtet gjurmën e vet të plotë. Ajo ua ndalonte kameramanëve dhe fotografëve të merrnin nëpër kutitë e errëta të aparateve të tyre fytyrat tona të përgjumura. Pse? pyeta përtueshëm veten dhe po ashtu nuk mora mundimin të çelja sytë për të parë se si ishte ëngjëlli ynë mbrojtës, ç'shprehje merrte fytyra e saj tek jepte një urdhër të tillë. Në fund të fundit nuk kisha ndonjë arsye ta njihja, nuk më duhej as ngjyra e syve të saj, as emri i saj, nuk më duhej asgjë, që kishte të bënte me shoqëruesit e me shoqërueset, të cilët kisha mësuar tashmë se në trenin tonë quheshin «intendentë», një fjalë, që në shqip përdoret vetëm në fjalorin ushtarak. Ne na kishin mbledhur në këtë udhëtim të pazakonshëm, më shumë se njëqind shkrimtarë e poetë nga afro pesëdhjetë vende të Europës, që shkruanim në më shumë se pesëdhjet gjuhë, për të njohur tjetër gjë nga «intendentet» tona. Po çfarë do të njihnim gjatë atyre javëve të pazakonshme? Dhe pa iu përgjigjur pyetjes së parë, shtrova të dytën: a do të kishte diçka për të shpresuar se do ta njihnim pak më mirë edhe veten? Kisha pyetur krejt shkujdesshëm, në atë gjendje gjysmaëndrre, gjysmazgjuar dhe për më tepër fare mahmur, por ashtu padashur kisha zënë një fill mendimi, që nuk do të vononte të më ngatërrohej seriozisht nëpër kokë gjatë gjithë ditëve, që pasuan.
Pse-ja ime e parë nuk kishte mbirë në truallin e shkretë të gjumit të lodhjes, por në atë thërrimen regëtitëse të botës së gjallë, e përcjellë sipas mënyrës së vet tek ëndrrat. Edhe në gjendjen më të pavullnetshme unë kisha dashur të dija, dhe do të vazhdoja të doja përtej kureshtjes edhe kur truri im të ishte fare i kthjellët, se përse nuk duheshin fotografuar shkrimtarët në gjumë. Nuk e merrja dot me mend se si dukesha unë vetë, por fytyrat e kolegëve të mi më ngjanin gjithsesi më të fisme ashtu të kredhura në gjumë se sa zgjuar. Ndoshta i bënte të tilla pikërisht fshehja e syve, pra fshehja e asaj shprehjes së lëngshme të vanitetit të mezipërmbajtur tek vërenin zilinë e të tjerëve, ose të publikut, siç do të ishte më e drejtë të thuhej, një ndjesi e njëllojtë si në Lisbonë, si në Paris, si në Madrid apo në Moskë, e që nuk ishte mirëfilli zili, pasi aty përziheshin edhe njëqind tharme të tjera, pak kureshtje, pak admirim, pak habi, edhe pak zili patjetër, dhe të gjitha bashkë përbënin lëndën e nevojshme për ta veshur udhëtimin tonë në përfytyrimin popullor me një mister të lehtë. Ky mister u shërbente më së miri të gjitha palëve. Publiku gjente aty arsyen e mjaftueshme për ta mbajtur nga pak vështrimin te ne, gjë që natyrisht kënaqte organizatorët dhe sponsorët, të cilët merrnin lavdërimet e dëshiruara, domethënë shpërbleheshin. Ndërsa shkrimtarët në fjalë, në sajë të këtij misteri, ndjeheshin të rëndësishëm, madje në qendër të një legjende, e cila, sado që fare e përkohshme dhe pa shtrirje përtej qyteteve ku mbërrinim, sepse e ndërtuar jo nëpërmjet veprës së tyre, por nëpërmjet një vullneti të programuar institucional, e që ishte kremtimi në mbarë Europën i vitit 2000, pra shkrimtarët e zgjedhur ndjeheshin kështu pjesë e një legjende, e cila, sado që fare e përkohshme dhe e lokalizuar, prapë e përkëdhelte lidhjen e tyre zakonisht të fshehur keq me lavdinë e panevojshme e madje pse jo, edhe me përjetësinë po aq të panevojshme, ama kishte një dobi: përligjte gjithsesi praninë e tyre në atë tren spektakolar, përligjte para vetes së tyre edhe vazhdimin e udhëtimit deri në mbyllje, pa u mundur nga merzia e paralajmëruar. Një ngushëllim i tillë ishte fort i përfillshëm për shkrimtarët, të cilët do të kenë patur ngurrimin e tyre për të pranuar këtë aventurë gjashtë javore, që do të thotë më së paku shumë kohë e shkëputur nga përditshmëria e tyre e zakonshme, ikje nga rutina, brenda së cilës ankthet e tyre janë më të qetësuara.
Për aq sa më përket mua, duhet thënë se nuk kam arritur gjatë gjithë udhëtimit t’i përgjigjem asnjërës nga tri a katër pyetjet thelbësore lidhur me arsyen e thellë, që e përligjte pjesëmarrjen time në atë tren. Jo pse e kisha pranuar ftesën, nuk kisha kureshtje të tilla mazoshiste, ftesën do ta pranoja, si jo, unë jam më së shpeshti i gatshëm të bëj edhe gjëra fare të kota, kam bërë me bollëk deri tani e me siguri do të bëj edhe në të ardhmen. Por pse na kishin ftuar, cili ishte qëllimi i një ndërmarrjeje kaq të kushtueshme e të lodhshme veçanërisht për kujdestarët tanë? Duhej të kishte doemos një qëllim të lartë, të paaritshëm nga mendja ime, isha i sigurtë paraprakisht. Deklaratat e zjarrta të udhërrëfyesit tonë, Tomasit, e që ishte edhe mirëbërësi ynë kryesor, të përsëritura herë në gjermanisht e herë në anglisht në çdo qytet ku ndaleshim, mbi Europën kulturore, e cila shënonte kufijtë e Europës së vërtetë, i dëgjoja gjithmonë me durim, por thellë-thellë nuk më bindnin fort. Duhej të kishte diçka tjetër më serioze, thosha, më të prekshme për të gjithë, domethënë diçka njësoj të prekshme si për ne, udhëtarët shembullorë, ashtu edhe për admiruesit tanë. Dhe unë, njëri nga qytetarët ithtarë të kësaj konfederate kulturore, të shtrirë nga Atlantiku në Ural, nuk arrija e nuk arrija ta kapja këtë diçka. Halli për mua zbriste edhe më poshtë, bëhej edhe më konkret, e madje fare konkret. Ashtu si të tjerët, e dija se në mbyllje kisha për detyrë të dorzoja një tekst jo më të gjatë se pesëmbëdhjet faqe, e që mund të ishte ese, reportazh, tregim, poezi, çfarëdo. Po çfarë do të shkruanim në të? Për Europën, dhe kaq. Nuk na u tha më tepër. Një liri e tillë, sado që kontinentale, pushtim i papërmbushur as nga Bonaparti, nuk më kënaqte, përkundrazi, më shqetësonte me hapësirën e vet të papërcaktuar. Harta laramane e të quajturës Europë kulturore më vërtitej nëpër imagjinatë si një teneqe e ndryshkur, e papërdorshme.
Gjithçka do të kishte qënë më e lehtë, e pse jo fare e lehtë, sikur të pranohej, që ky ishte një udhëtim turistik, vërtet i veçantë, të themi edhe i jashtëzakonshëm, ama me një bërthamë mirëfilli turistike. Një bamirës, apo edhe më mirë shumë bamirës të bashkuar mrekullisht në kapërcyellin joapokaliptik të shkujve, qofshin këto edhe ministri kulture të shteteve të fuqishme, kompani kombëtare hekurudhash, rrjete hoteliere ndërkombëtare e ku e di unë çfarë tjetër, kishin patur dëshirën e mirë të krijonin një herë të vetme një qese të përbashkët për t’u paguar një udhëtim ëndrre njëqind e ca shkrimtarëve europianë, të cilët do të shihnin kështjella, parqe, muze, biblioteka, rrugë, librari, teatro, kisha e do të takonin ngado politikanë, artistë, lypsarë, ushtarë, prostituta, hajdutë në lindje e në perëndim, duke shkelur triumfalisht mbi rrënojat ende joplotësisht të fshira të nazizmit e të komunizmit, dy tragjeditë, që do ta bëjnë të paharrueshëm me shumë se gjithçka tjetër shekullin në ikje. Në fund, pas gjashtë a shtatë javësh në lëvizje, në kërkim të kërkimit, secili nga shkrimtarët të dorzonte një udhëpërshkrim jo më të gjatë se pesëmbëdhjet faqe, ku të kishte shprehur dëshminë e tij. Me një pjestim të tillë mekanikisht të barabartë të hapësirës, që do të përbëjë librin tonë të përbashkët kushtuar këtij udhëtimi, ne do të mund të tregonim se zemrën e kishim njësoj të hapur e të ndjeshme ndaj bukurisë së peizazhit, ndaj madhështisë së monumenteve e ndaj dramës së Historisë së kontinentit tonë. Shkurt, do të ishte një rast i rrallë të tregonim se ndjehemi vërtet bashkë, dhe barazisht të respektuar e respektues, pavarësisht shpejtësive të ndryshme të përcaktuara autoritarisht nga politikanët e nga bankierët për atë, që quhet integrim europian. Por mos e dhëntë Zoti! Asgjëkundi nëpër shpjegimet e nëpër udhëzimet e shumta, që na ishin shpërndarë më parë, e aq më pak nëpër fjalimet e organizatorëve nuk përmendej mundësia për një rrjedhë të këndshme turistike të udhëtimit tonë, a thua se shkrimtarët e kanë të ndaluar me fe të jenë disa javë turistë në jetën e tyre, apo se Europa e madhe humbet diçka thelbësore nga autoriteti i vet prej zonje plakë po t'u shfaqet turistikisht tërheqëse shkrimtarëve të saj. Udhëtimi ynë përkonte me kohën e parashikuar bujshëm pak dekada më parë për turizmin në hapësirë. Nuk ka asgjë të çuditshme pse asnjëri prej nesh, të njëqind e ca shkrimtarët e poetët e Literaturexpress nuk bënte pjesë te ëndërrimtarët e pathyeshëm, që vazhdojnë t'i ruajnë të rezervuara vendet për në fluturimet hapësinore, ani pse teknoshkenca nuk ka asnjë gjasë t'i mbajë premtimet së paku lidhur me afatet. Asnjëri prej nesh nuk e ka lexuar as guidën turistike hënore Moon Handbook, suksesin e të cilit nuk e ka cënuar as çmimi prej dhjetë milion dollarësh që do të kushtonte një vajtje-ardhje e thjeshtë e organizuar nga Nasa. Ne nuk ishim interesantë as për publicitetin e Richard Branson, i cili sapo ka bërë të njohur hotelin e vet, ku mund të shkohet natyrisht po nëpërmjet kompanisë së tij të ardhshme ajrore Virgin Galactic Airways. Madje ne nuk mëtonim as të ishim ndër njëqind klientët e parë të agjensisë amerikane Space Adventures e cila, pak më realiste, premton sigurisht prekjen e ëndrrës qiellore, por në tokë, me përvojën e mungesës së peshës, e që duhet të jetë diçka ngjashme me mjdiset ku sterviten astronautët. Të gjitha këto mrekulli të pritura për vitin 2000 do të duhej ta yshtnin edhe më fort përfytyrimin e poetëve pikërisht pse kishin mbetur tashmë në kujtesën e njerëzimit si ish-mrekullitë e të ardhmes së mplakur. Por hë për hë ne ishim fare të kënaqur me udhëtimin tonë pa të papritura në tren dhe i kishim pranuar pa naze një për një kushtet. Nëse do të paraqiteshin gjërat siç ishin, edhe rezultati nga ana jonë, jam i sigurtë, do të ishte qartazi më i dobishëm për vendet, që na prisnin, e që zakonisht bënin përpjekjet më të mëdha e më prekëse për të na treguar se sa mikpritëse ishin, sa të bukura i kishin peizazhet, sa të vjetër dhe epike historinë kombëtare, sa të pasur si foklorin ashtu dhe kulturën bashkohore. Përshtypjet tona të shkruara pa vonesë, pra të ngrohura ende me afshin e mirënjohjes gjatë hedhjes në letër, mund të kishin shërbyer vërtet si material me vlerë për broshurat publicitare të ministrive të turizmit të këtyre vendeve. Nuk na e kërkuan një gjë të tillë dhe as ne vetë nuk u shtymë në këtë drejtim pak për t'u bindur ndaj një urdhëri të pashqiptuar e pak pse intelektualët europianë, për arsye të pakuptueshme për mua, kanë arritur ta poshtërojnë fjalën "turizëm". Dhe neve nuk na lejohej të poshtëroheshim. Sidoqoftë, duhet shpresuar se kështu del më për mirë për të gjithë, pasi unë, si dembel që jam, vetëm kështu do të detyrohem të kërkoj më larg, të gërvisht sëpaku varakun e sipërfaqes, me urimin të kuptoj diçka më shumë, dhe pse jo, të bindem se Europa kulturore është Europa, që ka vërtet rëndësi, Europa e të ardhmes e se ajo nuk është aspak një teneqe e ndryshkur, siç paraqitet shpesh e më shpesh në imagjinatën time të cunguar nga dyshimet. Për mua nuk do të gjendej kurrë më një rast më i mirë se ky udhëtim për t’u siguruar se edhe ne, të zbuluarit pas rënies së Murit të Berlinit, ishim njësoj si të tjerët, domethënë të barabartë me të tjerët dhe jo pas derës, siç na thuhej rëndom. E dija se nuk do të mungonin ata, që do të më kundërshtonin, duke më thënë se kisha gjetur vetëm një ngushëllim, por unë isha i vendosur të mbahesha fort pas përfundimit tim të ri. Pra, unë si të tjerët nuk kam asnjë arsye të qëndrueshme të ankohem për asgjë lidhur me shtegtimin Literaturexpress. «Pse-ja» e shurdhër, e ngjizur me mundim në trurin tim gjysmaëndërr-gjysmazhgjëndërr tek sapo kisha dëgjuar, po ashtu gjysmaëndërr-gjysmazhgjëndërr, një grua fare të ndërgjegjshme, të qartë e të zellshme për detyrën e vet t’u ndalonte fotografëve dhe kameramanëve të merrnin në kutitë e errëta të aparateve të tyre fytyrat tona të shkrehura në gjumë, pra, edhe ajo «pse», sado që e pavullnetshme, e që fatmirësisht nuk e dëgjoi askush, nuk kishte qënë kurrsesi ankesë. Ishte vetëm një kërcim i vogël sëbrendshmi, i shtyrë instinktivisht nga kureshtja, nga kërkimi i kërkimit se çfarë po mbronte ajo me aq vendosmëri. Për pak javë, deri sa karvani ynë mbërriti në Moskë, isha më fort i prirur të besoja se ajo kishte dashur të na mbronte ne. Ajo ishte aty vetëm për të na mbrojtur ne. Në mbështetje të kësaj hamendjeje të pëlqyeshme më erdhi edhe shkrimtari austriak Peter Handke, jo ai vetë si person, e kisha takuar një herë të vetme pesë vjet më parë në një darkë në Paris te një mikesha jonë e përbashkët dhe nuk më kishte lënë ndonjë mall për ta parë prapë, por një personazhi i tij, edhe ai shkrimtar, i cili, nuk më kujtohej në ç’rrethana, shprehej për një poet klasik se edhe duke prerë thonjtë, kishte dukje fisnike.