| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Bilal Xhaferri E shtune, 03-03-2007, 11:14am (GMT)
Bilal Hoxha (Xhaferri) ishte një meteor, ishte një yll që u këput shpejt nga toka mëmë që përjetësia në gjirin e saj e mbështolli. Bilali ka lindur më 1936 në fshatin Ninat të krahinës së Konispolit. Nëna e la të mitur. Një vëlla e tri motra. Në fillim të vitit 1945 babai i tij, Xhaferr Ferik Hoxha (Mustaqja) u arrestua dhe u ekzekutua pa gjyq. Fëmijët mbetën jetimë. Ata i rriti gjyshi plak disi i qorruar. Në moshën 12-vjeçare Bilali largohet nga fshati i lindjes dhe shkon në Sarandë ku punon si korier. Këto ishin përpjekjet e një fëmije për të mbijetuar. Më vonë kryen një shkolle për teknik-gjeometër. Ende të vogël, Bilalin e gjen Tiranës, Durrësit, Krujës, Laçit, Malsëive të Shkodrës. profesioni dhe tërë këto endje e bënë të njihej me njerëz të shumtë dhe mjedise të ndryshme. Gjatë këtyre viteve u burrërua. Shpirti i poetit, shkrimtarit të ardhshëm mbushej me përvojë jete, mbushej me mall për motrat, mbushej me peisazhet e mahnitshme që do të derdheshin në të tëra krijimet e tij. Dhe, që të përjetësonte babain e tij të ekzekutuar padrejtësisht, në krijimet e veta për mbiemër vuri emrin e të atit. Bilal Xhaferri kishte një arsim të kufizuar, por ai ishte një talent i jashtëzakonshëm. Nisi të botojë tregime që në vitin 1962 dhe gjer në vitin 1968. Ai u mirëprit nga të gjitha organet letrare të atyre viteve. Bilali ishte një Tip i heshtur, disi i distancuar nga kënaqësia qä u jep jeta të rinjve. Mund të shtoj se kur shkruante romin „Krasta Kraus“ në një dhomë hoteli në Tiranë, kam parë pak më tej tavolinës së punës, në një pjatë: një riskë bukë, pak djathë dhe ndonjë fik. Kështu e shtynte urinë. Në vitin 1966 u botua vëllimi me tregime „njerëz të rinj – tokë e lashtë“. Në 1967 u botua, por nuk doli në qarkullim vëllimi poetik „Lirishta e kuqe“. Në vitet 67-68 përfundoi pjesën e parë të romanit „Krasta Kraus“. Ka tregime dhe vjersha të pabotuara, reportazhe dhe skica. Jeta e këtij talenti kaloi nëpër Shqipëri me një shkëlqim verbues dhe me një shpejtësi drite, por prapë mendoj se për një jetëshkrim mund të mblidhen momente, ngjarje, kujtime, fakte; mund të duhet të dëshmojnë me ndershmëri tërë dashamirësit e hershëm të Bilalit. Kështu mund të kontribuojnë edhe në plotësimet e trashëgimisë së tij letrare. Duke qenë larg strehës, ngrohtësisë familjare, nga rruga në rrugë, nga kantieri në kantier, Bilalit, këtij endacaku shekspirian, iu imponua parregullsia. Dheu që ia brumosi krijimtarinë e tij, vetë ia përpiu... Në këtë biografi të shkurtër të Bilalit nuk mund të rri pa theksuar finalen, atë rastin fatal që ndikoi aq shumë në jetën e tij. Në vitin 1968 në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, bëhej diskutimi i romanit „Dasma“ i shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare. Mbas shumë lavdërimeve ngrihet Bilali dhe me argumente bindëse dhe të sinqerta e kritikon romanin. Ky veprim nuk ka të bëjë me paramendime, por u ushqye nga dobësitë e shumta të vetë romanit, dhe nuk ka të bëjë aspak me atë ngjyrë që shkrimtari i madh Isamil Kadare i ka dhënë në librin „Ftesë në studio“. Zoti Kadare ka folur me hamendje, ashtu si oficerët e sigurimit të atyre viteve, që atë rast u mundua ta ndërlikonin dhe ta quanin si gjoja veprim të një grupi të oragnizuar kundër veprës më novatore, më revolucionare të shkruar gjer atëherë. Jeta e romanit „Dasma“ dihet...Zoti Kadare mjafton të kujtojë buzëqeshjen tërë ngrohtësi që i dha Bilalit kur u ngrit për të folur. „Ja, - ka menduar në ato çaste të vështira Kadareja, - po ngrihet për të më mbrojtur ky talent i ri, ky njeri i heshtur që nuk e kemi dëgjuar një herë të flasë. Besoj se do të ma kënaqë sedrën...“ Por nuk ndodhi ashtu, Kadareja u zhgënjye... Bilali shpesh ma ka përmendur me dhimbje të papriturën që i bëri Ismailit. Kishte ndjenja të holla Bilali. Ishte i mbushur me virtyte e kurrsesi nuk mund të ngrihej kundër së vërtetës, qoftë edhe për hir të dobësisë që kishte për madhështinë e Kadaresë. Jeta njeh raste të shumta që njerëz të mëdhenj i kannë mohuar të thënat e tyre kur janë zhvleftësuar nga realiteti. Një rast i tillë do ta lartësonte së tepërmi edhe zotin Kadare. Në fund të fundit, e vërteta është në anën e Bilalit. Nuk dua të zgjatem me qëndrimin e organeve të sigurimit e me trajtimin që iu bë Bilalit mbas atij diskutimi. Seç pillte komunizmi në të tilla raste tashmë dihet nga të gjithë... ...Bilalin e internuan nga Durrësi dhe e çuan në sektorin Kulle të fermës së Sukthit, ku punoi si punëtor. Për motive të përafërta, unë me tërë fisin tim „Mane“, afro 56 vetë u internuam dhe u dëbum, një pjesë në Kryevidh dhe tjetra në Hamallë. Atëhere ishim 5-6 km larg njëri-tjetrit, por prapë takoheshim çdo ditë, shkruanim, këmbenim mendime. Krijuam dhe një vëllim të përbashkët me vjersha „Një siluetë në errësirë“. Shpesh ndodhte të kuptonim se survejoheshim e ndiqeshim nga persona të veçantë. Dhe ndoshta zoti na ka ndihmuar që s’u burgosëm. Mjerë ne shqiptarët ç’fat të zi kemi pasur! Idenë e arratisjes së Bilalit në fillim u munduam ta realizonim nga porti i Durrësit, por shpejt pamë se ky veprim ishte i pamatur dhe me pasoja. Bilali shkoi në fshatin e lindjes, u njoh me vendin, përgatiti terrenin dhe mbas 3-4 muajsh, së bashku me kunatin, më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria. Ai u largua me mendimin që të kthehej një ditë. I vdekur do bëhem, emrin do ndërroj, operacione plastike do bëj e një ditë do të kthehem“! Kështu më kishte thënë. Dhe besonte tek vetvetja. Pak dimë për jetën e Bilait larg Shqipërisë. E sigurt është se ka krijuar në SHBA, në Çikago, një revistë me titullin „Krahu i Shqiponjës“ që ka një theks të spikatur antikomunist. Shumë gjëra të tjera janë të mjegullta, enigmë: vetëm brenda një reviste është mbyllur krijimtaria letare e Bilalir?! Ç’është bërë me romanin „Krasta Kraus“? Dimë se pjesën e parë e mori me vete nga shëtpia ime. Pjesën e dytë si skicime e kishte përfunduar. Këtu të ketë ndaluar? Thueht se mbas operacionit të një tumori në vitin 1986 të ketë vdekur. Thuhet se dora komuniste e ka goditur deri atje. Deri kur do të thuhet?! Deri kur?! Le të shpresojmë në ndriçimin e kësaj engime... Iniciativa e ndërmarrjes botuese me emrin „Bilal Xhaferri“, me drejtues zotin Shefki Hysa i ka vënë vetes si detyrë që të nxjerrë para lexuesve jetën e plotë dhe krijimtarinë brilante të Bilalit. Mendoj se, së pari, i përket e drejta pikërisht këtij enti botues për ta publikuar veprën e pavdekshme të të shquarit Bilal Xhaferri. ENIGMA – BILAL XHAFERRI Namik Mane Parathënie per librin „Dashuri e pergjakur“ (romancë) me autor Bilal Xhaferri, botim i vitit 1992.) |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||