Letërsia Shqiptare

Dashuri dhe Fate
E merkure, 03-01-2007, 11:29am (GMT)

Atë vit vjeshta kaloi si i ka hije, pa asnjë çrregullim të motit, pa shira dhe erëra të parakohshme. Tetori ishte i qetë dhe i vagëlluar. Nga fillimi i nëntorit ranë ca shira të pakta dhe koha u hap përsëri. Pastaj, në janar, ra bora e parë, në mars çelën thanat dhe në maj lulëzoi tërë vendi...
Kështu, muajt ndoqën njëri-tjetrin.
Gjatë verës, lulet e pranverës zunë kokrra. Në vjeshtë u volën kokrrat e fundit dhe filluan të binin fletët e para... Dhe përsëri hyri janari i vitit tjetër...
...Në një nga ditët e para të Vitit të Ri, kompania ime bënte stërvitje taktike, e vendosur në pozicion luftimi buzë lumit L. Tërë kohën e stërvitjes ra një shi, një shi bore, i akullt, i ngadalshëm, i pandërprerë, që të lagte dhe të fuste drithmën deri në palcë... Si mbaroi stërvitja, u kthyem në repart. Ashtu të njomur dhe të bërë pellg nga shiu hymë në "dhomën ushtarako-politike", ku qëndruam të pastronim armët. Ata që e mbaronin pastrimin, shkonin dhe shpinin armët në armaturë dhe, kështu, salla boshatisej pak e nga pak. Unë po vonohesha. Pecja e vajimit m'i kishte bërë duart gjithë vaj dhe gishtërinjtë e ngrirë më ishin shtrembëruar, si të paralizuar. Duke shikuar gishtërinjtë e mi, m'u kujtua se kështu më paralizoheshin ata dhe kështu më ndoteshin nga ndryshku i hekurave, kur lidhja soleta nën ndonjë shi të lehtë.
Një ushtar u kujtua dhe shkoi hapi radion.
Po mbaronte një emision me muzikë ritmike. Pastaj u bë një pauzë. Pas pak spikerja tha:
Po japim pjesë orkestrale: Klod Debysi: "Ndriçimi i hënës."
M'u drodh zemra... Këtë pjesë e kisha dëgjuar ato ditët e fundit kur u largova nga qyteza N., katërmbëdhjetë muaj më parë. Ngjante me "Serenatën" e Shubertit, nuk ngjante po të kujtonte tërë serenatën. Sa më pëlqente! I rrëmbyer nga muzika, tërë qenia sikur më shkrihej duke m'u bërë një me tingujt, dhe në mendje fillova të sjell ato kujtime të shtrenjta që i ruaja thellë në shpirt.


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.