Nga libri poetik:
''GJUHA E DHEUT TIM''
Albin,
Tiranë, 1999
MARR NJË GRUSHT DHE
Marr një grusht dhe Kosove,
e përqafoj si fëmijën-
butësisht e plot mall!
I flas si njeriut tim
sepse ma zgjon hijen e atyre që ranë
duke e mbrojtur,
atyre që ndërruan jetë
duke mbjellur në te
bimën e shpresës për të nesërmen!
Kur më flet,
më flet me gjuhën e djersës dhe gjakut
të etërve që mbuluan
eshtrat me te;
me gjuhën e bimëve
dhe çdo gjëje që rritet
me thërmijat e tij...
ndaj i përkulem si hyjniut
sepse është pjesë e altarit më të shenjtë!
Ah, sa mall të mbaj midis grushtave
dheun për të cilin jetoj e marr frymë,
dheun për të cilin derdha lot,
për të cilin mund të vdes
në çdo kohë-
brumin dhe plafin tim të përjetshëm!
Morinë, 1998
LIRIA
Për Te e vlenë të vdiset, të përgjakemi,
asgjë nuk matet me vlerën e saj, as jeta;
kush i ka fëmijët më të shëndoshë se ne
që duhet të rriten të lirë nën flatrat e saj?!
Është e vetmja gjellë shpirtërore e të vuajturve;
ëndërra, shpresa, gjakimi për të nesërmen;
është gjaku që rrjedh damarëve, zemra që gulçon
për ta parë dritën e bardhë në shuplakë të dorës!
Ajo ka kuptimin e vuajtjes dhe të shenjtërisë
pranë altarit të së drejtës dhe të së vërtetës;
është limfa që u ep gjallëri edhe shekujve
kur maten me të keqen, dhunën e ligësinë!
Liria është kudo, edhe nëpër të imtat bimë
kur luhaten nga era dhe mbahen për tokë;
është në gjethet e malit, gjelbrimin e stuhinë
dhe në çdo tipar të shënuar mbi fytyrën e globit!
Ndaj frymojmë e lëvizim të gjithë; veprojmë;
djersën, gjakun as fjalën nuk i kursejmë për te
që ta bëjmë ate kurorën e të gjitha përpjekjeve-
frytin më të shijshëm në kopshtin e ëndërrës sonë!
Liria është Alfa dhe Beta, tërësia në çdo kuptim,
litari që lidh fuqishëm të gjallën dhe të vdekurën,
që mbanë midis nesh kujtimin e atyre që ranë
për t`i gëzuar pasardhësit gjithë të mirat e saj !
Nuk përshkruhet me fjalë, s`e kap dot poezia;
është i vetmi gjenerator që ka lëvizur kohërat;
kudo që godet pamëshirëm dhuna e tradhëtia
shndërrohet në të vetmin kuptim jetik- Ajo!...
St. Gallen, 1997
TELALLXHIU
I MBRETËRISË SË HIDHUR
Të bardhën e nxinë
me fjalorin e diktuar,
nga tupani i tij tymnajën e nxjerrë
sa herë godet lëkurën e terur të ditëve
të zezën e suvaton
me bardhësitë e plaçkitura
nga shpirti i popullit
deri sa në gijotinë e shtrydhin tradhëtitë
kështu mbretëria
nxjerr para nesh lavirën e synimeve,
asnjëherë s`kuptohet
ç`ngjyrë fshihet pas bebëzave të pudrosura...
Tash edhe kasneci i çmendur
emrin e ka humbur
nëpër të rrahurat e kurdisura
rrugë më rrugë,
e askund sheshi
me at përmendore të rrënuar,
askund shpëtimtari
që t`a lirojë Prometeun!
ZEZONË E MALLKUAR
As hirin nuk ma lënë të mblidhet
te urnat e ditëve,
kanë frikë se ngjizet e ndizet!
As dheun nuk ma lënë të bashkohet
te kodra e kohëve,
kanë frikë mos përtërihet e blerohet!
As lumejt e gjakimeve s`mi lënë të rrjedhin
nëpër shtratin e viteve,
kanë frikë mos vërshojnë dhe prishin
arat e mbjella me bimën e së keqes!...
Zezonë e mallkuar,
kur do të përmbytet ligësia jote,
dinosaurët tu t`a vjellin për hundësh
pranverën e gëlltitur,
u bëfshin fosile të djegura
nën detin e lotëve tanë!
ZGAFELLA
E ZEMRËS SIME
Nën urat e larta të ndjenjave
rridhte lumi i gjakimeve të mia
në mes të fushës së bleruar të mendimeve
ngritej kalaja e ëndërrave
drejtë qiellit-
dorën e ndruajtur prore e shtrinte
të prekë me bedene rrezen e ngrohtë,
e nuk di kush i ndërseu gjithnjë furtunat
kush me tërmete m`i shembte muret
sa herë i afrohesha diellit...
Ajri i përmjegullt me hilet e Kainit
m‘a vodhën paturpësisht dashurinë
edhe atëherë kur mendoja
se do të mjaftonin troshkat e saj
tash, në sheshin e tymosur
kulla e ëndërrave më është djegur-
frymëmarrja ime i ngjanë
një lisi të zhbiruar
me i zgafellë të madhe futë në gji!
PERSIATJE
MBI VDEKJEN
Kur vdiset vetëm, në mesudhë
vdiset dhimbshëm, pa fitore në dorë
me ankthin e dyshimit për të nesërmen!
Kur vdiset i coptuar nga hijenat
toka gjëmon dhe nuk e duron plagën,
zemra e trollit rrudhet
e limfa e ditëve thahet nga trishtimi!
Kur vdiset i vrarë pas kurrizit,
i prerë në fyt; i shpuar në hekur...
dielli e mbulon fytyrën nga turpi i dhunës
e mezi e shikon botën e çmendur
poshtë vetes!...
Vetëm në front vdiset burrërisht
për ta ushqyer me shpresa drejtësinë
se një ditë e keqja do të marrë fund!
PRANVERA E VARGJEVE
Kjo stinë vie atëherë kur shpirti dhemb
e nënqiellit të ndjenjave rigon mjaft shi
sa të mugullojë mendimi pipave të fjalës.
Vie vetëm kur nuk pajtohesh me heshtjen,
kur gjelbrimi shpurdhë në brendësinë e gjërave
nxitur nga etja për të lënë gjurmët e veta
në hapësirë.
Pranvera e vargjeve është ridefinim i kohërave
kur e qena dhe e paqena masin njëra-tjetrën;
kur e liga dhe e drejta përleshen fytas
e në vazhdimësi;
kur brumi i shpirtit formësohet në fushë të bleruar,
në lisa kryelartë e në bjeshkë mendimesh-
në tërësinë e asaj që njësohet me të bukurën!...
PËSHPËRITJET
E NJË GJETHI TË THARË
Vështirë pranoj të zverdhem nga gjelbrimi
kur më soset fryma e ditëve të mia
duke kulluar ajrin dhe fshirë hapësirën
nga thërmijat e imta të vdekjes
ngjyra më shpenzohet ngadalë e padiktuar
me at gjoll murtaje në zemër...
Sa lehtë më shkëput dora e kohës
e m`lëshon përtej kujdesit të vet
mbi tokën e lagur të dhembjeve,
prap u rri te këmbët degëve të mia
nën dëborën e heshtjes e rrëketë e pikëllimit
dhe pleh i bëhem trungut kryelartë
për t`ia ushqyer blerimin e stinëve që vinë!
MOTIV I LASHTË KOSOVE
A do të vish në dasmë
si në motet e përgjakshme
valles së krismave
t`ia marrim,
Nusen pa tjetër do ta sjellim
oxhakun ta rrisim
e Kulla të shndërrisë-
ajo Diellin e ka në ballë
si e Bukura e Dheut
në mitet mijëvjeçare,
Ti patjetër do të vish
në dasmën e lirisë, o burrë-
t`i plasim hijenat
me vallen e krismave!
DËSHIRË E VETME
E LUFTËTARIT TË LIRISË
Sikur të kisha
shtatëmijë duar,
çdo njëren do t`a ngritja
kundër armikut;
sikur të kisha
shtatëmijë jetë,
asnjë s`do t`më dhimbsej
për lirinë;
sikur të kisha
shtatëmijë zemra,
prap do t`më digjeshin
për bashkimin;...
sikur të jetoja
ndër shtatëmijë mrekulli,
të gjitha do t`i lija
për Atdheun!
YJE TË PËRJETËSISË
-Dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në betejat e përgjakshme me okupatorët serbë!
Juve më të mirëve u zgjodhi amshimi
që lisat e krenisë të kenë hapësirë të mjaftueshme
për t`u rritur në bebëzat e njoma të fëmijëve tanë,
që nënat tona t`i përtërijë shpresa
e të kenë motive të pashterrshme ninullash
deri sa përkundin nipat në djepat e kohëve,
që baballarët ta mundin pleqërinë me kujtimin tuaj
e ndër oda të flasin për ju si për legjendat e moçme-
plisin ta kenë edhe më të bardhë se thinjat e tyre!...
Juve më të mirëve u zgjodhi pavdekësia
sepse tokën e Atdheut e deshët më shumë se veten,
vetëm ju e shpaguat burrërisht qumshtin e nënave,
fytyrën ia latë trollit me dorën e shpirtit të bardhë;
vetëm ju e shpaguat ujin e kristaltë të krojeve-
me kristalin e ndjenjave tuaja
yje të ëndërrave tona u bëtë nëpër qiell!
Kosovës i ratë te këmbët plot dinjitet e njerëzi,
plagët e hapura ia shëruat me afshin e gjakut tuaj,
dhembjet ia mblodhët nga balli
me dorën e fuqishme të luftëtarit...
dhe të nesërmes ia bëtë kurorë frymëmarrjet e fundit!
LAGJA E TRIMAVE
-Familjes heroike të Shaban Jasharit të Prekazit të Drenicës dhe bijve të nderuar të saj, luftëtarëve të paepur të lirisë- Hamëz e Adem Jashari dhe të gjithë bashkëluftëtarëve e dëshmorëve tjerë të kësaj ane!
Ju e përflakët dëborën e Janarit,
akujt e shpirtit na i shkritë me prushin e zemrës
shkurtit ia shkurtuat ditët me krisma
e marsi e thirri pranverën e këngëve
nëpër gunën e klithjeve tona!
Lagja juaj u rrit nëpër dhembjen tonë
kur buzëqeshjet e njoma të fëmijëve ia bëtë kurorë lirisë,
djepi i këngëve tona prore do t`i përkundë
me i plagë të madhe në zemër ditët që do vinë!
Me ju qëndresa e vuri edhe njëherë veten në sprovë,
piramida e dhunës u rrënua me at gur
që e hodhët ju në ballin e paturpshëm të kohës-
edhe nëse fryma u ndal, karvani u nis
me Jasharajt krushq të parë e fishkekun në grykë
kah dielli i shpresave tona!
Kur të na kthehet do të vie me shpirtrat tuaj
të shndërruar në rrezet e shndërritshme të përlindjes
krismat tuaja shënuan lëvizjen e ditëve,
kushtrimi burrëror e zgjoi Kosovën deri në Dukagjin-
tash, gjaku i juaj do kthehet me flamur fitoresh në dorë!
STILISTIKË
1. Anafora
E kam kërkuar në xhepat e shkyer të kohës
e kam kërkuar në rrjedhën e mnershme të fatit
e kam kërkuar në thinjat e mia maleve
e kam kërkuar në shënjestër
blerimin e vjedhur shumë stinë.
E gurët shënuan përgjakimet e mia në palcë
e gurët dëshmuan suferinën e dhembjes.
2. Simploka
O unë do ta zbres ylberin në brigjet e ëndërrës
do ta mbjell lulëkuqen në brigjet ëndërrës-
në këtë kryqëzim hekurash dhëmbët do t`i mprehë koha
në këtë kryqëzim hekurash do të varen maskimet!
3. Anadiploza
E pra vejushë e përdalur, kthema yllin tim
yllin e syrgjynosur në "puthjet" e tua-
vetëm unë e njoh "ledhatimin" tënd
"ledhatimin" tënd me dhëmbët e ujkut në faqe!
Heu, s`i dua shekujt në vizitë muzeumeve
kurrë si Laokonti
si Laokonti me gënjeshtrën kraheqafe!