Nga libri poetik
''KUR ZGJOHET DODONA''
Rilindja,
Prishtinë, 1992
NË VEND TË PARATHËNIES
Qe shtatë vjet
zemrën e shtrydhë mbi ty:
Herë më dukesh pak, aq pak
sa fytyrën e zë me duar!
Herë më dukesh shumë, aq shumë
sa s’di se ku të të lë!
Qe shtatë shekuj shtoj e heq
të njëjtën Dhembje, Shpresë
E botës për aq kohë
i paska ikur zemra-
s’paska se ku ta vë dorën !
Bota! Fjalë absurde bota!
Shpesh herë më doli si dredhë
për ty-
Athua,
pas sa dredhash do të dalësh në dritë!
KUPË E HIDHUR
I dua njerëzit
dhe gjëra të bukura
te ta kërkoj
Ata flasin për të kaluarën
për ëndërrat e së ardhmes
Midis ekstremiteteve
e tashmja përvidhet e tallet me ne.
I zemëruar kthehem te ti, poezi
se gjëra të ëmbla
të të dhuroj s’ kam
Ato që i kisha t’i dhurova
përgjithmonë,
por mirë u bëftë-
Unë
qe po e ngre
deri në fund kupën tënde!
A DO T’I MJAFTOJMË
TË VËRTETËS
Kurrë nuk lindët ashtu si desha
Kurrë s’u rritët ashtu si duhej
Jeta më vuri herët nën këmbë
disa u lindët para kohe
nga pesha e rëndë
disa pas kohe
Dhe mbetët shpesh bonjake e të braktisura
përderisa mund të ngrija sërish
kurrizin e thyer
Vargjet e mia
kurrë s’e thatë tërë atë që desha
kurrë se mbrujttë tërë atë që e thashë
A do ta shprehim…
A do t’i mjaftojmë së vërtetës!?
INTIMË
-I kushtohet Sh. (Shqipërisë) *)
Vazhdimisht mendoj për Ty
Më e zjarrta fjalë më je
më e djeguara fjalë jam unë
Larg ndodhem
aty ku lugu i mallit
lëviz gurët e masbesimit
e zemrën bluan përditë
Po ndër ëndërra
Unë dhe Vegimi yt!
E ëndërra…
Kush mund t’i ndalë ato?!
Së paku aty
përmallshëm bashkohemi!
*) Përkushtimi nuk doli në libër
dhe dy vargjet e fundit u ndryshuan me të padrejtë nga redaksia.
FËMIJËT E MI
1.
Portreti juaj
e rrah babin kudo nëpër botë-
sytë tuaj
me pritjen e stpepur
e hapësirat e uritura nën qepalla…
2.
Në çdo mendim
në çdo hap më lidhet
molisja fëmijërore e përcjelljeve
dhe lëmshi i qindra pyetjeve
të papërgjigje!
Ore fëmijë!
Kur pat babi aq kohë
t’u përgëdhelë
Do të vijë dita
e do të më mbledhni cukla-cukla
nëpër rima nëpër shtigje-
dhëntë fati e të mbërrijmë *)
në ishullin e buzëqeshjeve tuaja!
*) Edhe këtu me të padrejtë
është ndërruar koha nga redaksia.
MEGERA
Mbi maje të fronit
është ulur Megera
Me tis mjegullash
i mbulon epshet
me kurora lulesh
Zilinë,
Me njëren dorë rrah
karvanin e viteve
me tjetrën lëmon vithet
E Olimpi dridhet
shembet përditë
nga ngërdheshjet e saj
Ajo pa pra
fshikullon pa pra
karvanin e zotërave!
QIELLIT TË FËMIJËRISË
Qiellit të fëmijërisë
kuçedra kulloste
tufën e reve
Nëna prore tirrte
shtëllungat e fantazisë
dhe zgjaste perin e rrëfimeve për te
Lëkundej vendit me ta zënë në gojë
pështyente anash në fund të rrëfimit:
-Pfu ! E hëngërt ujku të mallkuarën!
Unë stukesha në dhomë
sa herë e mallkuara gjuante
ushtat e vetëtimave
Mezi kam pritur Dragoin
të zbrazë mbi të
topin monstruoz të murmurimave!
KUAJT E HAZDISUR
Me zgjebën e turpit
e pak kaltërsi të imagjinuar
mbi lëkurë
hazdisen rrugëve
Nga një yll i zverdhur
rremat e thyer
mbi kablosh u lëvar
e kobin e egërsisë
troklodhjne mbi dhe…
Kujdes thnegla, lule, bimë
kaujt e hazdisur po vijnë! *)
*) Kjo poezi, sikurse ajo para kësaj, në mënyrë klasike
e simbolizojnë dhunën serbo-sllave mbi shqiptarët. Ajo shpjegon
ardhjen e shpejtë të milicisë sebo-sllave për të zhvilluar
fushatën e gjenocidit të madh antishqiptar, për çka autori i lut thneglat,
lulet e bimët të ruhen nga “kuajt e hazdisur”, që do të vinin...
KORNIZAT E BUZËQESHJES
1.
Vij në ty kohë
me kthejtësinë e vesës mbi fjalë
dhe të sjell
buqeta frymëmarrjesh të pastërta
majemalesh
Vij në ty
me etjen e lules për Diell
e mugulloj
në përqafimin e parë të rrezes
Ti ma nxjerr
gjuhën e palarë
dhe fjalët i vë
në një sintaksë të çuditshme
ngërdheshjesh!
2.
Në plantacionin e dhembjeve
këpus bimët më të zgjedhura
e i thur kurorat
më tipike
Të ndjek e të ndjek
derisa venitem
shkretëtirave të përbuzjes
Të ndjek e të ndjek
e të gjëj
në llumin e instikteve
duke shitur shpirtin
e duke përkdhellur
këlyshët e vesit!
3.
Pastaj
më kot i ndërron
kornizat e buzëqeshjes
e ua reklamohesh ditëve të vrara
me pelerinën e zhubravitur
të ëngjujve
Më kot i mbledhë
thërmijat e nënqiejve të përmbysur
copat e nëntokave të gremisura
e përpiqesh
të rikrijosh ëndërrën time
për të Bukurën
dhe iluzionin e rremë
për vetveten…! *)
*) Nga kjo pozi redaktori Ali Podrimja tenton t’ia ndërrojë
emërtimin e përmbledhjes “Kur zgjohet Dodona”. Në revistë kishte
një titull të përbashkët “Buzëqeshja në kornizë”. Më vonë, Ali Podrimja
doli me titullim e vet “Buzëqeshja në kafaz”, që nuk është në rregull.
PASQYRA MITIKE
Njeriu është pasqyrë
në të cilë shikohet
Jeta,
e jeta një pasqyrë
ku shikohet bota…
Imzot,
kur s’është pamja e bukur
kush i ka fajet?!
ORA QË NUK MË DUHET
Uria ime
paska vënë orën në provë
nga dëshprimi
akrepat po i çmenden
E dhembja e paska lodhur
të ecë me kohën s’mundet
të pushojë nuk bën
Dita, e zezë dita
është e ndalur edhe ajo e dridhet…
Këtë orë
kush e blen pesë para, këtë orë!
DITA NË ÇËRNOMELJ
Dymbëdhjetë orët i thyem
me çekanin e durimit të pashterrë
e dëshprimin e përtypëm
në mëngjes e në drekë
kanaleve të Çërnomelit. *)
Në mbrëmje
u kthyem me nga një ditë të mundur
lamë nga duart pluhurin e mospajtimit
e ngjyem
për darkë kafshoret e shikimit
në vezët e fërguara të hënes…
Sa e gjatë dita në Çënomel!
(Cernomelj, 1986)
*) Ky është qytet në Slloveni ku ka punuar fizikisht poeti.
Për herë të parë poeti dërgoi një cikël poezish në shtyp dhe në libër, me titullin
“Këmbanat e pikëllimit”, që hapi temën e emigracionit politik të shqiptarëve brenda Jugosllavisë. Në libër ato u sakatuan në tri poezi të gjymtuara.
NJË LETËR E PAZAKONSHME
I.
E shkruaj këtë letër
Në mënyrë të pazakonshme:
Në vend të fletës
faqet e zhubravitura të fatit
Në vend të lapsit
kazma e lodhur
Në vend të shkronjave
gufimet e gjakut
Në vend të shenjave
barrierat e jetës!
II.
Dramën time të përditshme
s’ta dëshiroj biro,
Se ëndërrat që mbolla per ty
s’u rritën
Me dritare të mbylluara
në vazon e ditëve…!
(Crnomelj, 1986)
METROPOLI
Jam pjesa jote më e përbuzur!
Çdo gjë që më jep
është një buzëqeshje e zhytur
në falsitet
Duke u zhvarritur trotuareve
të besdis kur nuk mund t’i ndryj
të gjitha dufet
që m’i grumbullon
herë pas here përroi i jetës së ndrydhur.
Në xhamat e vitrinave tua fytyra ime
më përqesh
më shikon ftohtë sa të gjithë dimrat e fatit
ja si fryn
përshëndetjeve tona të përditshme!
E më jep një numër të rremë ditësh
mbi njëzet është teprica e numrave
Të duhen për të ngritur mbi mua
katet e dhembjes.
Më kupton si gjeth të rënë
nën fshikujt e vjeshtave njerëzore
e pa mua s’jeton, e di-
të duhet pak dhe i shkrifët
shtojë e mbulojë për t’ia hedhur farës
së ditëve të gastarta.
Bërllogku dhe plehërat
herët mëngjeseve i dëllir dita të mos i gjëjë
s’u dashka të shoh gjithë atë që vjell terri
para se të fillojë dramën e vet,
Unë pyes, lejomë,
a vjen në ty dita, a e di ç ‘është mëngjesi?
Më mirë të hesht-
Damë e rëndë blloqesh!
(Zürich, 1989)
KUR ZGJOHET DODONA
I.
Fryu rrugëve të Dodonës
erë e marrë,
baltë e dhe hodhi mbi lulekuqe
Orës së qytetit
ia kurdisi kahun e vet
e qorrsokakët i zgjoi
si krahë të oktapodit
ta gllabëronin Dodonën e heshtur
një ditë
Njerëzit
ndërruan emra ndërruan kahet
ndërruan ëndërrat
Se ora
maste kohën gabimisht!
II.
Njerëzit
iknin nga qyteti
njerëzit vdisnin të vetmuar
Urat e gurit
përditë nga pak i shembeshin
në gji
nën karvanet e dhembjes
Atje tej
malet rrisnin thellësitë
e në magmat e palcës së globit
ushqenin damarët e Dodonës.
III.
Kur zgjohet Dodona
nga gjumi shekullor
shatërvanet shpërthejnë
në gejzerë të valë
Qytetit
ia lajnë fytyrën
e monumentet rriten
me shkëlqimin e bronztë!…
(Gjakovë, 1978)
NOSTALGJIA PËR DRITË
Lisat e jetës po shkundin gjethet
e dallgët e dhembjeve tronditin liqenin
në fund të shpirtit
E sa trishtueshëm
e shoh diellin rrëzë plepave
me kokën e kthyer teposhtë si fëmijët kur lozin
Më buzëqesh dhunshëm
larg, përtej shtatë kodrave
prej kah nuk më zgjon tjetër pos nostallgjinë
për dritë
S’jam për lojëra të largëta e pakuptim o diell
lisat e mendimeve të mia
po i shkundin gjethet e iluzioneve të zverdhura
sa m’u deshe e s’ma zgjate dorën
më le të thahem përdritjeve të hënës
me le të përlcas ulurimave të territ
E u desh në kaltërsinë e fjalëve të vëmë
shëmbëllimin tënd
për të mos na zënë trishtimi
Prandaj s’do të vdesim-
zemra jonë
është diell për stinët kur ti mungon !
(Zürich, 1989)
FLAMUR QË S’PËRKULET
-J. Gëvallës
dhe K. Zekës *)
Kam ca vëllezër
që më ranë rrugës
për ty Kosovë,
Varret në zemër na i lanë
dhe ca fjalë të fundme-
ca themele që s’tunden!
Në një pishë ëndërrat i shkrinë
E na i lanë peng të perjetshëm
drejt Diellit të ecim,
Ndaj
po qe se do të më djegë
nesër Flaka e Shpirtit
merrni nga kënga
amanetet e tyre-
atë flamur që s’përkulet!
*) Rekaksia e hoqi përkushtimin
dhe rrumbullaksoi vargjet.
KUR BIE NATA
Kur bie nata
bota mblidhet kruspull
me lecka të dhembjes
mbullon gjunjët e tharë.
Kur bie nata një ditë e vret veten
në një mendim të prishur
e mbyllet kopertina e qiejve
për t’u rrokullisur bebzat e dritës
e për ta parë veten lakuriq.
Kur bie nata
bota rrudhet
bota tendoset nga pesha e heshtjes, dhunës
dhe qindra pyetjeve që lind terri !
Nëse mund të të falem o natë
atëherë, për vorbullen e mërisë që më zien,
dhe dashurinë e përtrirë
për agun e një dite që s’përëndon-
Lum ata
që do ti shpëtojnë verbërimit tënd!!
XIXËLLIMË E SHKELUR
Fluturoj mbi ty Kosovë
e të shoh për së shtriri
Të lash
poshtë aq poshtë
sa s’njiheshe
nën këmbët e stuhive
dhe jorganit frymëzënës
të mjegullave !
Kështu,
kurrë s’të kam lënë-
Xixellimë e shkelur…!
(Charter, 1989)
PËRSËRI PËR NËNËN
-Triptik *)
Je mblakur nga Dhembjet
Përtërirë nga Lindjet
Por kurrë s’të shterri Dashuria !
*) Redaksia e hoqi titullin e vet dhe e bëri
“Triptikun” titull, që nuk shkonte.
DRITË E NDEZUR *)
Kur do t’ju shoh ashtu siç dua
o fushat e helmit tim
kur, se plasa duke shpënë
dheun tuaj
gjyqeve të botës
duke jua thithur helmin
nëntorëve të vrarë mbi ju
duke jua njomur
kokrrat e plasura
me nga një currill fjalësh…
Po kur moj do të vijë festë maji
e të çelë hapësirave tua
dhe të mbetet
Dritë e Ndezur
tash o kurrë,
tash o kurrë, heu…!!
*) Kjo poezi është marrë nga botimet në Kosovë
dhe është botuar në Nëntori, 10, 1990. Në libër,
ajo është botuar e rrumbullaksuar.