Nga poema
“BUKA E KUQE”
SHKSH “Atdheu”,
Zürich, 1990,
dhe libri i katërt poetik
“PASQYRË E PËRGJYKUR”,
Marin Barleti,
Tirane, 1994.
BRUMI I LIRISË
(Poemë )
-Protestës gjithëpopullore shqiptare
kundër politikës nacionaliste, hegje-
moniste dhe diskriminuese të Serbisë,
kundër terrorit shtetëror, dhunës dhe
krimeve të pafalshme të Jugosllavisë
mbi popullin tim- posaçërisht të rënëve dëshmorë-
me rrespekt e nderim të thellë,
Autori.
1.
Kosovë,
në brumin e ditëve tua
shlligat vjellin helmin e urrejtjes
gatuajnë kohën në ty
si bukë pelini
shlligat e rritura
enkas për këto çaste...
Larat
e shpluara mbi shpinë
janë alarmet e fundit
të një drame, apokalipse
që të pret...
2.
Helmi i tyre
terapi e pazakontë-
sa më shumë t`a shtuan dozën
në palcën e durimit
rezistenca, qëndresa të rritej,
e mbete bimë që s`vyshket
as me fletë as pa fletë
e mbete trung që s`thahet
as me pipa as pa degë...
megjithate,
fjalë e pathënë gjer në fund !
3.
Kush në botë
pat në magjen e fatit
kaq shumë tartull në miell
gërshërë nëpër gishta
shpata mbi kokë
kaq shumë dhembje në këngë
kaq ushujza në ballë
e kaq plagë,
kaq kinzla në ujë
gas kimik-helmik në hapësirë...
Kush në botë
Kosovë
pat kaq mjegull rreth sysh
e kaq Diell në zemër !?
4.
Unë t`i njoh moj
të gjitha përgjakimet tua,
t`i njoh se të janë puthja e parë
e çdo dite të re në ballin tënd
jetë i thënçin !
Se nëpër to prore kemi rrjedhur
shtegut të xhungllës, shtegut të ferrit
shteg i thënçin !
5.
Tash kalojmë nëpër Luciferr
nyja e fundit-
i nënti shpirt në trupin e së qenmes
është tel i hollë
mbi magmat e ndezura të mallkimeve
që ndanë të kaluarën e të ardhmen
sa fija e flokut larg flakës
sa fija e flokut larg hirit
sa fija e flokut
larg portës së bardhë
të shpëtimit
purgatori pastron-
pastroftë të zezat e fatit Kosovë
përgjithmonë !...
6.
Shlligat përreth teje
janë mendimet barbare për ty
të gjitha ligësitë
e fshehura e të pafshehura!
Nga hullitë e qelbura të nëntokës
Megera i ka mbledhur
me helmin e etjes së tyre
nga epshi, ankthi, mëria
të tharmë brumin e kohrave-
aq sa edhe shekujt
të sëmurën nga urrejtja !
7.
I ligu përligj ligësinë
e ligësia është shpirti i xhungllës.
Kur ringjallet ajo
çdo gjë thyen përmasat,
konceptet,
e parashikimet humbin
nga dendësia e botës së egër,
mishngrënësit gëlltisin jetën,
bari rritet për t`i fshehur gjurmët,
sytë e tokës kalben ngadalë,
demonët kthejnë ujrat në qelb...
Oh, Megera është Zot i Lig !
Hiqeni, hiqeni Megerën !
8.
Ajo kohërat do t`i çmendë
tartull duke u dhënë
Zot i prapësirave-
bukën e gënjeshtrave gatoi
me brumin e besimit të verbër,
dhe dushk për gogla shet.
Nëntoka e saj dhe Kosova
janë antinome,
Kosova mban Plis të Bardhë,
s`i duron fëlliqësirat, katranet
mbi horizontet e bardha të shpirtit,
Kosova
është pasqyre e përgjakur dashurishë
për të mbetur gjallë !
9.
Ajo
në sofrën e Zemrës
shtronte pogaçen e shpirtit
kuq si Diellin e ëndërrave të veta,
u lutej Zotrave
të mos ia hidhnin plafin e muzgut
pa një mik,
pa një yll në qivurin e bjeshkëve
për t`u bërë dritë,
shtronte raki rrushi
nga rrushi i zi
i syve të buzëqeshur
edhe në mjerim...
Kosova-
bujari e tepruar !
10.
E tash
hallemadhja nënë
ngjyen ditët në shëllirë,
mbledh fëmijët
me zemër të cfilitur,
ua ndan nga pak misërnike
nga një copë qepë
nga një kokërr djath...
Fëmijët e hallit pyesin
për tollat e kuqe të gishtërinjëve
për lotët e përgjakur
që i rrjedhin ,
ndaj lënë mënjanë
koret e përgjakura
e bredhin të pangrënë, të etur,
dalin nëpër dritaret e durimit,
lëshohen prej katesh
të dhembjes së tyre të pastërt
mbi tokën e ndotur
mbi tokën e gërvishtur thellë
nga dhëmbëzorët-
bredhin
me një fitil të hollë frymëmarrjesh-
gazi kimik përditë ua sos
nga pak mushkëritë
ngrehin gishtërinjtë lart
duke thonë:
- Ti ngrehim të dy duart,
Qielli të mos bie !
11.
Eh, fëmijët e Kosovës !
Janë zogj të përndjekur.
Asnjë pip të qetë s`ua lënë korbat
asnjë kënd të ngrohtë s`ua lënë retë
asnjë rrobe të pagrisur
s`ua lënë drizat e fatit
asnjë fushë me lule kosat s`ua lënë,
po po,
fëmijët e Kosovës
janë të predestinuar !
12.
Fëmijë të pa lodra janë ata,
vetëm në lozshin me gazin e fikur
vetëm në lozshin me emra të përbuzur
me të cilët i thërrasin,
me shpullat e ngjeshura,
me rafalet e kobshme
që i godasin,
me flamujt e melankolisë
duke paramenduar
pak gëzim në mënyrën fëmijërore,
po, ata s`kanë asnjë lodër
pos prindërve të përjashtuar nga puna,
ashtu janë vetë lodra
në duart e egra të viteve !
13.
Sidoqoftë,
a s`është privilegj kosovar
të kesh prindin në shtëpi,
sa kush është nisur nga shtëpia
e s`është kthyer me të gjitha gjymtyrët,
sa kush është nisur
e s`ka mbërrirë të kthehet në këmbë,
sa kush ka humbur rrugën
ditën për drekë
e ka mbërrirë në qendër të listave
nga të cilat kurrë s`ka dalur
i vërtetë,
sa kush...sa qindra mijë ?!
14.
Shumë të tjerë
u shtruan në sofrën e dhembjes,
ata s`janë më
për të ndarë bukën e idhtë të jetës,
të përcjellurit, të ndjekurit,
të privuarit nga kjo hapësirë fryme,
ata me nekrologjinë
e frymëmarrjeve të pëlcitura
në kush e di cilin çast të kobshëm
mbi truall,
qirinjtë e ndezur të rrugëve
dishepujt e dritës së rrugëve
apo shënjtorët e rrugëve të Dritës-
Ata, Lavdi Paçin !
15.
Ranë të puthin Tokën
një grusht dhe të shtrenjtë
për një buzëqeshje fëmijërore,
furtunave të krisura
gozhufin e shpirtit ua kthyen
hodhën rrufe klithmat
drejt shtëllungave të mnerit
e bulëzuan në çdo pip
nëpër çdo degë
nëpër çdo rimë të ndrydhur
këngësh,
ata e shkrinë
ngjyrën e gjakut
me brumin e ditëve që do vinë
që të gatuajnë
me tërë qenien
Buken e Kuqe të Lirisë !
16.
Se Kosova e thotë fjalën
pa iu dridhur buza
dhe vdes
te këmbët e mendimit të vet
si para lterit,
nuk pranoi kurrë
baltën e fjalëve
që s`ia deshi zemra-
Kosova
është tempull i flijimit
për të vërtetën !
17.
Më kot çirren
fantomët e natës
pështymën e mykur të shekujve
më kot e gjuajnë
mbi fytyrën e Diellit,
fantomët e vdekjes-
të mbështjellurit
në hekur e pancir,
në mjegullnajën e mizorisë-
Kosova
flet e vdes burrërisht !
18.
Pranë secilës pikë gjaku
ndizet një Kujtim
pranë secilës pikë gjaku
ndizet një Dritë
dhe me të gjitha
v e t ë D I E L L I !
(Prill, 1990)