Unë i etur kam qënë përherë
të shkel në toka
të pa shkelura ndonjëherë.
Nëpër qiej të ngjitem,
ku asnjë shpend s'ka fluturuar.
E në hapësira të endem
ku drita ende s'i ka përshkuar.
Në kaltërsinë e tyre
të rend, të rend,veç të rend
e kurrë të mos afroj.
Me një qëllim në mendjen time
burimin e Blu-së të kërkoj.
Si një shtëllungë tymi
të ngjitem në ata qiej.
Të shkoj tepër larg,
gjersa veten mos ta ndiej.
E atëherë
një frikë e mistershme të më pushtojë,
ku tjetër jetë asgjëkundi të mos takoj.
Dhe pendimi për brenda meje
të më qortojë si dem i tërbuar.
Thellë, shumë thellë ta ndiej mëkatin
që prej Tokes kam shtegtuar.
Shpirti të më raskapitet
e duke u përpëlitur të më gulçojë
dhe si i çmendur
drejt horizonteve të pafund të vrapoj.
Gjersa Bluja papritur
të tretet në një bardhësi.
E unë i friksuar të kuptoj
se po futem në një tjetër qiellësi.
Dhe atëherë o mëmë Tokë
si e thyer prej durimit
forca jote të më tërhëq.
Unë i përgjumur të bie në humnerë,
por kurrë të mos vdesë.
Të ndiej nga lart
aromën e brigjeve të tua,
që kundërmojnë erë jetë.
E zemra të hidhet përpjetë në kraharor
si një foshje kur nënën ka gjetë.
Të bie e të përplasem i gjithi pas teje,
si një kandër që bie për tokë.
E të mos ndiej dhimbje aspak,
por veç mall, mall, edhe prush, edhe lotë.